Lika: Sherri? Nuk bëmë ndonjë turp
Grushte dhe sherr masiv në fund të 90-minutëshit. Përfundimi i derbit Partizani-Dinamo, i vlefshëm për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, ka lënë një shije të hidhur te të gjithë, edhe sepse një sfidë e tillë nuk duhej të mbyllej në atë mënyrë. Megjithatë, sipas trajnerit të "të kuqve", Hasan Lika, ajo që ka ndodhur nuk mund të etiketohej si e turpshme. Ai tha: "Jam i habitur me faktin që mediat e kishin cilësuar si turp atë që ndodhi. Megjithatë, ne nuk bëmë ndonjë turp". Më tej, drejtuesi i stolit të Partizanit vazhdoi: "Veprim i turpshëm është kur vjedh, ose kur bën ndonjë padrejtësi. Ai ishte thjesht tensioni i një ndeshje futbolli shumë të ndjerë, i një derbi". Sherri ka nxitur edhe polemikën ndërmjet mesfushorit Bledar Devolli dhe e trajnerit dinamovit, Ilir Daja. Të dy njihen që prej periudhës së Elbasanit kampionë, por marrëdhëniet nuk i kanë nga më të mirat. Pas ndeshjes tekniku i "bluve" kishte deklaruar se do të bënte padi penale për lojtarin, ndërsa dje ai ka akuzuar presidentin Xhani si personin që ka tensionuar situatën. Disi më i diskutueshëm reagimi i Devollit, që fillimisht ka pranuar gabimin duke thënë "jam më i qetë pas asaj që ndodhi. I kërkoj falje Dajës dhe mendoj se do të ulemi të pimë një kafe", ndërsa pasi ka mësuar për padinë penale është përgjigjur "nëse merremi me gjëra të tilla, edhe unë do të bëj padi, se ai më ka ofenduar".