E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhelozia e mbretit Zog për mbretëreshën dhe frika nga mediat

Kur u gjetëm pra në emigratë, kishim nevojë të fillonim propagandën tonë nga hiçi. Na mungonin njerëzit dhe mjetet. Si çdo punë e emigratës, edhe kjo varej prej Mbretit, i cili ishte kryetar i saj dhe i cili kishte mjetet e pakta që ekzistonin. Kur u bashkova me Mbretin, kujtoja se një nga kartat tona ishte dhe vlera e Mbretit dhe e Mbretëreshës si mjet propagande. Përdorimi i Mbretit dhe sidomos i Mbretëreshës në këtë fushë, mund të na sillte fitime të mëdha. Mbretëresha ishte e re, simpatike, jo vetëm si person, por dhe nga tragjedia e jetës së saj, si u krijua në imagjinatën e publikut nga botimet e ditëve të para të pushtimit. Ishte gjysmë amerikane. Kjo pikë mund të eksplorohej mjaft lehtë në Amerikë, ku propaganda luajti një rol shumë të madh. Fatkeqësisht këto karta nuk u përdorën. Mbreti kishte një përbuzje, që ndoshta vinte nga frika për lexuesit e gazetave. Por pa “gazetaxhinj” nuk bëhet dot propagandë. Nga ana tjetër ishte mësuar të dëgjonte vetëm lavdërime dhe t’i përdorte gazetat me referencë, që në kohën tonë nuk është e modës. Kështu e pothuaj gjatë gjitha kohës së mërgimit tonë, Mbreti bëri të mundurën që ta shmangte publicitetin, sidomos për Mbretëreshën. Metodat që përdori për këtë qëllim: prokastinimi, dyshimi, azhurnimi, tamam këto nuk pajtoheshin me teknikën e propagandës moderne. Nuk la të përdoret Mbretëresha në këtë fushë, në të cilën ajo mund të bënte të vetmin shërbim që ishte e zonja të bëjë për atdheun e saj të ri. Mbretëresha duhej të shkonte për në Amerike bashkë me të birin, Princin. Mbreti nuk duhej të shkonte, kujtoj. Në shumë raste do të shkaktonte një kundër-propagandë. Por Mbreti mbajti qëndrimin e njeriut i cili preferon të lavdërohet me gënjeshtra, sesa të gjykohet në themel të veprimeve të tij. Në rast se qëndrimi i tij mund të kuptohet prej atyre që pranojnë arsyetimin e tij, mos përdorimi i Mbretëreshës në fushën e propagandës mund të shpjegohet vetëm me arsye personale, nga të cilat një Mbret duhet të jete tërësisht i lirë, duke qenë se jeta e tij private i përket kombit. Fakti është se Mbretëresha nuk vajti në Amerike dhe nuk bëri asnjë veprim propagande. Kërkesat, pra, ishin të shumta, të paktën në fillim, dhe i lamë të na ikin nga duart. Vetëm një herë Mbreti e lejoi të fliste Mbretëreshën në radio amerikane dhe patëm lajme se fjalimi i saj bëri përshtypjen të mirë.

Gjithashtu, s’kemi mundur të shfrytëzojmë vlerën e çiftit mbretëror në fushën e jetës shoqërore. Rreth Mbretit dhe Mbretëreshës mund të krijohej një qark shoqëror i cili do të na hynte në punë në një vend ku shumë punë vendosen rreth një tavoline çaji ose whiskey. Mbreti s’e kishte aftësinë që duhet për jetën e sallonit. Jo vetëm nuk dinte gjuhë të huaja, por kishte dhe turpin që çdo shqiptar dhe oriental ka në jetën shoqërore të Evropës.

Por Mbretëresha e kishte dhe e pati rastin ta shfrytëzojë, por nuk e la Mbreti. Shumë njerëz në Angli do të kishin qejf të takoheshin me të. Shumë e kërkuan me këmbëngulje. Një prej tyre ishte dhe Lady Cronsfield, një greke e martuar me një anglez, me pozitë shoqërore të madhe, prej së cilës grekërit ditën të përfitojnë shumë. Në fillim mund të përfitonim edhe ne prej saj. Me këmbënguljen e saj hyri te Mbretëresha, dhe unë u gëzova pa masë, sepse e dija shumë mirë rëndësinë e saj. Fatkeqësisht nuk kemi ditur ta vazhdojmë miqësinë e saj dhe e komplikuam me shumë formalitete të kota, saqë zonja e saj u largua fare. Po ashtu ngjau me shumë vetë të shoqërisë angleze.

Frika e mbretit nga gazetat

Çdo intervistë që jepte Mbreti ishte një punë e madhe që shkaktonte një mijë e një ngatërresa. Ai që e merrte përsipër këtë punë duhej të kishte një durim gomari, jo kaq me gazetarët sesa me vetë Mbretin, që të mos bëhej qesharak në sytë e botës me dyshimet e tij dhe me ndryshime të orës së fundit. Intervista më e lehtë, dhe kujtoj më e mira, ishte ajo e “Manchestër Guardian”. Më e vështira, ajo e zotit Slocombe në “Sunday Express”. Mbreti dëshironte të kontrollonte edhe intervistat e njerëzve të tjerë. Po këto vështirësi paraqiteshin edhe kur gazetat kërkonin të shkruanin diçka mbi Mbretëreshën ose mbi princin Leka. Vetëm për Princeshat, Mbreti ishte gati të lehtësonte punën e çdo gazete që kërkonte intervistë prej tyre. Mbaj mend me sa mundim arrita të botoj në revistën “Every Body’s” një intervistë dhe disa fotografi të Mbretëreshës. Zonjusha Curry që e shkruajti ka patur durimin që duhej dhe artikulli doli pak a shumë siç e donim ne. Përveç zyrtarëve dhe personaliteteve që morën kontakt me Mbretin, shtypi anglez u interesua që nga fillimi për Shqipërinë dhe Mbretin e saj. Sapo arritëm në Londër u mblodhën në Ritz gazetarët dhe fotografët që të shikonin dhe të fjaloseshin me Mbretin dhe me Mbretëreshën. Mbreti fatkeqësisht ishte trembur prej gazetarëve. Mbreti nuk beson në fuqinë e shtypit dhe propagandën, ose edhe mund ta dijë, por e përçmon, por duke mos qenë i zoti që ta përballojë, preferon që ta evitojë. Kur Mbreti ka qenë i fuqishëm nuk lanë lavdërim pa i bërë, dhe u bë shumë herë qesharak me dallkaukllëkun (patakt-in) e tij. Kur Mbreti e humbi fuqinë, po ata gazetarë që e patën quajtur gjenial, dolën dhe folën kundër tij. Kështu ai formoi idenë se gazetarët duhet të hyjnë në punë vetëm kur je në gjendje t’i kontrollosh, ndryshe të shajnë dhe të poshtërojnë.

Përgatiti: Aida Tuci

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›