E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen pronat e Lul Berishës

 

Armand Bajrami

Gjykata për Krimet e Rënda vendosi konfiskimin e mijëra metër katrorë truall në pronësi të Lulzim Berishës, sipërfaqe toke në qytetin e Durrësit. Vendimi që i “rrëmbeu” 19 mijë metër katrorë sipërfaqe në pronësi të tij, të akuzuarit nga Prokuroria si kreu i “bandës së Durrësit”, u shpall dje në seancën gjyqësore te Krimet e Rënda. Bëhet fjalë për prona të paluajtshme të blera nga vetë i pandehuri Lulzim Berisha, apo familjarë të tij në periudhën 2003-2005. Në vendimin e saj gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për konfiskim, vetëm për pronat që figuronin në emrin e të pandehurit të procesit të “bandës së Durrësit”, ndërsa refuzoi konfiskimin e pronave që figuronin në emër të familjarëve të Berishës. Sipas Prokurorisë, këto prona ishin siguruar me anë të parave të fituara nga veprimtaria kriminale dhe e jashtëligjshme e të pandehurit Berisha.
VENDIMI
Verdikti i djeshëm i togave të zeza të Gjykatës për Krimet e Rënda ktheu në pronë të shtetit rreth 19 mijë metër katrorë sipërfaqe truall në qytetin e Durrësit dhe në rrethinat e tij. Kryesuesi i seancës, gjyqtari Dritan Hallunaj, lexoi  dispozitivin e vendimit që konfiskoi sipërfaqet, që referuar çmimit aktual të tregut arrinin në shuma të majme parash. Sipërfaqet për të cilat u vendos konfiskimi janë 5, të cilat variojnë nga 1 mijë e 500 deri në 9 mijë metër katrorë. Ndërsa kanë “shpëtuar” pa u konfiskuar rreth 33 apartamente, 23 garazhe, 1 dyqan dhe disa sipërfaqe truall. Këto pasuri rezultonin në pronësi të familjarëve të Berishës dhe gjykata vlerësoi se për to nuk provohej të ishin siguruar nga veprimtari të jashtëligjshme. Veç të pandehurit Berisha, në këtë proces ishin të pranishëm, si palë e tretë, edhe dy prej familjarëve të tij dhe një ndërtues që kishte ngritur një objekt mbi një prej sipërfaqeve në pronësi të familjes Berisha. Pas shqyrtimit të provave të sjella nga palët në gjykim, gjykata duhet të pranonte kërkesën e prokurorisë për të konfiskuar vetëm pronat që figuronin në pronësinë e të akuzuarit si kreu i “bandës së Durrësit”. Në një nga seancat e mëparshme, gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare të organit të akuzës, prokuroria pretendoi se pronat e patundshme të kërkuara për konfiskim ishin blerë me para të siguruara nga veprimtari të jashtëligjshme. “Gjatë shqyrtimit gjyqësor, nga ana e të pandehurit, personave të tretë dhe mbrojtësve të tyre nuk u paraqit ndonjë provë që të justifikonte ligjshmërinë e këtyre pronave”, thuhej në pretencën e prokurorisë. 
KONFISKIMI
Dje gjykata vendosi konfiskimin e pasurisë së quajtur “arë” me sipërfaqe prej 6 mijë metër katrorë e ndodhur në N.B. Frutore, Durrës. Mësohet se kjo sipërfaqe është blerë nga i pandehuri Berisha në 8 janar të vitit 2005. Tjetër pronë e konfiskuar ishte sipërfaqja prej 9 mijë metër katrorë “arë” në N.B. Frutore, Durrës, e cila ishte blerë nga Berisha në 27 dhjetor të vitit 2003. Referuar të njëjtit vendim, për “llogari” të shtetit kaloi dhe prona e blerë në 26 dhjetor 2003, me sipërfaqe prej 4 mijë metër katrorë.

Pronat e konfiskuara nga Gjykata

6 mijë metër katrorë “arë” në N.B. Durrës

9 mijë metër katrorë “arë” në N.B. Durrës

4 mijë metër katrorë “arë” në N.B. Durrës

Aksionet
Deputeti i PS në pronat e bandës

Palë e tretë në procesin e konfiskimit të pasurive në pronësi të Lul Berishës dhe familjarëve të tij ka qenë ishte edhe Hazir Gashi, person i cili fitoi mandatin e deputetit për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit në Durrës. Gashi, biznesmen i ndërtimit, është duke ndërtuar një pallat në një nga trojet në pronësi të familjarëve të të pandehurit Berisha. Deputeti i PS-së kishte nënshkruar një kontratë nën cilësinë e drejtuesit ligjor të një firme ndërtimi me shtetasin L. Berisha në vitin 2006. Sipas kontratës, pas ndërtimit të pallatit pronarët e truallit do të përftonin 25 për qind të vlerës së tij. 

Familjarët bashkëpronësi me Berishën

Kontrata ligjore me drejtuesin e firmës së ndërtimit, aktualisht deputetit të zgjedhur në 28 qershor për PS-në, Hazir Gashi, i jepte një prej familjarëve të të pandehurit Berisha 25 për qind të pronësisë. E konvertuar në banesa ajo shkonte në një shifër prej 33 apartamentesh banimi, 23 garazhe dhe një dyqan. Për pasuritë e mësipërme gjykata refuzoi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për t’i konfiskuar. Gjykata la jashtë vendimit të konfiskimit pronat në të cilat Lul Berisha është bashkaksioner me persona të tjerë të familjes së tij apo të tjerë. Sipas gjykatës, bllokimi i pjesshëm i këtyre pasurive është i pamundur, ndërsa bashkaksionerët nuk janë subjekt i procedimit për bllokimin e pasurisë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›