Xhozef:Maqedonia duhet të ulë tensionet me Greqinë
Ish-shefi i Grupit Ndërkombëtarë të Krizave(GNK) në Maqedoni, Edvard Xhozef në një intervistë për televizionin A1 deklaroi se nuk është në interes të Maqedonisë që të rrisë tensionet me Greqinë.
“Nuk është në interes të Maqedonisë që të rriten tensionet me Greqinë. I bëjë thirrje politikanëve, gazetarëve dhe qytetarëve që të gjejnë mënyrë për të ulur tensionet me këtë vend fqinj”, deklaroi analisti amerikan Edvard Xhozef.
Sipas tij, Shkupi nuk ka nevojë që të rrisë tensionet, sepse kjo më shumë do t`i shkojë në dëm Maqedonisë sesa Greqisë.
“Kjo i jep shansë të lehtë Greqisë që të dekarojë se Maqedonia është ajo që po rëndon punët.Mbetet që forcat e mëdha si SHBA dhe aleatët në Evropë që të bindin Greqinë”, deklaroi Xhozef.
Duke folur për konfliktin e fundit në Gjeorgji, analisti amerikan nënvizon se e rëndësishme është që SHBA-të dhe aleatët e saj ti dërgojnë sinjal të qartë për disa çëshje themelore Moskës dhe kjo është se NATO do të vazhdojë zgjerimin e saj. “Andaj, hyrja e Maqedonisë në NATO do të jetë një porosi për Moskën se Aleanca do të vazhdojë procesin e zgjerimit dhe nuk do të lejojë që dikush ta rrënojë këtë, qoftë brenda NATO-s, apo jashtë saj, si Rusia, që të përcaktojnë se si do të zhvillohet procesi i zgjerimit”, deklaroi ish-shefi i misionit të GNK-së në Maqedoni. Sipas tij, situata globale aktualisht ka ndryshuar sepse kriza në Gjeorgji është edhe krizë për NATO-n.
“Tani kemi krizë ndërkombëtarë e cila nxitë faktin se tani është më e rëndësishme se asnjëherë që Maqedonia të hyjë në NATO dhe të dërgojë sinjale për vendosmërinë e saj për hyrje në Aleancë dhe nuk do të tolerojë ngrirjen e situatës në Kosovë si vend fqinj”, deklaroi Xhozef. (M.P/INA)