Xhufi: Berisha, arkitekt i një përçarjeje të madhe që ka dashur të ushqejë midis jugut dhe veriut
Historiani Pëllumb Xhufi, duke folur në një intervistë për gazetën Dita, ka thënë se Berisha ka qenë arkitekt i një përçarjeje të madhe që ka dashur të ushqejë midis jugut dhe veriut. Xhufi shprehet Berisha, por edhe përfaqësuesit e PDIU, që sipas tij kanë tradhtuar çështjen çame, duhet të largohen nga qeverisja.
Berisha duhet ndëshkuar duke e larguar nga pushteti më 23 qershor. Shiko, ne si komb kemi një veçanti. Nuk mjaftojnë vetëm arsyet e standardeve të jetës, të çmimeve, të mjedisit, të korrupsionit etj., për të kërkuar rotacionin politik. Ne duhet ta kushtëzojmë atë dhe me qëndrimin që politika dhe qeveria mban ndaj çështjes kombëtare të pazgjidhur. Ne jemi një komb që ende jetojmë të ndarë në pesë shtete. Kështu do të vazhdojmë pafundësisht? Absurde ta mendosh. Por kjo qeveri nuk e artikuloi asnjëherë çështjen kombëtare dhe nuk ka asnjë platformë për të. Madje, po të hyjmë edhe pak më thellë, do të vërejmë se gjatë këtyre 20 e ca vjetëve Berisha është arkitekt i një përçarjeje të madhe që ka dashur të ushqejë midis jugut dhe veriut. Shikoni përbërjen e administratës së tij dhe do të bindeni për këtë. Shikoni se i ka ndarë investimet. Kujtoni për shembull sjelljen e tij me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë kombëtare se si me një strategji të qartë dhe të rafinuar denigronte figura të mëdha kombëtare të jugut si Abdyl Frashëri, madje dhe Ismail Qemalin që ngriti flamurin e Pavarësisë dhe ngriti në piedestal figura të dyshimta dhe që u është dëshmuar tradhtia kombëtare si Ahmet Zogu. Pikërisht për këto qëndrime Berisha duhet larguar nga pushteti në 23 qershor! Berisha dhe përfaqësuesit e PDIU-së, ka deklaruar Xhufi./b.l