Kristaq Skrami, aktori i 70 roleve, afer dhe larg skenes
Petrika GROSI
Suplementi “Albania Vveekend” ka si personazh të kësaj jave aktorin e skenës dhe ekranit shqiptar, aktualisht edhe drejtor i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skramin. Pas studimeve në Akademnë e Arteve të Bukura të Tiranës, që në vitin 1982, ai do të emërohej drejtor i teatrit “Petro Marko” në Vlorë, ku njëherësh është angazhuar edhe me role të ndryshme në skenë. Skrami mbahet mend nga publiku për interpretimet e tij te filmat artistikë “Jeta në duart e tjetrit”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “Bota e padukshme”, “Gracka”, “Në prag të lirisë”, “Një jetë më shumë” etj. Aktori vlonjat numëron rreth 65 role në teatër dhe 13 role në ekranin e madh. Nuk është se Skrami ka shumë qejf që të flasë për të shkuarën pasi mendon se ka mjaft për të dhënë në të tashmen dhe në të ardhmen. Filmin e tij të jetës, Skrami ende nuk e ka bërë, por ndoshta së shpejti, do t’i jepet kjo mundësi me anë të një produksi grek, siç tregon vet ai. Megjithatë, Skrami pohon se e ka marrë malli për skenën teatrore dhe se është i gatshëm që t’i rikthehet asaj nëse regjisorët do ta shikonin si të përshtatshëm për ndonjë rol interesant. “Nuk ka rëndësi nëse roli është dytësor apo protagonist, mjafton që të japësh diçka të re dhe të krijosh impakt te publiku” – thotë ai.
Sapo e mbyllët sezonin artistik të Teatrit Kombëtar. Si do ta cilësonte drejtori Kristaq Skrami?
Një sezon i suksesshëm, duke pasur parasysh premierat që janë vënë në skenë, numrin e tyre dhe spektatorin në sallën e Teatrit Kombëtar. Dramaturgjia që përzgjidhet dhe ajo që ngacmon spektatorin janë pikësynimet tona. Nëse do të bëjmë një rezyme të shkurtër, do të thosha se duke filluar që nga një prej dramaturgëve më të mirë që sot është gjallë, Tom Mërfi me “Fishkëllimë në errësirë”, te “Filumena Marturano”, “Të gjthë janë me huqe”, apo dhe një nga bashkëpunimet me regjisorin austriak të njërës prej veprave të autorit të njohur të teatrit gjermanfolës, Tomas Bernard, e së fundi, nga dramaturgjia kombëtare një pjesë të shkruar dhe vënë në skenë nga Mihal Luarasi, mendoj se kanë përvijuar dhe kanë mbyllur një kornizë shumë të mirë të kombinimit mes dramaturgjisë së njohur botërore dhe asaj kombëtare. Tashmë ka filluar të mendohet për premierën e re që është ndër kryeveprat e dramaturgjisë botërore e në veçanti asaj amerikane, “Kush ka frikë nga Virxhinia Ulf”, një bashkëpunim shumë i rëndësishëm me një regjisor të ri por të spikatur, artist shqiptar nga Maqedonia dhe me një skenografe të njohur kroate, e cila ka ardhur bashkë me regjisorin për të nisur punën. Realizimi i shfaqjes fillon nga fundi i gushtit për të dalë në skenë nga mesi i tetorit.
E pra, nuk kanë munguar siç kemi parë bashkëpunimet me skenografët dhe regjisorët e teatrove të ndryshme të Ballkanit dhe Europës. ǒmund të themi për këtë filozofi tuajën dhe si paguhen këta të huaj?
Është mirë që në çdo sezon artistik të TK-së, të jetë edhe një regjisor i huaj i pranishëm, i cili sjell një frymë të re. Në këtë mënyrë, teatri shqiptar përfaqësohet me dinjitet edhe në kompeticionet e ndryshme ndërkombëtare. Shkëmbimet me regjisorët e huaj dhe krijuesit e tjerë do të jenë ndër prioritetet e Teatrit Kombëtar, sigurisht, duke vlerësuar dhe duke mos anashkaluar për asnjë moment kontributin e vyer që japin regjisorët dhe krijuesit shqiptarë.
A nuk do të ishte mirë që gjithë fondet të cilat ikin dëm për të mbështetur festivale jo serioze teatri, t’i kalonin Teatrit Kombëtar?
Festivalet e teatrit nuk është se e cënojnë buxhetin tonë. Gjykoj se me fondin që ka Ministria e Kulturës për projektet, është më mirë të mbështeten projekte të veçanta teatrore sesa këto aktivitete që herë bëhen e herë nuk bëhen, me spektator të paktë dhe me vlera të dyshimta. Për aktivietin kaq të rëndësishëm dhe kaq të madh që ka TK, buxheti aktual nuk mjafton. Shumë herë jemi detyruar që një pjesë të buxhetit për shfaqjet artistike ta kërkojmë te sponsora të ndryshëm. Sa u takon të huajve që vijnë këtu, është gjetur një mënyrë e tillë që të paguhen nga ambasadat ose nga pala që i sjell, pra, institucioni që na ka nën varësi. Kështu është vepruar me regjisorin francez Erik Vinje, me regjisorin grek dhe me atë austriak. Është një zgjedhje që të mos rëndohet buxheti i TK.
Sa aktorë ka organika e Teatrit Kombëtar?
Janë 33 aktorë.
Një pjesë e mirë e aktorëve të TK prej vitesh nuk ngjiten në skenë, ose e bëjnë këtë shumë rallë. Përse nuk përjashtohen këta aktorë parazitë por vazhdojnë të marrin rrogë njësoj si të tjerët që punojnë?
Ky problem nuk mund të zgjidhet thjesht me iniciativën e drejtorit të Teatrit. Vetëm një ligj sa më fleksibël dhe më afër realitetit do ta zgjidhte.
Janë pak apo shumë 33 aktorë për një teatër, duke u krahasuar edhe me institucionet homologe?
Nuk janë pak, por nuk janë as shumë. Mendoj se është një numër i mjaftueshëm dhe i nevojshëm për Teatrin Kombëtar, pasi një shfaqje ka përveç roleve protagoniste edhe role të dyta e të treta.
Shpesh flitet për një krizë të teatrit shqiptar. Po ju, ç’mendim keni?
Duke pasur parasysh teatrin shqiptar, duhet thënë se sistemi teatror i një vendi nuk përfaqësohet vetëm nga Teatri Kombëtar dhe nga trupat e tjera që veprojnë në terrenin e një metropoli. Me keqardhje konstatoj se sistemi teatror jashtë Tiranës është në gjendje apatike dhe asfiksie. Kjo për disa arsye. E para, shumë trupa janë mpakur dhe kanë pasur largim në masë të aktorëve kryesorë të tyre. Së dyti, të drejtën ekskluzive për të menaxhuar këto teatro ligji ja jep bashkive të qyteteve, pa pasur asnjë lidhje me pushtetin qëndror që është Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve. E kam thënë disa herë se teatrot në rrethe duhet që të jenë dyfish të varura, nga pushteti lokal dhe nga ai qendror. Këto teatro, më së shumti venë një ose dy premiera në sezon. Por mbijetesa nuk duhet të jetë qëllimi kryesor. Spektatori, nëse largohet një herë është vështirë të rikthehet. Që kjo situatë të rregullohet duhet të funksionojë sa më parë ligji i teatrit. Sipas këtij ligji, pritet të krijohet Qendra Kombëtare e Artit skenik. Me fondin e përgjithshëm të kësaj qendre do të mbështeten projektet më të mira nga rrethet, me përjashtim të Teatrit Kombëtar që është një institucion me buxhet më vete. Sa na takon neve, duke pasur parasysh përvojën e disa teatrove të tjerë në Europë, mbas aderimit në Unionit Europian të Teatrove jemi duke hartuar një draft, sipas të cilit Teatri Kombëtar do të fitojë një status të veçantë.
Çfarë fytyre duhet të ketë Teatri Kombëtar i Shqipërisë sa i takon karakterit dhe natyrës së pjesëve që ngjiten në skenë?
Në çdo vend të Europës nuk ka vetëm një teatër në kryeqytet siç ndodh te ne. Brenda një sezoni, duke qenë se jemi institucioni i vetëm, të gjitha shigjetat drejtohen ndaj nesh, gjë që nuk do të ndodhte nëse do të kishim disa trupa të tjera në kryeqytet. Sa i takon repertorit, meqënëse TK është një institucion artistik që mbahet me paret e taksapaguesit shqiptar, jemi të detyruar që të realizojmë shfaqje për të gjitha shijet, pra, të llojeve të ndryshme, ndonjëherë edhe të tilla që nuk meritojnë të realizohen në këtë teatër. Në këtë drejtim, i mëshoj idesë për ta rikthyer teatrin e të rinjve. Vetëm nëpërmjet festivalit teatror të të rinjve përvit evidentohen rreth 25-30 artistë të rinj, regjisorë, aktorë, skenografë e kostumografë. Fituesit e këtij projekti mund të bëjnë një bërrthamë të teatrit të të rinjve, të cilët në të ardhmen do të furnizojnë edhe Teatrin Kombëtar. Salla e re që po krijohet te piramida është një gjë shumë pozitive. Do të vijë shpejt dita kur Tirana të ketë disa teatro.
Megjithatë, teatri nuk është biznes fitimprurës, si e shikoni të ardhmen e tij?
Kjo është e qartë. Edhe sikur 10 ose 20 euro të jetë bileta, asnjëherë nuk ka fitim nga teatri. Trupa e të rinjve, fare mirë mund të atashohet në kompleksin që do të ketë piramida. Të jeni të bindur se kjo trupë do të ketë spektatorin e saj, spektator i cili më vonë do të frekuentojë edhe sallat e teatrove të tjera.
Duket se menaxhimi publicitar ju mungon si institucion, pse?
Kemi gjetur disa forma e mënyra të ndryshme për ta afruar spektatorin, jo vetëm nëpërmjet afishimeve e njoftimeve që bëhen në qytet, lajmeve e intervistave të ndryshme që regjisori, autorët dhe aktorët japin nëpër gazeta, por kemi krijuar një skedar me të gjitha të dhënat e spektatorëve të qëndrueshëm të teatrit, të cilët i njoftojmë kur ka shfaqje. Edhe në listën e Facebookut kemi arritur mbi 1500 fansa, të cilët çdo ditë sa vjen e shtohen. Për të bërë një publicitet të mirë, ju e dini se sa duhen reklama dhe të që blesh kohën televizive kushton shumë. Pastaj, ky publicitet nuk është se bëhet vetëm një herë, apo për një javë. Nuk kemi fonde kaq të mëdha dhe nuk e kemi rënduar në këtë drejtim buxhetin e TK. Kemi gjetur sponsora, banka apo media, të cilat në këmbim të reklamës që u bëjmë ne në teatër na ofrojnë shërbimet e tyre.
A ndihet mungesa e një kritike të mirëfilltë të teatrit? Nëse po, a keni menduar ndonjëherë të sillni kritikë të njohur të huaj, për të shkruar mbi shfaqjet dhe aktorët shqiptarë?
Nuk e di sa e mundur do të ishte kjo pasi kritiku që do të vijë duhet ta njohë mirë historinë dhe traditën e teatrit. Gjithsesi, nuk kanë munguar shkrimet dhe kritikat në gazeta.
Por ju mungon kritika e mirëfilltë, apo jo?
Kemi pasur kritika pozitive dhe negative për shfaqje të ndryshme. Natyrisht, nuk mendoj se kritika është në lartësinë e duhur sepse po të ishte kështu, do të qëndronte më pranë teatrit duke qenë më e vlefshme dhe më konstruktive.
A ju mungon skena?
Patjetër që më mungon, sidomos kur jam kaq afër dhe nuk ngjitem në skenë. Mendoj shpesh për këtë dhe tundohem, por duke pasur parasysh përgjegjësinë e madhe të një drejtuesi për ta menaxhuar sa më mirë këtë institucion të rëndësishëm e prestigjoz kam qëndruar larg saj. Nëse do të më ofrohej një rol nuk do ta refuzoja, kuptohet, pa e neglizhuar punën e drejtuesit. Në radhë të parë jam artist.
Po në lidhje me kinemanë ç’do të thoshit?
Para disa muajsh kisha një rol jo shumë të madh te “Muaji i mjaltit” i regjisorit Goran Paskaleviçin. Në film është paksa më kollaj të angazhohesh sepse gjendet më shumë liria dhe merresh me realizimin e rolit në një kohë që nuk të pengon puna me teatrin.
Ku e bënte Paskaleviçi “diferencën” nga regjisorët e tjerë?
Filmin ai e kishte të gjithin në kokë. Kur u drejtohej aktorëve nuk u imponohej që duhet bërë kështu dhe s’ka ndryshe. Paskaleviçi diskutonte me ne dhe na tregonte se si e mendonte rolin dhe në çfarë pike duhej arritur, ndërkohë që na pyeste se ç’mendim kishim për të dhënë më të mirën e mundshme. Ata që kanë punuar dhe kishin role më të mëdha se unë, besoj se duhet të ndajnë të njëjtin mendim.
ǒmund të na thoni mbi rolin tuaj?
Nuk mund të flas pa mbaruar filmi. Premiera do të jepet në Venecia, e ndoshta më pas edhe në Shqipëri e Serbi.
Cilat janë rolet më mbresëlënëse që keni pasur në teatër?
Në Vlorë kam luajtur thuajse në të gjitha premierat kur kam qenë drejtor aty. Te “Kalorësit” kam pasur një rol shumë të mirë, gjithashtu, te disa pjesë të autorit Ferdinand Hysi, si “Shpirti i ujkut” dhe “Para semaforit”, të cilat fatmirësisht janë filmuar nga TVSh. Po kështu, kam rolin e gjykatësit në një vepër të një autori italian, që bën fjalë për korrupsionin në drejtësi. E keqja me teatrot e rretheve është se pjesa shihet nga një shikues tepër i kufizuar.
Po rolet komike si i shikoni?
Nuk kam pasur rast të realizoj shpesh të tilla. Kam bërë para shumë vitesh Demkën, në një dramatizim të “Shokut Zylo”.
Nuk është se ju intrigon komedia?
Në fillim duhet që ta lexosh veprën dhe rolin, e pastaj ta perceptosh e të thuash se kush të intrigon më shumë.
E keni bërë filmin e jetës tuaj?
Mendoj se jo.
Çfarë personazhi mund të ishte më ideali për ju?
Kam pasur një ofertë së fundi nga një regjisor grek për një film shumë të mirë që ai dëshiron të bëjë. Një rol që nëse e marr përsipër, do të ishte i atyre parametrave që kam parasysh. Bëhet fjalë për kapitenin e një anijeje të madhe, që është pak a shumë në moshën time. Ai ka humbur të birin. Gjatë një udhëtimi gjen një gomone me disa të rinj, të cilët përpiqen të largohen nga vendi i tyre. Nuk e di nëse është ngjarje vetëm shqiptare pasi Italinë përditë e përmbytin anije me klandestinë nga Azia e Afrika. Kapiteni krijon një lloj idili, mbrese, me një nga djemtë që shpëtoi nga gomonja. Rastësisht i vjen ish e shoqja, që ishte infermiere. Më pas aty krijohen disa konflikte me pjestarë të ekuipazhit. Është një rol mjaft kompleks me plane të shumta dramatike. Nuk e di nëse do të jetë i mundur ky film dhe realizimi i tij për shkak të disa vështirësive që e pengojnë.
Ju ka ndodhur të refuzoni ndonjë rol?
Zakonisht ndodh që ka një lloj marrëveshje të regjisorit me aktorët dhe në heshtje apo haptazi ajo bëhet. Kur regjisori merr përsipër një vepër i ka caktuar rolet kryesore dhe ka rënë dakord me aktorët. Megjithatë, ndodhin edhe zëvendësimet gjatë rrugës. Ajo që më shtyn mua te një rol është impakti që do të ketë roli te spektatori dhe hapësira që të lejon të shprehesh.
A ndodh padashur, që një rol për të cilin përgatiteni, të fitojë terren në jetën tuaj?
Arti është sinteza e jetës dhe natyrisht, ato që aktori i vesh personazhit të tij mund t’i imagjinojë, ashtu siç mund t’i ketë përjetuar ose lexuar në ndonjë roman a novelë. Imagjinata dhe ndjesia e brendshme e aktorit gjithmonë gërmon elementë në thellësi të tij.
Sa e rëndësishme është përvoja?
Për çdo aktor është tepër e rëndësishme. Jo më kot thuhet se një aktor ka arritur në kulmin e pjekurisë së tij. Sado talent që të ketë një aktor i ri pa përvojë, nuk është njësoj me një aktor që luan prej 20-30 vitesh. Struktura e të lexuarit dhe e përvojës reflektohen në skenë.
Mos ndoshta ndikon pikërisht mungesa e përvojës së artistëve shqiptarë, në cilësinë e dobët të filmave tanë?
Jam dakord me ju. Ndryshime kemi në të gjitha elementët sa u takon prodhimeve shqiptare dhe atyre franceze e italiane, për të mos shkuar më tej.
Kapiten anijeje, kalorës, gjykatës... Duket se ju intrigojnë pak rolet autoritare?
Mendoj se aktori duhet t’i imponohet skenës. Kjo duhet të ndodhë qoftë kur ka një rol kryesor apo edhe kur ka rol sekondar. Duhet ta menaxhojë aktori skenën dhe jo skena atë.
25 Korrik 2009