Bushati: Mungesat nuk na pengojnë për fitoren!
Nëntë ditë grumbullim për të mundur Greqinë. Eshtë kombëtarja U-21, e cila nën drejtimin e Artan Bushatit ka nisur që të dielën përgatitjet për ndeshjen e prapambetur eliminatore me Greqinë, e cila do të luhet më 20 gusht në stadiumin "Ruzhdi Bizhuta", ora 16:00. Kuqezinjtë e rinj janë sistemuar në Durrës, ndërkohë që stërvitjet i zhvillojnë në Shijak. Trajneri Artan Bushati komentoi gjendjen e ekipit në këto pesë ditë stërvitje. Për të, problem janë mungesat e disa lojtarëve, që për arsye të ndryshme nuk do të jenë ndaj Greqisë.
"Kemi nisur normalisht stërvitjen, ndërkohë që presim t'i bashkohen grupit edhe katër lojtarë. Kështu, mungojnë Sukaj dhe Lika, të cilët do të angazhohen me Vllazninë për ndeshjen e Kupës UEFA me Napolin. Gjithashtu, portierët Ujkani, Koliqi dhe mbrojtësi Arapi, që kanë ndeshje me klubet e tyre, dhe do të vijnë nesër (sot). Këtë herë jemi grumbulluar më herët, sepse ekipet kanë qenë në fazë përgatitore dhe mundësia e vëzhgimit të lojtarëve ishte minimale. Na nevojitej ky grumbullim për të krijuar klimën e përshtatshme për ndeshjen, gjithashtu edhe për të parë sa më mirë gjendjen e lojtarëve",- thotë Bushati, i cili bën të ditur edhe lojtarët që nuk do t'i ketë ndaj helenëve. "Do të kemi disa mungesa. Së pari, janë Bakaj, Lila dhe Hyka, të cilët do të angazhohen në miqësoren e kombëtares me Lihtenshteinin. Përveç tyre, listës së mungesave i shtohet edhe Shoshi me Gugën, që janë të dëmtuar, ndërsa Progri me Arifajn kanë nga dy kartonë të verdhë."
Por për trajnerin e U-21 ky nuk është fundi i botës. Sipas tij, ndaj helenëve do të luhet për fitore. "Kjo nuk do të thotë që ne nuk do të tentojmë fitoren. Edhe pse objektivi ynë kryesor është të evidentojmë këta elementë të rinj, jam i bindur që do të arrijmë një rezultat pozitiv me Greqinë. E njoh mirë këtë ekip dhe shpresoj shumë te një fitore." Artan Bushati flet edhe për të rinjtë që ka thirrur në këtë grumbullim. "Eshtë sulmuesi Brian Filipi, i cili aktivizohet me Ravenën. Gjithashtu, edhe mbrojtësi Renato Malota, që ka kaluar tek Shkumbini. Këta dy lojtarë kanë qenë pjesë e kombëtares U-19 dhe i kam parë nga afër në ndeshjet eliminatore të zhvilluara në Sllovaki. Nuk është çudi që mund të jenë pjesë e formacionit."