E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Deri tani rreth 252 mijë aplikime për pasaportat biometrike

 

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, takoi dje zv.drejtorin e Përgjithshëm për Migracionin, Azilin dhe Kufijtë në Komisionin Europian, Jean Louis De Brouëer. Gjatë bisedës Basha raportoi mbi të dhënat e fundit për plotësimin e kushteve të vendosura nga KE-ja për liberalizimin e vizave. “Ka arritur në afro 252 mijë numri i aplikimeve për pasaporta biometrike, nga të cilat rreth 244 mijë janë prodhuar. Sistemi i aplikimit, prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve të identitetit, është nga më modernët në Europë, është i shpejtë dhe funksionon me efikasitet të plotë. Janë trajnuar të gjithë zyrtarët që merren me lëshimin e dokumentave”, u shpreh Basha. Sipas tij, është përmbyllur instalimi i sistemit TIMS në të 26 pikat e kalimit kufitar, është mundësuar lidhja me bazën e të dhënave të INTERPOL-it dhe me sistemin e analizës së informacionit kriminal MEMEX. “Ndërkohë po punohet për unifikimin e sistemit të kontrollit në pikat e kalimit kufitar në modelin ‘’one stop shop’’ që do të përfshijë jo vetëm kontrollin e dokumentacionit, por edhe kontrollin doganor, fitosanitar etj. Po punohet në të njëjtën kohë edhe për funksionimin e Qendrës Operacionale Detare për kontrollin e kufirit detar”, theksoi më tej Ministri i Brendshëm. Ndërsa De Brouëer vlerësoi maksimalisht këto arritje, duke u shprehur se kriteret kryesore të udhërrëfyesit ose janë përmbushur plotësisht, ose janë pranë konkretizimit. Duke konstatuar vullnetin e qeverisë shqiptare për përmbushjen e të gjithë kritereve të udhërrëfyesit dhe për arritjen e standarteve Schengen, De Brouëer u shpreh optimist se ekspertët e delegacionit të KE, që do të vizitojnë Shqipërinë, do të përcjellin një raport pozitiv për progresin e arritur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›