E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhevahir Spahiu feston 65 vjetorin ne Ministrine e Kultures

TIRANE-është festuar dje paradite në ambientet e Akademisë së Shkencave përvjetori i 65-të i poetit Xhevahir Spahiu. Morën pjesë studiues të letrave shqipe, akademikë dhe dashamirës të poetit, të cilët folën për kontributin e Spahiut në letrat shqipe. Aktiviteti në nder të poetit u organizua nga Akademia e Shkencave dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ndërsa aktorët Bujar Asqeriu dhe Sokol Angjeli recituan poezi të poetit. është hera e parë që Spahiu merr pjesë në një festë të madhe që organizohet për nder të tij, kur nuk ka kaluar një vit nga gjendja e vështirë shëndetësore që provoi në mars 2009. Ai pësoi ishemi cerebrale dhe falë mbështetjes së autoriteteve shtetërore, u bë e mundur mjekimi i Spahiut në Turqi. Xhevahir Spahiu lindi në Malind të Skraparit, në 1 mars 1945. Mësimet e para i mori në Vlorë, ndërsa studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji, dega e Gjuhë-Letërsisë shqipe. Prej vitit 1968 punoi si gazetar në gazetën "Zëri i Popullit", më pas në revistën "Nëntori", mësues letërsie e libretist në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Ka qenë sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ndërsa prej shkurtit të vitit 1998 -2000, Kryetar i Lidhjes. Ndër veprat e tij të botuara përmenden: "Mëngjes sirenash" (1970); "Vdekje perëndive" (1977); "Agime shqiptare" (1981); "Nesër jam aty" (1987), i vlerësuar me çmimin "Migjeni"; "Heshtje s'ka" (1989), fitues i çmimit të parë në konkursin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut; "Ferreparajsa" (1996) etj.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›