Ethet e lirisë së mediave
Ylber Lili
Njëri nga faktorët kryesorë që formon dhe shpërfytyron opinionin publik është gazetaria. Ajo në vete ngërthen mundësi të mëdha ndikimi, kështu që shpeshherë perceptohet, por edhe luan rolin e rivales së politikës. Pushtetarët, të vetëdijshëm për këtë rol të mediave masive gjithnjë bëjnë përpjekje që t’i kontrollojnë ato. Në këtë vijë shpeshherë kanë përdorur edhe presion e dhunë dhe vazhdojnë ta bëjnë sot e gjithë ditën, kur format e tjera të stimulimit nuk japin efektin e duhur. Kur një regjim (pushtet, qeveri) arrin t’i sundojë mediat, atëherë është e qartë se përmes tyre do të arrijnë t’i kontrollojnë edhe mendjet e njerëzve. Mirëpo një devijim i tillë është indikator se në sisteme të tilla viktima kryesore është demokracia. Pra, është e qartë se institucionet e informimit mund të keqpërdoren dhe e kundërta. E gjitha varet nga niveli i zhvillimit demokratik. Në këtë kuptim, liria e shtypit është normë, standard me të cilin maten liritë e gjithmbarshme të njeriut si dhe funksionimi i shtetit mbi parimet e demokracisë. Sa më demokratike të jenë shtetet, aq më shumë zgjerohet hapësira për liri të fjalës dhe pjesëmarrje të qytetarit në zhvillimet politike, ekonomike, kulturore etj. Në sistemet e reja demokratike, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, shumimi i mediave nuk solli edhe cilësinë e lirisë së shtypit, madje as argumente të fuqishme në funksion të së vërtetës, por të relativizimit të saj. Në fakt, mediat në këto sisteme, pothuajse demokratike e relativizojnë të vërtetën. Përderisa një radiostacion, një gazetë, apo një televizion e kumton një lajm që pretendon të lançojë një të vërtetë, menjëherë sa hap e mbyll sytë, mediat e tjera përhapin lajmin e kundërt, që e vendos popullin, lexuesin në dilemë. S’do mend që një relativizim i tillë e vendos një popull të tërë në dilemë: Cila është e vërteta? Natyrisht se e vërteta, ose thënë më saktë gjysmë e vërteta mund të zbulohet vetëm nëse bëhesh anëtar i një partie politike. Në shoqëri të tilla ku gazetaria varet, apo i shërben një opsioni politik shumë shpejt shndërrohet në retorikë, në demagogji ku asgjë nuk është e vërtetë. Politikani më i suksesshëm bëhet ai që formulon më mirë akuzat dhe i jep vetes lirinë të njollosë sa më shumë oponentin e tij. Shikuar në një tjetër rrafsh, gazetaria, sistemi informativ në përgjithësi nuk është në rrezik vetëm nga faktorët e jashtëm, por ekziston mundësia e keqpërdorimit të parimit të lirisë së fjalës edhe nga faktorët e brendshëm, nga vetë gazetarët, kur ata fillojnë të shpifin dhe abuzojnë me mjetin e fuqishëm që kanë në dorë: institucionin e informimit. Përtej këtij konstatimi, degjenerimet në gazetari, shtohet tej mase në shoqëritë në tranzicion, aty ku rriten dhe përshkallëzohen fërkimet, krizat apo konfliktet mbi baza politike. Kur një elitë politike rreket ta provokojë konfliktin në fazën parapërgatitore, e përdor gazetarinë që të ndërtojë motivet e konfliktit, ta arsyetojë atë. Në fazën e dytë ajo vihet në funksion të afirmimit të grupacionit politik që për interesa të ndryshme e nxit konfliktin dhe njëkohësisht e djallos kundërshtarin. Në fazën e tretë, kur përfundon konflikti, ajo e arsyeton fitoren ose dështimin. Nëse do jepnin një përkufizim pak e shumë realist lidhur me raportet e politikës dhe pushteteve me mediat, hasim në tendenca të vazhdueshme të politikës për instrumentalizim deri në militarizim mediatik. Në këto kushte informimi objektiv dhe e vërteta bëhen të papërfillshme, ngaqë shumëçka eklipsohet nga propaganda mediatike në funksion të politikave, qeverive, monopoleve të ndryshme, biznesit etj. Marrë në tërësi nuk mund të pretendohet në liri shtypi, apo shtyp të lirë për sa kohë që korrektore bëhet politika, e cila në të gjitha rastet kërkon të mbrojë interesat e veta, apo ta përdorë median si instrument propagandë për të baltosur kundërshtarin. Shtrohet pyetja cili është dallimi mes lirisë së shtypit dhe shtypit të lirë? Përkufizimi i parë, liria e shtypit është kategori, ose standard formal, që ndodh të mos shndërrohet në shtyp të lirë. Shtypi vërtet i lirë, kërkon gazetarin e lirë, që i respekton parimet universale të të drejtave të njeriut, që i respekton normat e gazetarisë së mirëfilltë dhe që është i përkushtuar ta thotë të vërtetën, t’i hulumtojë shkarjet e ndryshme në shoqëri, t’i zbulojë veprimet që bien ndesh me ligjin, përfshirë edhe veprat kriminale. Një gazetari e tillë, në funksion të zbulimit të së vërtetës luan rol të pazëvendësueshëm në ndërtimin e shtetit ligjor dhe zhvillimit demokratik të shoqërisë. Mirëpo ta kërkosh diçka të tillë në kushtet e mungesës së shtetit ligjor, të arrogancës së njerëzve të veshur me pushtet apo pranë tij, është rrezik permanent për çdo gazetar që merr përsipër ta thotë të vërtetën. E gjitha sa thamë më sipër, shton simptomat e etheve të lirisë së shtypit. Sa më shkurt zgjat kjo fazë aq më shumë zhvillohet shoqëria, po aq i lirë bëhet edhe shtypi. Në këtë kontekst, pa shtyp të lirë që nuk varet nga ndikimet politike, monopolet e ndryshme, as nga tekat, apo interesat e vetë botuesve, nuk mund të demokratizohet një shoqëri si dhe nuk mund të funksionojë shteti mbi baza ligjore.