E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhina Lolobrixhida: Jam një divë e ‘çmuar‘

Nuk është shfaqur kurrë në publik pa bizhuteri, të cilat ndonjëherë kanë qenë edhe të rreme ("mjafton të më shkëlqejnë"), ose të marra hua. Nuk ka jetuar kurrë pa to, madje edhe sot, kur del për të bërë pazar në orën 11:00 të mesditës, vendos në qafë gjerdanin: "Gjithçka e bëj për t‘i bërë qejfin vetes, por edhe për respekt të publikut", thotë ajo. Kur bëhet fjalë për bizhuteritë, Xhina Lolobrixhida qëndron paksa e tërhequr ("këto të sotmet..."). Së bashku me aktoren Liz Tejlor, janë përzgjedhur nga marka e njohur "Bulgari" për të qenë imazhet e saj në një ekspozitë (1884-2009) ku do të pasqyrohet e gjithë puna e markës. Gjerdanët e mrekullueshëm që Xhina mbante në shumë filma dhe në jetë, si dhe gjatë rasteve mondane ku një divë nuk mund të dilte pa gurë smeraldi, ishin të "Bulgari"-t. Ajo i vinte (dhe ende i vë) me shumë dëshirë, ashtu siç veshin të rinjtë xhinset. "Nuk arrij ta kuptoj këtë modën e të veshurit me lecka, të paktën për ne aktorët e një brezi tjetër. Njerëzit, ashtu si dikur, vazhdojnë të na shohin si diva".

Ju jeni bërë aktore krejt rastësisht, por ende vazhdoni të jeni protagoniste...

Po, është e vërtetë. U bëra Lolobrixhida pa dashur, nga dëshira që të ndihmoja familjen dhe të paguaja studimet në Akademinë e Arteve në Romë. Megjithatë, edhe sot, kudo që të jem, të gjitha shikimet fiksohen tek unë.

Ju keni lindur në një familje të thjeshtë. E mbani mend gjerdanin tuaj të parë?

Sigurisht: ishte një gjerdan i "Bulgari"-t, me gurë të çmuar, shumë i shtrenjtë. E bleva duke menduar që ndjenja e fajit do të ma prishte këtë ëndërr. Por fjeta shumë e qetë, ndryshe nga atëherë kur me 40 mijë liretat e para që kisha fituar, bleva një pallto dhe një çadër. Mbaj mend që atë natë nuk vura gjumë në sy.

Duhet t‘ju ketë pëlqyer shumë ai gjerdan...

Jashtëzakonisht. Më pëlqente shumë edhe argjendari Xhani Bulgari, edhe pse kisha lidhje vetëm me të atin. Me kalimin e viteve u bëmë shumë miq.

Cila është bizhuteria më e bukur që ju kanë dhuruar?

Asnjëra. Që kur kam filluar të punoj dhe fitoja pak para, i kam blerë të gjitha vetë: shtëpitë, rrobat, bizhuteritë.

E bukur, e famshme, e adhuruar nga meshkujt e të gjithë botës, por prej shumë vitesh jeni vetëm...

Për mua, dashuritë kanë qenë të njëllojta: jepja 100 dhe merrja 10, 20..., pra shumë pak. Asnjë mashkull nuk më ka dashur seriozisht. Dihet se në jetë nuk mund të kesh gjithçka. Ndoshta mund t‘ju duket e çuditshme, por ndihem shumë mirë vetëm.

Po Hauard Hiuxhis, miliarderi amerikan që ju erdhi pas për 13 vjet? Apo ministri sirian, Mustafà Tlas, i cili ishte i çmendur pas jush?

Hiuxhis do të më kishte dhënë gjithçka: zgjidh atë që do, edhe "Koh-i-noor" (diamanti i famshëm indian, që sot gjendet në kurorën e mbretëreshës së Anglisë), më thoshte. Ishte gati të martohej me mua, nëse unë do të kisha dashur. Në të vërtetë më ngacmonte pasuria e tij e madhe. Prej tij kam pranuar vetëm një freskore letre. Ndërsa për sa i përket Tlasit, më ka "larë" me dhurata dhe poezi të shkruara prej tij, por fatkeqësisht nuk ishte shpirti im binjak.

Po Javier Rigau, dashuria e fundit që ju dhuroi një gur smeraldi 36 karat?

Do të ishte më mirë të mos e përmendnim fare.

Çfarë ua ka mbushur boshllëkun gjatë gjithë këtyre viteve?

Puna, e dashuroj vërtet. E kam dashur edhe kinemanë, sepse ishte puna ime. Por edhe fotografia, e cila pas pak kohësh do më të dedikojë një ekspozitë. Megjithatë, dashuria ime e parë është skulptura. E kam zbuluar shumë vite më parë, në Pietrasanta, ku punoj aktualisht. Më ka ndodhur që të qëndroj net të tëra zgjuar duke punuar, pa pagesë, dhe nuk kam ndjerë kurrë lodhje. Ju do të pyesni se si është e mundur? Sepse shoh gjithmonë fundin.

Keni nostalgji për kinemanë?

Sot asnjë, madje as për botën e saj. Këtë e kam deklaruar edhe më parë. Preferoj udhëtimet, takimet, mermerët, pallonjtë, lejlekët... Shpesh ha me ta: një fije makaronë unë, një ata. Më pëlqen jeta dhe vetja gjithashtu. Nuk më shqetëson plakja. Edhe pse vitet kalojnë, jam e mbushur me entuziazëm.

Më 4 korrik keni 82-vjetorin e lindjes. Me kë do ta festoni?

Nuk e di. Nuk e di se ku do të jem, me kë do të jem dhe se çfarë do të bëj. Me siguri atë ditë do mendoj se kam pasur një jetë shumë të bukur, që do të vazhdoj ta kem të tillë edhe për pak kohë. Unë nuk arrij kurrë të mendoj se kam dalë në pension.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›