E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, 48 orë grevë paralizojnë vendin. Punonjësit në rrugë

Greqia do të jetë e paralizuar gjatë 48 orëve të ardhshme për shkak të grevës së përgjithshme që ka filluar në gjithë vendin, organizuar nga sindikatat e sektorit publik dhe privat.

Në grevë janë përfshirë administrata publike, tatimet, postat, bankat, gazetarët, inxhinierët, transporti publik, mësuesit, pedagogët në universitete, anijet mbeten pa lëvizur nga portet, kontrollorët ajrorë ndërpresin punën për 3 orë, ndërsa spitalet, klinikat dhe ambulancat do punojnë me personel sigurie. Nesër i bashkohen grevës edhe farmacistët ndërsa nga e premtja janë avokatët, prokurorët dhe gjyqtarët që vazhdojnë protestat e tyre.

Sindikatat kanë njoftuar grumbullime sot dhe nesër paradite në qendër të Athinës. Kërkesa kryesore e grevës është anulimi i të gjitha masave që shkurtojnë pagat e punonjësve, që i nxjerrin ata në rrugë dhe ulin pensionet.

Ndërkohë paketa e masave të ashpra është dërguar në Parlament dhe pritet të votohet gjatë ditës së nesërme. Kryeministri Samaras ka bërë thirrje për miratimin e saj, në të kundërt siç paralajmëroi, vendi do të zhytet në kaos dhe do t’i kthehet dhrahmisë. Me gjithë thirrjet e kryeministrit, partia e Fotis Kuvelis, E Majta Demokratike ka paralajmëruar se nuk do t’i votojë masat. Këtij rebelimi pritet t’i bashkohen edhe disa deputetë të PASOK.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›