Politika agresive e qeverisë “Berisha” ka detyruar trafikantët t’i zhvendosin rrjetet e trafiqeve, jashtë Shqipërisë
Në raportin zyrtar të Departamentit amerikan të Shtetit, qeveria “Berisha” vlerësohet se ka mundësuar bllokimin e rrugëve tokësore të narkotikëve, duke e nxjerrë Shqipërinë nga harta rajonale e celulave të trafikut të drogës
Shqipërisë, u është kundërvënë me agresivitet elementëve kriminale, të trafiqeve të lëndëve narkotike, vlerëson Departamenti amerikan i Shtetit, i cili dje nxori raportin vjetor për strategjinë ndërkombëtare kundër drogave.
Në vitin 2009, në Shqipëri u shtua sasia e heroinës së kapur, ndërsa ka rënë sasia e marihuanës së kapur, thuhet më tej në të njëjtin raport.
Ndërsa historikisht shumica e drogave kalonin përmes Detit Adriatik, politikat më agresive të qeverisë shqiptare, si dhe patrullimi më i mirë i bregdetit, kanë bërë që trafikantët t’i zhvendosin rrugë-kalimet drejt kufijve tokësore me Kosovën dhe Malin e Zi, duke përdorur Serbinë dhe Bosnjen si pika transiti. Moratoriumi i qeverisë shqiptare ndaj anijeve të shpejta ka bërë që të ngadalësohet lëvizja e drogave dhe trafiku i njerëzve drejt Italisë, citon më tej raporti i Departamentit amëerikan të Shtetit.
Nga ana tjetër, i njëjti raport vëren se, dalja në Adriatik, si dhe kufijtë tokësorë jo të ruajtur mirë, e bëjnë këtë vend një ndalesë tërheqëse për trafikantët që fusin droga në Evropën Perëndimore, pjesërisht edhe si rezultat i mungesës së fondeve për të financuar përpjekjet antidrogë dhe korrupsionit të përhapur mes zyrtarëve të rendit.
Në janar të vitit 2009, firma Lokheed Martin përfundoi instalimin e një sistemi radarësh për mbikëqyrjen e detit, gjë që u jep autoriteteve shqiptare të dhëna në kohë reale se çfarë mjetesh lundruese ndodhen në ujërat detare të vendit.
Policia shqiptare, thuhet më tej në raportin e Departamentit të Shtetit, vazhdon të kapë sasi më të mëdha heroine nga viti në vit. Sipas të dhënave nga Italia, sasia e drogës afgane e kapur në Itali, që ka shkuar aty drejtpërdrejtë nga Shqipëria, mbetet në kuota të ulëta.
Raporti i Departamenti amerikan të Shtetit bën të ditur më tej se, megjithëse rastet e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion janë shtuar, Shqipëria vazhdon të vuajë për shkak të mungesës së pavarësisë e gjyqësorit, nga mungesa e transparencës së procedurave ligjore dhe shumë raste nuk zgjidhen kurrë.
Ministria e Shëndetësisë, thuhet në raport, njofton se përdorimi i drogave në vend ka ardhur në rritje. Sipas ministrisë, në Shqipëri ka rreth 30 mijë përdorues drogash. Qeveria e Shqipërisë, shkruan raporti i Departamentit të Shtetit, ka marrë masa kundër përdorimit të drogës, por përsëri përpjekjet e saj pengohen nga infrastruktura e pamjaftueshme shëndetësore për t’u marrë me trajtimin e përdoruesve të drogave.