E Diel, 1 Nëntor 2026

Janullatos letër Berishës: "Ballkan Bazar" përdhos kishën ortodokse

TIRANE- Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë i ka dërguar Komitetit Shtetëror për Kultet një letër protestë mbi filmin "Balkan Bazar" të Edmond Budinës. Filmi doli në kinematë shqiptare në muajin prill.

Sipas Kishës, filmi është fyes dhe shpifës e nuk duhej lejuar të xhirohej brenda një kishe e as nuk duhej financuar nga fonde publike.

Prodhimi kinematografik, i xhiruar në Labovë të Kryqit në Gjirokastër, ka në qendër të tij skandalin e eshtrave në Kosinë të Përmetit, ku eshtra shqiptarësh u "kapën" të shiteshin për eshtra ushtarësh grekë të rënë në luftë.

Letra e shkruar nga kryesekretari Protopresviter, Joan Trebicka, me urdhër të Sinodit të Shenjtë, mban datën 26 maj 2011 dhe i është dërguar për dijeni dhe kryeministrit të shqipërisë. Z.Sali Berisha, Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ambasadorit të Republikës së Italisë si dhe Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

Në letër Kisha Autoqefale gjykon se “filmi është në mënyrë ekstreme sarkastik, e i shfaq priftërinjtë si përdhosës varresh, matrapazë eshtrash njerëzore dhe familjet e tyre si imorale”. Kisha ka tri kërkesa për komitetin e kulteve. Ajo kërkon që "t'ua bëjë të ditur protestën organeve shtetërore që mbështetën dhe financuan këtë film plot shpifje; të kujdeset për shmangien e shtrembërimeve të tilla në të ardhmen dhe të kujdeset për zbatimin e ligjit 10057/29.1.2009, për mbrojtjen e vendeve të shenjta të kultit dhe për kthimin e tyre te Kisha Othodhokse që i ka krijuar dhe së cilës i takojnë".

Letra është publikuar sot në "Gazeta Shqiptare". Në një reagim të parë vetë regjisori Edmond Budina, është shprehur se do ta lexonte me vëmendje letrën dhe më pas do të reagonte.

Me tu shfaqur në kinema, gjatë muajit prill 2011, filmi ngjalli reagime në Greqi. Mediat në Athinë e cilësuan si "një tjetër sfidë të turpshme kundër helenizmit dhe komunitetit ortodoks. Regjisori Budina deklaroi në atë kohë se faktet e filmit ishin reale, dhe eshtrat nuk ishin analizuar prej tij por prej specialistëve mjeko-ligjorë. Sipas tij, filmi "Ballkan Bazar" nuk ishte një sfidë kundër ortodoksisë, por ndaj abuzimit që bëhet nga njerëz të veçantë me të dhe sigurisht që është sfidë kundër gjithë nacionalizmave të vogla që përçajnë njerëzit!

(Letrën e plotë mund ta lexoni në Letra e plote

(s.g/BalkanWeb) Lidhje te tjera

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›