E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhevahir Sukaj dhe Admir Teli braktisin ekipin e Haxhetepes

Pas një gjysmë sezoni te turqit e Haxhetepes, sulmuesi Xhevahir Sukaj ka vendosur që të prishë kontratën me këtë klub. Ky është edhe qëllimi i vetëm i udhëtimit të tij drejt Ankarasë menjëherë pas pushimeve të fundvitit në vendlindje. "Do të mbyll gjithçka me këtë ekip. Kam folur me drejtuesit e klubit dhe ata më kanë thënë që do të ma japin kartonin, por për këtë duhet që të paguhet një shumë, e cila do të fiksohet nga vetë ata", u shpreh vetë Sukaj në një prononcim për "Albaniasoccer.com". Ndërkohë që nuk mungojnë ofertat për të ardhmen e tij, mes të cilave ka pasur edhe disa marramendëse në aspektin ekonomik. "Nga Arabia Saudite dhe Koreja e Jugut më kanë ardhur dy oferta shumë tërheqëse nga ana financiare, por unë dua të qëndroj në Evropë, ku luhet futbolli më i mirë në botë. Edhe pse ofertat nga këto dy vende ishin me të vërtetë shumë të mira, besoj se do t‘i refuzoj". Në mendjen e tij janë vetëm ofertat që ka marrë nga ekipe evropiane, për të cilat nuk preferon të thotë emra, por pranon se është në tratativa. "Nuk është momenti i duhur që të them emra ekipesh për vetë faktin se bisedimet sapo kanë filluar. E vetmja që mund të them është se kam oferta nga Rumania dhe nga një ekip i Superligës turke. Ofertat e tjera preferoj mos t‘i përmend për momentin", sqaron Sukaj. Por nuk përjashtohet mundësia e rikthimit të tij te Vllaznia apo te ndonjë ekip tjetër shqiptar, edhe pse ai e konsideron si zgjedhjen e fundit. "Edhe kampionati shqiptar është një opsion për vazhdimin e karrierës time. Dy ekipe të Superligës më kanë bërë ofertë, por për momentin, zgjedhja ime e parë do të jetë një skuadër jashtë Shqipërisë. Kryesorja është se kam në dispozicion kohën e mjaftueshme për të shqyrtuar ofertën më të mirë". I pakënaqur te Haxhetepe është edhe shkodrani tjetër, Admir Teli. Sikurse ka bërë të ditur vetë futbollisti në fjalë, e ardhmja e tij është dhënia në një tjetër ekip në formë huazimi. "Kam pasur disa probleme me këtë ekip dhe jemi duke biseduar për largimin tim në formë huazimi në merkaton e dimrit", rrëfen Teli. Ndërkohë që destinacioni më i mundshëm i tij, përveç rikthimit te Vllaznia, mund të jetë një skuadër në Qipro ose në Turqi. Megjithatë, për të mësuar të vërtetën do të duhet të presim edhe disa ditë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›