E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një projekt për vetëqeverisjen e medias

Ilirian Agolli 

Statusi i gazetarit
MUNGESA KRITIKE E NJË
LIGJI KUNDËR VETES
Mungesa e një statusi të gazetarëve e ka dëmtuar  mjaft komunitetin dhe reputacionin e tyre.  Një ligj kundër vetvetes do të ishte rruga më e mirë që shtypi, radiot dhe televizionet shqiptare të ngrenë dinjitetin e tyre, duke respektuar në radhë të parë reporterin e terrenit, të drejtat dhe detyrimet e tij.
Gazetarët mund të jenë ndër të paktët komunitete në Shqipëri dhe në botë që kanë privilegjin të hartojnë një ligj kundër vetvetes, për të rregulluar marrëdhëniet e tyre me shtetin, pronarin dhe opinionin publik. Për të ndrequr situatën, duhet hapur në radhë të parë një debat i sinqertë publik në vetë faqet e mediave, ku gazetarët të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të ftojnë qytetarët të japin mendime se si e duan median e vendit të tyre.
Gazetarët vetë kanë nevojë për një status profesional me të drejta dhe detyrime publike. Po ashtu edhe opinioni publik ka nevojë që gazetarët që ata lexojnë çdo ditë të kenë një status nga i cili të burojnë shkrime të besueshme dhe të dobishme për komunitetin qytetar.
Profesioni i gazetarit është një funksion publik dhe për këtë arsye ka nevojë për një organizëm vetërregullues. Krahas një kontrate me pronarin e gazetës dhe televizionit, gazetari ka edhe një kontratë tjetër të pashkruar me lexuesin, i cili pret shkrime të sakta me vlerë qytetare dhe kombëtare.
Ligjin “Për Statusin e Gazetarit”, pra ligjin kundër vetvetes, gazetarët shqiptarë duhet ta hartojnë vetë, ta miratojnë vetë dhe ta zbatojnë po vetë përmes mekanizmave vetërregullues që propozohen më poshtë. Këtë sfidë jo të lehtë, gazetarët duhet ta përballin me guxim, nëse nuk duan që një ligj për mediat ta shkruajnë të tjerët, deputetë, qeveritarë e politikanë pa njohuritë e mjaftueshme për shtypin, funksionimin, jetën dhe mbijetesën e tij. Një ligj për median mund ta shkruajnë vetëm gazetarët. Në të kundërt, mendoj se çdo grupim tjetër prej jogazetarësh nuk mund të përgatitin një ligj për median, por me siguri do të hartojnë një ligj kundër medias.
GJENDJA AKTUALE E MEDIAS
Nuk do shumë fjalë të tregohet se gjendja aktuale e medias shqiptare është e rëndë në shumë aspekte. Shumë nga gazetarët punojnë pa kontrata dhe pa rroga dinjitoze. Atyre shpesh u shkelen të drejtat nga pronarët e mediave. Më e keqja ndodh kur studentët e gazetarisë me shpërblime dhe paga të ulëta përdoren nga pronarët e mediave si një mjet presioni kundër gazetarëve me përvojë, të cilët kërkojnë rritje page dhe vlerësime të tjera. Kjo metodë jo vetëm ul cilësinë e shtypit, por edhe përçan komunitetin e gazetarëve dhe nuk lejon organizime sindikaliste brenda tyre.
Një tjetër problem i madh është uzurpimi i medias nga të njëjtët persona në shumë poste. Një grusht personash që drejtojnë mediat sot janë edhe pronarë, edhe gazetarë, edhe analistë, edhe drejtorë, edhe kryeredaktorë dhe kryetarë shoqatash të gazetarëve, çka përbën një konflikt të hapur interesi të tyre. Gazetarët janë njëkohësisht edhe punëmarrës të drejtorit, edhe anëtarë të shoqatës, ku kryetar është drejtori i tyre. Ky grup udhëheqësish të pandryshuar të medias i ndajnë vetes dhe njëri-tjetrit rroga të majme që shpesh janë 5 herë, 10 herë dhe shpesh 15 herë më të larta se gazetarët e thjeshtë të terrenit. Ata dhe vetëm ata mbeten shefa të përhershëm dhe të superpaguar të mediave të shkruara dhe elektronike, ndërsa i ndërrojnë shpesh vendet e punës nga një zyrë drejtori apo kryeredaktori në tjetrën. Me këto lidhje, trafik influencash dhe sjelljesh prej kapadainjsh, këta drejtues të mediave kanë shkatërruar dhe po dërrmojnë përditë e më tepër moralin dhe tregun e mediave të vendit.
Një tjetër problem i madh që dëmton mediat shqiptare është edhe moszbatimi i statuteve të shoqatave të mediave. Forumet drejtuese të këtyre shoqatave nuk mblidhen rregullisht, nuk mbrojnë fare ose mbrojnë pak kolegët që dhunohen, nuk trajtojnë asnjë problem të shtypit, as specifik dhe as të përgjithshëm, as teorik, as praktik, nuk ngrenë zërin me deklarata e veprime të tjera kundër shkeljeve dhe fyerjeve që bëhen ndaj shtypit, nuk bëjnë as ndonjë studim për gjendjen e medias. Dhe mbi të gjitha këto forume nuk rifreskojnë drejtimin e tyre, duke bllokuar funksionimin demokratik të organizatave të gazetarëve. Në Shqipëri ndodh që dikush zgjidhet kryetar i një shoqate që nga 1994 apo nga 1995 dhe të vetëshpallet apo të rizgjedhë vetveten për afro 15 vjet me radhë. Shumë nga këta drejtues bëjnë edhe analiza se si duhet të iki x apo y politikan nga pushteti, kur ata vetë ua kanë kaluar disa herë atyre.
Shoqatat e mediave nuk zbatojnë statutet e tyre, ku formalisht kërkohet që forumet drejtuese të zgjidhen çdo 2-3 apo 4 vjet. Kjo status quo e shtrirë mbi mediat i ka lënë me këmbët në ujë, siç thoshte Gjergj Fishta, të gjithë gazetarët, të cilët punojnë kryeulur në këtë moçal, pa cilësi profesionale dhe pa krenari qytetare. Kjo status quo shpjegon edhe shkeljet e rënda të etikës në media, të cilat janë bërë të zakonshme dhe opinioni publik në përgjithësi ka një perceptim të lartë për paaftësi në media, korrupsion dhe keqpërdorim të funksioneve të saj publike.
Për të gjitha këto arsye gazetarëve shqiptarë u duhet një status modern që t’i japë shtypit jetë dhe motivim qytetar dhe kombëtar.
Vetëqeverisja e medias
KONGRESI KOMBËTAR I MEDIAS
Një ligj për mediat, për vetë funksionin që ato kanë në një shoqëri demokratike, duhet të mbështetet në moralin dhe në zakonet e mira të vendit dhe të prihet nga pozitiviteti dhe konstruktiviteti në të mirë të kombit. Për këtë është e domosdoshme që gazetarët të jenë njerëz me moral të lartë, tek të cilët pavarësia e mendimit dhe e veprimit si dhe integriteti, duhet të shkojnë paralel me forcën për të mbrojtur të mirën dhe vlerat. Për të realizuar këtë mision duhet ngritur një organizëm, i cili të ruajë dhe të kujdeset për vlerat e etikës qytetare dhe forcimin e tyre.
Në kushtet e Republikës së Shqipërisë mendoj se është e domosdoshme ngritja e një autoriteti që mund të quhet Kongresi Kombëtar i Medias, një takim i madh kombëtar i përfaqësuesve të shtypit dhe radio-televizioneve. Kongresi mund të mblidhet çdo 2 ose 3 vjet për të zgjedhur Këshillin e Lartë të Medias. Çdo media (gazetë, revistë, radio, televizion) mund të përfaqësohet në Kongres me 2 persona, një gazetar dhe një drejtues. Autoriteti organizator fillestar i Kongresit të Medias mund të jetë Presidenti i Republikës, meqenëse ai me Kushtetutë është edhe simboli i unitetit dhe i interesave të popullit. Më pas ai mund të jetë edhe kryetar nderi i Kongresit Kombëtar të Medias, apo edhe i Këshillit të Lartë të Medias, pa funksione ekzekutive, por me kontakte këshillimore të ndërsjella. Ndërsa kongreset e tjera organizohen nga vetë KLM sipas periodicitetit që përcakton statuti.
Pas disa ditë diskutimesh, 2-3 ditë, Kongresi zgjedh me vota të fshehta Këshillin e Lartë të Medias, i cili mund të jetë me 11 vetë së bashku me kryetarin, ose një masë tjetër; për shembull në proporcion sa 1/30 e numrit të delegatëve.
KËSHILLI I LARTË I MEDIAS
Këshilli i Lartë i Medias do të jetë një administrator i medias dhe një komision disiplinor i saj. Të 11 anëtarët e tij që dalin nga Kongresi, kanë vota të barabarta kur diskutojnë dhe votojnë për të ndëshkuar shkeljet që bëjnë kolegët gazetarë. Ky autoritet duhet të jetë thellësisht i pavarur.
Parlamenti mund të votojë listën me 11 emrat e KLM që del me votim nga Kongresi Kombëtar i Mediave përmes një dekreti të Presidentit, pa patur të drejtën e ndryshimeve, por vetëm për të njohur shtetërisht këtë autoritet të vetëqeverisjes së mediave.
Media është pushteti i katërt në shoqërinë e vendit, pavarësisht se nuk është përfshirë në superstrukturën e shtetit. Pra, duke u mbështetur në parimin e ndarjes së pushteteve dhe në parimin e kontrollit dhe balancimit midis tyre, media duhet trajtuar kështu edhe ligjërisht si pushtet më vete dhe duhet të ketë të gjitha garancitë e pavarësisë dhe të funksionimit në koordinim me pushtetet e tjera.
Detyra kryesore e Këshillit të Lartë të Mediave duhet të jetë kontrolli i etikës dhe shkeljeve profesionale në media. Po ashtu KLM mund të funksionojë edhe si një mbrojtëse e gjuhës shqipe nga shtrembërimet që i bëhen asaj në mediat e shkruara dhe ato të folura - radiotelevizive.
KLM bën kontrollin e punës së gazetarëve, duke vendosur sanksionet përkatëse për çdo rast kur ka shkelje, deri në heqjen e të drejtës për ushtrimin e profesionit. Për të ruajtur të drejtën e ankimit brenda këtij autoriteti mund të ketë edhe komision apelimi. Më pas, subjekti i interesuar (gazetari) mund t’i drejtohet gjykatës. Parlamenti mund të shohë mospërputhjet midis funksioneve të KLM dhe KKRT; ky i fundit mund të lehtësohet nga disa detyra që kanë të bëjnë me etikën, shpifjen, cenimin e figurës dhe mund të merret me licencat, valët dhe frekuencat.
KLM administron Regjistrin Kombëtar të Gazetarëve dhe përditëson ndryshimet në punësimin dhe shkarkimet e gazetarëve. Po ashtu KLM duhet të administrojë statutet e shoqatave të gazetarëve dhe të kontrollojë zbatimin e tyre, nga detyrimi që të zbatojnë statutet e veta dhe deri në propozimin për t’i shkrirë ato që nuk përmbushin kërkesat e statuteve të shkruara prej vetë atyre me vullnet të lirë.
Padyshim, KLM duhet të ketë si një nga detyrat kryesore mbrojtjen e gazetarëve nga sulmet e subjekteve të ndryshme private dhe shtetërore. Mbështetja mund të nisë që nga deklaratat dhe protestat, e deri te mbrojtja avokatore falas në procese të mundshme gjyqësore, me fonde që duhet të mblidhen nga kuotat e anëtarësisë së mediave në Kongresin Kombëtar të Medias dhe në Këshillin e Lartë të Medias.
REGJISTRI KOMBËTAR I GAZETARËVE
Ky regjistër do të përfshijë pa përjashtim të gjithë personat që punojnë aktualisht në mediat shqiptare si gazetarë, redaktorë, kryeredaktorë, kameramanë, montazhierë, teknikë të zërit dhe të figurës në mediat elektronike. Regjistrimi këtu do të jetë i detyrueshëm për të gjitha mediat, në mënyrë që gazetarët të mos punojnë në të zezë, por ta ushtrojnë profesionin rregullisht.
Ata që regjistrohen duhet të paraqesin kontratën e punës dhe një vërtetim nga sigurimet shoqërore. Kjo do të shmangë edhe keqpërdorimin e studentëve dhe të rinjve të papunë nga pronarët e mediave.
Në përputhje me numrin serial të regjistrit, Këshilli Kombëtar i Medias duhet të certifikojë dhe shpërndajë Kartën e Njeriut të Shtypit që vërteton profilin e punonjësit të medias, pra detyrën që ai kryen në një media, me të dhëna të njëjta që shkruhen në kartën identifikuese që gazetari merr nga drejtuesit e redaksisë apo pronarët e medias ku punon. Është e rëndësishme që të dhënat e kartës së redaksisë dhe të dhënat e kartës së lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Medias të jenë të njëjta dhe të verifikohen në mënyrë të ndërsjellë nga të dy burimet. Po aq e rëndësishme që çdo punonjës shtypi t’i mbajë së bashku me vete të dyja kartat, dhe t’i tregojë ato sa herë që i kërkohen nga subjektet shtetërore. Me pak fjalë, siç kemi karta ndërkombëtare të shtypit, Këshilli i Lartë i Medias do të lëshojë një kartë shqiptare të medias, me një numër serial vendor. Më pas ky regjistër do të shërbejë si regjistër zgjedhësish për Kongresin Kombëtar të Medias dhe me Këshillin e Lartë të Medias, pra në rastin e zgjedhjes se anëtarëve të autoritetit.
Për të drejtat dhe detyrat e gazetarit mund të caktohen kritere, që do të përbëjnë statusin e tij në shoqëri dhe në komunitetin e medias. Po ashtu edhe për kandidimin e gazetarëve për postet e Kongresit dhe KLM mund të vihen kushte dhe kritere, që mund të jenë të ndryshme.
Këto janë disa mendime personale, që mund të marrin jetë nga një bashkëpunim energjik i sinqertë i një grupi nismëtar kolegësh, të mbështetur nga i gjithë komuniteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›