Vizat, KE: Hapa përpara,zbatimi i ligjeve mbetet sfidë
ADI SHKEMBI
Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara në drejtim të liberalizimit të vizave, por tashmë vëmendja duhet përqendruar në fushën e zbatimit të ligjeve. Deklarata u bë dje në Tiranë nga zv.drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së KE-së për Imigracionin dhe Azilin, Jean Louis De Brouwer gjatë një takimi me zv.kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, Ilir Meta. Sipas zyrtarit të lartë të Komisionit, heqja e vizave është një proces teknik dhe jo politik. “Qeveria shqiptare ka bërë hapa shumë të mëdhenj gjatë këtyre muajve të fundit. Janë adoptuar plane veprimi dhe janë përgatitur projektligje. Gjithashtu, procesi i prodhimit të pasaportave biometrike është lançuar me sukses. Tani ka ardhur koha që ky legjislacion të futet në fuqi dhe i referohem këtu në veçanti rishikimit të legjislacionit të vitit 2004 mbi konfiskimin e pasurive dhe legjislacionit të ri mbi asistencën e ndërsjelltë juridike. Kjo do të thotë që sfidat dhe hapat e mëtejshëm kanë të bëjnë me fazën e zbatimit”, u shpreh De Brouwer. Përsa i përket pikave të kalimit kufitar, një prej kushteve për heqjen e vizave, përfaqësuesi i Brukselit, theksoi se ato duhet të pajisen me teknologjinë dhe burimet njerëzore të nevojshme. De Brouwer vlerësoi me nota pozitive procesin e shpërndarjes së pasaportave biometrike, ndërsa vuri theksin te rritja e bashkëpunimit mes agjencive të zbatimit të ligjit, gjyqësorit dhe prokurorisë, për të luftuar më me efikasitet krimin e organizuar dhe trafiqet. “Pra, për t’a përmbledhur shkurt, dhe siç i theksova edhe z. Meta gjatë takimit, mesazhi nga Komisioni Evropian sot është: Na ndihmoni, që t’u ndihmojmë!”, theksoi zv.drejtori i Përgjithshëm i KE-së për Imigracionin dhe Azilin, teksa shtoi se me përmbushjen e kushteve Komisioni do të bëjë propozimin, për të cilin shpresohet që të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur. Lidhur me kushtet konkrete që Brukseli pret të plotësojë, Tirana zyrtare për të përfituar liberalizmin e vizave, zyra e Komisionit në Tiranë sqaroi përmes një deklarate për shtyp se ato janë “miratimi dhe zbatimi i strategjisë dhe plan-veprimit për luftimin e krimit financiar, projektligji i ri që rishikon ligjin e vitit 2004 për konfiskimin e aseteve kriminale dhe projektligji i ri mbi ndihmën ligjore reciproke ndërkombëtare. Gjithashtu, rritja e kapaciteteve në fushën e menaxhimit të kufijve dhe migracionit është shumë e rëndësishme”. Gjatë takimit zv.kryeministri Meta vuri në dukje hapat që janë marrë në lidhje me bashkëpunimin mes agjencive në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, menaxhimit të integruar të kufijve, ecurinë e procesit të prodhimit dhe shpërndarjes së pasaportave biometrike, si dhe paketën e strategjive, plan-veprimeve dhe projektligjeve të miratuara në proces. “Unë i kam theksuar z. De Brouëer se sot, kur në të gjithë Evropën kujtohet rënia e murit të Berlinit, për ne shqiptarët, arritja e kësaj marrëveshje për liberalizimin e vizave me BE është si një rënie për së dyti e këtij muri, që nga ardhja e demokracisë në vendin tonë”, theksoi Meta. Zyrtari i KE-së, i shoqëruar edhe nga Ambasadori Lohan, u takuan edhe me Ministrin e Drejtësisë, Bujar Nishani, i cili u shpreh se shumë prej ligjeve kërkojnë një shumicë të cilësuar për t’u miratuar dhe për këtë kërkohet edhe konsensusi i opozitës. Nga ana e tij, zyrtari i KE-së theksoi se marrja e konsensusit politik dhe procesi gjithëpërfshirës në hartimin e akteve ligjore garantojnë qëndrueshmërinë në zbatimin e ligjeve. Vizita e De Brouëer në Tiranë bëhet në kuadër të fazës finale të dialogut për liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe BE. Qeveria shqiptare do të dërgojë në mesin e këtij muaji një raport tjetër në Bruksel, lidhur me plotësimin e kushteve, ndërkohë një mision vëzhgimi i Komisionit do të vijë në vendin tonë në dhjetor për të parë plotësimin e kushteve që kanë të bëjnë me sigurinë e dokumenteve dhe një mision i dytë do të vijë në janar, për të parë progresin e arritur në drejtim të menaxhimit të kufijve, rendit publik dhe sigurisë.