E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mundet Vllaznia, vendos eksperienca italiane

Shkodranët kanë rezistuar për gati 30 minuta lojë, por pastaj napolitanët kanë zgjidhur gjithçka

Vllaznia mundet thellë në fushën e saj dhe për pasojë zbret me "këmbë në tokë". Megjithatë, nuk duhet nxirë ndeshja me Napolin për shkodranët, sepse diferencat u vendosën në momente të veçanta dhe ekipi shkodran ishte, madje në disa raste mund të kishte shënuar. Kuqeblutë e kanë nisur shpejt lojën në sulm, duke kërkuar të shënojnë shpejt, por nuk ia kanë dalë mbanë. Për 30 minuta në "Loro Boriçi" nuk do të kuptohej se kush ishte Napoli, skuadra e Serisë A. Shkodranët luajnë si të barabartë, madje për të mos thënë superiorë, krijojnë raste, por vetëm finalizimi mungonte. Ndoshta edhe mbrjotja mike e kishte vlerësuar më së miri rrezikun "Sukaj", që në pjesën e parë është mbuluar rreptë. Dhe atë që nuk arrijnë ta bëjnë shkodranët, italianët, me eksperiencën e tyre, në të parin rast të pastër në zonën shkodrane, arrijnë të gjejnë golin, një gol që ul disi ritmin e Vllaznisë, por jo që ta demoralizojë. Ndërsa Napoli tani luan më i çliruar dhe e mbyll pjesën e parë me këtë avantazh. Pa filluar mirë pjesa e dytë, në një top pa shumë pretendime, por që duke i vjedhur kohën kapitenit Teli dhe dalja jo shumë e studiuar e Bishanit, bënë që Pia të gjente sërish rrugën e rrjetës. Teorikisht këtu mbaron ndeshja, por shkodranët nuk demoralizohen plotësisht. Ata bëjnë lojën e tyre, të paktën për të shënuar një gol. Dhe këtu del në skenë Sukaj, por duhet thënë që ai ka qenë i pafat. Një nga tre gjuajtjet e tij të paktën duhet të kishte përfunduar në portën napolitane, por ja fati nuk ishte me të. Pa përfunduar mirë këto raste, Lici kërkon të bëjë mrekullinë, teksa dëshiron t'i vjedhë 11-metërsh Napolit, por gjyqtari rus nuk mbyll njërin sy, përkundrazi ndëshkon mesfushorin tonë. Duhet thënë që ajo penallti edhe mund të jepej. Këtu mbaron përpjekja e Vllaznisë, sepse dy minuta më vonë napolitanët arrijnë të shënojnë sërish, pothuajse njësoj si në golin e dytë, me të vetmin ndryshim, autor ishte një tjetër italian. Këtu praktikisht mbaron dhe loja është sporadike. Vllaznia dorëzohet dhe nuk ka më fuqi as të shënojë golin e nderit. Duhet thënë që në shkallët e stadiumit ka pasur disi tension, kjo e provokuar edhe nga tifozët miq, por që nuk ka kaluar në konfrontim. Tani Vllaznisë nuk i mbetet gjë tjetër, të mendojë për superkupën të dielën me Dinamon dhe për startin e kampionatit më 24 gusht me Tiranën në Shkodër. Sa për ndeshjen e kthimit, askush nuk e ka mendjen për momentin në kampin shkodran. Me siguri edhe për shkodranët ndeshja e kthimit do të jetë një formalitet, pasi për Napolin sigurisht që dihet. Mbetet për të bërë thjesht një prezantim disi dinjitoz, pse jo si ndeshja e parë, por me synimin duke mos pësuar një thes me gola. Kaq është fuqia e Vllaznisë, kaq ndoshta janë forcat të të gjitha ekipeve shqiptare kur luajnë në Europë. Vllaznia pati një ëndërr dhe mbeti ëndërr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›