Maqedoni, Presidenti pakt me kryetarin e Parlamentit
Presidenti Branko Cërvenkovski dhe kryeparlamentari Trajko Veljanovski arritën marrëveshje që pesë ligjet e padekretuara sërish të shqyrtohen nga Parlamenti i Maqedonisë.
Në takimin pesëorësh midis presidentit të vendit Branko Cërvenkovski dhe kryeparlamentarit është arritur marrëveshje që 5 ligjet që nuk janë dekretuar nga ana e presidentit të shqyrtohen sërish nga Parlamenti.
Ndërsa 52 ligjet e tjera të dekretuara nga presidenti do të shpallen në Gazetën Zyrtare dhe do të hyjnë në fuqi.
Në komunikatën e përbashkët thuhet se presidenti dhe kryeparlamentari kanë vlerësuar nevojën e funksionimit të pandërprerë të institucioneve dhe dialogut institucional produktiv.
Ata janë dakorduar që zbastësirat juridike që shkaktuan konfliktin midis Presidencës dhe Parlamentit duhet që të precizohen në të ardhmen.
Konflikti midis dy institucioneve më të larta shtetërore zgjati dhjetë ditë duke bllokuar hyrjen në fuqi të disa ligjeve të miratuara në procedurë të përshpejtuar nga maxhoranca aktuale nga ana e presidentit Cërvenkovski.
Pesë ligjet akoma të padekretuara nga presidenti janë ligjet për energjetikë, ekspropriim, avokaturë, lobim dhe Ligji për marrëdhënie pune. (INA)