Grabitën vullnetarin e Korpusit të Paqes, ndalohen 4 të rinj
ELBASAN- Katër “kaçakë” të moshës nga 17-18 vjeç, nga Belshi, grabisin vullnetarin e Korpusit të Paqes nga Amerika. Policia e Elbasanit, nën një operacion të koduar “Maj 2011”, ka shpënë në pranga Endri Hysën, 18 vjeç, banues në Belësh–Elbasan; Agron Uruçin, 18 vjeç, banues në fshatin Gradisht Belësh–Elbasan; E. A., 17 vjeç, banues në fshatin Gradisht-Belësh Elbasan; dhe Ardjan Arben Tafani, 18 vjeç, banues në fshatin Gradisht Belësh–Elbasan, pasi në bashkëpunim mes tyre i kanë vjedhur shtetasit amerikan John Wikkiam Sassman, 31 vjeç, 4 telefona celularë tip Nokia, 4 aparate fotografike Canon, sende personale dhe një sasi të hollash. Ngjarja ndodhi më 15 maj në afërsi të fshatit Gradishtë të Belshit. Vullnetari i Korpusit të Paqes kishte ngritur një çadër dhe po fotografonte bukuritë e natyrës së Dumresë. Por katër të rinjtë e kanë survejuar dhe në çastin kur ai ka qenë i pavëmendshëm kanë hyrë në çadër dhe i kanë vjedhur sendet personale. Amerikani 31-vjeçar ka njoftuar qendrën e tij dhe policinë e Elbasanit, e cila është vënë në ndjekje të autorëve. Pas katër ditë hetimesh në të gjithë zonën, është arritur të identifikohen dhe kapen autorët e kësaj ngjarje. Ndaj tyre është ngritur akuza e vjedhjes së kryer në bashkëpunim. Vullnetarët e Korpusit të Paqes vijnë për çdo vit në vendin tonë dhe kryejnë betimin në qytetin e Elbasanit. Më pas ata shpërndahen në tërë vendin, ku ndihmojnë komunitetin në fusha të ndryshme, si në shëndetësi, arsim, mësimin e gjuhës angleze, në projekte etj. F.S.