Xhinsat e përshtatshme për stinën e verës
Vetëm fundet mund të jenë seksi? Ekspertët e modës kanë provuar se është e kundërta. Xhinsat zgjasin imazhin e këmbës duke bërë çdo femër të ndihet seksi. Materiale të buta dhe shumë fantazi për më shumë sensualitet. Nuk është e domosdoshme të vihet në pah gjithçka për sytë e meshkujve. Shpesh herë një palë xhinsa janë më joshëse se një minifund edhe kur bëhet fjalë për stinën e nxehtë të verës. Komode, trendi dhe perfekte, për çdo ditë me diell mjafton të zgjidhni të përshtatshmet. Nuk përjashtohet mundësia e veshjes së tyre edhe në mbrëmjet më të freskëta, të kombinuara me një bust seksi dhe taka të larta. Ja cilat janë ngjyrat dhe modelet e xhinsave për këtë verë, sepse një palë xhinsa nuk duhet të mungojnë kurrë në valixhen tuaj të udhëtimit.
Xhinsat janë një veshje e pashmangshme dhe e pazëvendësueshme e çdo femre, një nevojë për çdo stinë të vitit. Ato preferohen kryesisht për fundjavat në det dhe kjo është mënyra perfekte për të qenë gjithmonë komode me veshjen dhe personat që ju shoqërojnë. Xhinsat nuk rrudhosen, nuk pësojnë difekte si veshjet e tjera dhe sapo nxirren nga çanta janë gati për t’u veshur. Ditën me një bluze pambuku, mbremjeve me një bust elegant dhe një palë sandale të shndritshme, do të dukeni seksi në maksimum. E mbi të gjitha, duke pasur parasysh vërën dhe pushimet, xhinsat janë shoqëruesi juaj i një udhëtimi perfekt, e vetmja veshje që në valixhen tuaj nuk duhet të mungojë kurrë.
Kujdesi për përzgjedhjen
Duhet të bëni kujdes sepse xhinsat nuk janë të përjetëshme: moda ndryshon çdo vit, ndryshojnë edhe prerjet. Jeta ka uljet dhe ngritjet e saj, pesha e trupit ndryshon dhe për këtë arsye ju nuk mund të vishni xhinsat e stinës së kaluar. Dihet që në dollapin tuaj prej një kohe të gjatë koleksiononi xhinsa, por jo gjithmonë keni pasur mundësi t’i vishni. Një palë janë tepër të zbardhura, të tjerat të ngushta. Ka ardhur koha të zgjidhni një palë të reja, por vetëm duke marrë parasysh se çfarë sugjerojnë stilistët më të njohur.
Markat më të njohura të xhinsave
Armani, Conte of Florence, Esprit, H & M, Cavalli, Liu-Jo, Max & Co, Miss Sixty, K Karl Lagerfeld, Replay, Penny Black, Notify, La Redoute, Jaggy dhe shumë marka të tjera të mbledhura me kujdes për një udhëtim fotografik që do t’u vijë në ndihmë në zgjedhjen e xhinsave më të reja.
Armani, për të qenë gjithmonë elegante
Rëndësi të veçantë i është kushtuar kësaj stine të bukur nga linja “Armani”, ku spikat xhinsi i çelët, ngjyrat e errëta por edhe ngjyra e bardhë për më shumë finesë. Të preferuara për kolesionin Verë 2009 janë kryesisht modelet e gjera në fund, hapja e natyrshme e tyre në pjesën e gjurit, si dhe zbukurimet e shumëllojshme. Por jo vetëm kaq. Stilisti i njohur ka menduar edhe për kombinimin e tyre. Bluzat e pambukta me ngjyra të ëmbla, këmisha të holla me qëndisma dhe për të përfunduar sandale komode për për orët e paradites dhe sandale seksi për mbrëmjet e zhurmshme nën shoqërinë e miqve. Një mundësi e mirë kombinimi janë edhe këpucët e sheshta kryesisht të bardha ose ngjyrë ari.
Just Cavalli me dizenjo dhe printime kafshësh
Surpriza më e bukur për këtë stinë vjen nga “Just Cavalli”. Koleksioni më i fundit i prezantuar para pak kohësh, përcolli një imazh krejt të veçantë krahasuar me markat e tjera të xhinsave. Modelet sfiluan me xhinsa moderne, ku spikasnin printimet e kafshëve, me ngjyra të ndërthurura bukur dhe materiale të holla. Në xhinsat “Just Cavalli” bie në sy ngjyra pana dhe kafe, por edhe modelet njëngjyrëshe ku dominon e bardha. Për të gjitha femrat që nuk mund të kenë një palë të tilla, mjafton të imitojnë modelet që këshillojnë ekspertët.
Ngjyrat dhe prerjet
Kjo verë rezervon modele të mrekullueshme, të cilat zëvendësojnë pantallonat e holla për një efekt super seksi. Ndryshe nga vitet e tjera, për këtë verë preferohen xhinsat e ngushta, me materiale të buta dhe ngjyra të çelura. Megjithatë nga kjo modë e verës nuk përjashtohen edhe xhinsat me ngjyra më të errëta, por ndryshimin nga modelet dimërore e bëjnë materialet e freskëta. Më të guximshmet mund të provojnë xhinsat e shkurtra dhe treçerekshe poshtë gjurit, kryesisht paraditeve me diell. Edhe në këtë rast nuk mungojnë detajet luksoze si në pjesën e pasme të xhepave ashtu edhe para. Qepjet dhe modelet bëjnë diferencën këtë vit.
Detajet që bëjnë ndryshimin, temina dhe gurë
Një tjetër veçori i xhinsave verore janë edhe detajet e veçanta. Në kolesksionet më të fundit vihet re përdorimi i teminave shumëngjyrëshe, ku spikat më tepër e kaltra dhe jeshilja, si dhe gurët vezullues me përmasave të ndryshme. Secila krijon garderobën personale në bazë të shijes dhe preferencës personale. E rëndësishme është që mundësitë për të zgjedhur xhinsat perfekte janë të pafundme.
25 Korrik 2009