E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhemi Shehu: Për ca kg më shumë, s'heq dorë nga kënaqësia e ushqimit

Në çdo fjali të saj ka vërtetësi. Është rrëfimi i një bukurosheje dhe prezantueseje të suksesshme, të dashur nga audienca, që prej disa muajsh është bërë nënë. E çiltër për të thënë ndjesitë e mrekullueshme që i ka falur ardhja në jetë e Martinit X muaj më parë, edhe më tepër për të ndarë me lexuesit e faqeve VIP në gazetën “MAPO” edhe ato momente “lodhjeje”, kur nuk fle dot më shumë se 2-3 orë gjumë, apo kur dremit me dritën ndezur…megjithatë, për yllin e emisionit të së dielës “E diell” në Top Channel, Xhemi Shehu, kjo “është lodhja më e bukur që ekziston ndonjëherë”! Në këtë fillim sezoni të ri, Xhemi ka ndarë me ne disa nga emocionet e saj si nënë dhe energjinë në këtë rifillim në televizion, këtë herë si nënë e Martinit të vogël!

Xhemi, këtë sezon televiziv jeni kthyer me një status të ri, atë si nënë. Me çfarë energjish dhe ndjesish e keni nisur punën?

Momentalisht jam duke përjetuar dhe shijuar pafund ditët më të bukura të jetës sime. U bënë pak më shumë se 4 muaj që qëllimet e mia në jetë janë zhvendosur në një tjetër bosht, në një tjetër dimension krejt të panjohur më parë dhe kjo e gjitha falë Martinit. Mendoj se është pikërisht ajo ndjesia e jashtëzakonshme që ai më transmeton, e cila më jep dozën e duhur të energjisë së nevojshme në çdo hap të ndërmarrë! “E Diell”, e kam filluar me optimizëm e shpresoj të eci po me të njëjtin pozitivitet deri në fund.

Po vera e parë me Martinin si ka shkuar? Keni pushuar? Si është sjellë vogëlushi ndaj ujit? Për ju si nënë ka qenë impenjative, apo më shumë kënaqësi?

Termi “pushim”, as nuk mori jetë fare këtë sezon vere që sapo lamë pas (qesh)…Pushimi i vetëm për mua ishte dhe është ende kur arrij të bëj 2-3 orë gjumë pa ndërprerje (qesh). Nuk dua të tremb askënd që nuk është bërë nënë ende, pasi më besoni, që kjo është lodhja më e bukur që ekziston ndonjëherë!

Në ekran jeni shfaqur mjaft në formë. Keni mbajtur ndonjë dietë pas lindjes, apo nuk ka qenë e nevojshme?

Prej kohësh kam arritur në përfundimin që dietat nuk bëjnë për mua!!! Ato kërkojnë një lloj vullneti, që mua më mungon, e kjo ndodh ngaqë më duket tepër e vështirë të reduktoj sasitë apo të heq dorë nga ato kënaqësitë e ndaluara! Nuk mund të ndodhë kurrë që unë të ngrihem e pangopur nga tavolina. Momentalisht kam nevojë ende të rrëzoj disa kilogramë, por nuk po e sforcoj veten duke mos ngrënë në këtë periudhë që dremis me dritë ndezur (qesh).

Ajo çfarë njerëzit vlerësojnë më tepër tek ju Xhemi, është natyraliteti, ëmbëlsia që përcillni në ekran. Ju vetë, cilën mendoni se keni armën më të fortë?

Kam përshtypjen se publiku nuk dëshiron të shohë në ekran dikë që kërkon të të imponojë patjetër atë çfarë po thotë. Kjo është një nga gjërat që mundohem mos ta bëj kurrë të paktën! Unë përpiqem gjithmonë të shfaq sa më mirë konceptin e skenaristit, ama në mënyrën time të të folurit, pasi ndryshe do rezultoja false e aspak natyrale!

Xhemi, për të gjithë ata që aspirojnë të jenë prezantues, cili do të ishte inkurajimi që do t'u jepnit?

Nuk mendoj se jam ende në fazën që mund t’i jap këshilla dikujt, përderisa ndjej ende nevojën për të marrë disa të tilla për vete, por mendoj se çdokush që ka një ëndërr, pavarësisht nga lloji i saj, duhet ta ndjekë atë deri në fund e natyrisht që duhet edhe të besojë fort tek vetja!

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›