Eksploziv hekurudhës, për të vjedhur skrapin nga treni i mallrave
Një tren pasagjerësh kaloi fatmirësisht pa probleme mbi shinat e dëmtuara, pa patur mundësi t’i diktonte ato më parë. Policia: Dyshojmë hajdutët e skrapit
Duket si episod i dalë nga filmat “Western”, por ngjarja ndodhi dje në linjën hekurudhore Vorë-Shkodër, pranë Krujës, ku persona të panjohur kanë hedhur në erë një krah të shinave për të ndaluar trenin e mallrave, në mënyrë që të vidhnin skrapin që transportohej me të për në Elbasan. Grabitësit në tentativë kanë vepruar pikërisht si personazhet fiktivë e realë të Perëndimit të Largët amerikan, veç ndryshe nga këta të fundit që vidhnin paratë dhe gjerat e vlefshme që transportoheshin me tren, ata kanë pasur qëllim të marrin mbetjet e hekurit që transportoheshin nga treni i mallrave për në Elbasan.
Burime nga policia e Krujës thanë se shpërthimi ndodhi rreth orës 01.00 të natës, në afërsi të stacionit hekurudhorë të Ishmit. Ndërkohë që policia ishte vënë në alarm pas shpërthimit, por nuk ka mundur të mësojë vendin që ndodhej i mbuluar mes ferrave, duke mos ndaluar as që treni i pasagjerëve të kalonte në këtë pjesë të hekurudhës, duke rrezikuar të dalë prej saj. Duket se vetëm pas kalimit të trenit vendi është zbuluar dhe policia, por edhe specialistë të hekurudhës, kanë shkuar aty. Policia ka inspektuar zonën e krimit, ndërsa hekurudha ka riparuar shinën e dëmtuar që ndodhej në krahun e majtë të trasesë.
Policia e Krujës thotë se nuk ka të dyshuar për ngjarjen, por ajo mendon se krimi është kryer nga të rinj që kanë pasur si qëllim të ndalojnë trenin e skrapit. Ky i fundit udhëton nga Shkodra për në Elbasan, ku dërgon mbetje hekuri për metalurgjikun. Treni është grabitur disa herë nga të rinj të cilët ia shesin sërish këtë skrap kombinatit metalurgjik. Burime të policisë kanë përjashtuar pistën e ndonjë atentati “terrorist”, pasi në vendngjarje është përdorur eksploziv në sasi të vogël dhe dëmtimi ka qenë minimal. Rreth 20 centimetra të linjës hekurudhore janë prekur nga shpërthimi. Shina e dëmtuar është riparuar po gjatë ditës së djeshme dhe trenat mund të lëvizin pa problem në këtë zonë.