E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Xhixho: Demokracia dhe shteti i së drejtës, të panegociueshme për integrimin në BE

TIRANË, 25 mars/ATSH/ Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho në një deklaratë për mediet sot, u shpreh se zgjedhjet e 11 majit janë një test i për integrimin e Shqipërisë në BE.

Sipas saj, “pak ditë më parë, qeveria “Rama” mori një tjetër shuplakë nga Bashkimi Europian. Vendimi për të shtyrë pa afat tryezat ndërqeveritare për çeljen e 2 grupkapitujve të radhës për Shqipërinë është prova e radhës se keqqeverisja po e pengon vendin në rrugëtimin europian.

Ndërsa në Tiranë propagandohet me zhurmë progres në ecurinë e negociatave, Brukseli vijon t’i mbyllë derën Tiranës dhe arsyeja është e qartë: kushtet nuk janë plotësuar nga qeveria e Edi Ramës”, u shpreh Xhixho.

Numri dy i partisë së Lirisë thekson se “kushti i padiskutueshëm që qeveria duhet të plotësojë në mënyrë emergjente janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Përmes tyre, shqiptarët do të mund të zgjedhin mes stanjacionit 10-vjeçar në ecurinë e negociatave apo një programi qeverisës që garanton më së pari një Shqipëri ku mund të jetohet”.

“Zgjedhjet e 11 Majit janë një test i rëndësishëm për Shqipërinë dhe rrugëtimin evropian të saj pasi garantimi i zgjedhjeve te lira dhe te ndershme mbetet kushti numër 1 për avancimin drejt BE. Përmes tyre, shqiptarëve do t’u jepet mundësia të votojnë alternativën më të mirë, atë që garanton një model të ri ekonomik, një luftë reale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbi të gjitha shtet ligjor”, shpehet Xhixho.

Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë tha se “Programi ynë me pesë prioritete për 4 milionë shqiptarë do të shtrojë rrugën për një Shqipëri që ecën me hapa të sigurt drejt Bashkimit Europian. Demokracia dhe shteti i së drejtës janë të panegociueshme për Bashkimin Europian dhe ne kemi të gjithë vullnetin, energjinë dhe ekipin që do ta përshpejtojmë udhëtimin e Shqipërisë drejt tij duke ndërtuar standarde europiane në vendin tonë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›