“Edi Rama bën Kasandrën shqiptare, në mungesë një programi të besueshëm”
Ministria e Financave ka reaguar pas akuzave të kreut të PS
Ministria e Financave ka reaguar në lidhje me deklaratat që kreu i Partisë Socialiste bëri sot gjatë prezantimit të programit “Për një Rilindje Shqiptare, në Durrës, i cili paralajmëroi se ekonomia shqiptare ndodhet e kërcënuar.
Kryetari i PS theksoi se nëse nuk ndërhyhet menjëherë, ekonomia shqiptare rrezikon seriozisht. “Nëse nuk ndërhyhet menjëherë janë në rrezik depozitat e qytetarëve shqiptarë dhe për mbrojtjen e tyre”, deklaroi Rama duke iu referuar siç tha ai, të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Nëpërmjet një deklarate për mediat, Ministria e Financave nënvizon se Rama kapet sërish në mashtrimin e radhës duke folur për ekonominë e vendit, pasi ëndrrën e karriges kryeministrore e sheh vetëm përmes kolapsit ekonomik. “Rama përsëri kapet në flagrancë me mashtrimin e tij të radhës, duke folur për ekonominë e vendit, një fushë ku përçartjet e tij elektorale kanë konfuzionuar totalisht edhe oborrin e tij mavi. Këtë radhë Kasandra Rama, implikon dhe FMN-në, se po vjen në opsionet e kataklizmës ekonomike që Rama u ka uruar shqiptarëve me kohë. Kjo nuk është një gjë e re për Ramën, i cili ëndrrën e karriges kryeministrore e sheh vetëm përmes kolapsit ekonomik apo gjëmave të tjera që ai i ka parashikuar vendit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Financave.
Duke e krahasuar kryesocialistin Rama me Kasadrën, Ministria e Financave e akuzoi se po implikon FMN-në, duke nënvizuar se Bordi i drejtoreve te FMN konfirmoji publikisht atë që ka thënë qeveria shqiptare, që Shqipëria nuk ra në krizë në asnjë vit.
“Fatmirësisht për shqiptarët, asgjë nuk ka ndodhur dhe ndodh nga paralajmërimet e mallkimet e Kasandrës Rama. Prej katër vitesh çirret se ekonomie e vendit është në krizë apo do bjerë në krizë stinën që vjen. Prej katër vitesh, ku rajoni, eurozona dhe ekonomia globale po përjeton zhvillimet më dramatike, ekonomia shqiptare vijon të ritet si asnjë ekonomi tjetër në rajon apo eurozonë. Viti 20012, ku shpresat për të realizuar profecinë e kasandrës ishin më të mëdha, për shkak të përkeqësimit të ekonomive partnere me ne, përsëri mbeti me gisht në gojë, ekonomia shqiptare përsëri pati rritje, rreth 1.7 për qind siç deklaroi INSTAT dhe EUROSTAT. Bordi i drejtoreve te FMN konfirmoji publikisht atë që ka thënë qeveria shqiptare: Shqipëria nuk ra në krizë në asnjë vit, edhe pse kjo krizë ka impaktuar rritjen ekonomike; se qeveria shqiptare ka ndjekur politika fiskale dhe reforma që kanë mundësuar rritje ekonomike edhe në këto rrethana të vështira. Tre vjet të shkuara kasandra Rama, më shumë se një herë, publikisht, bëri thirrje për falimentim bankash dhe humbje të kursimeve të qytetarëve.. Bankat mbetën të paprekura dhe depozitat të sigurta, ashtu siç tha qeveria. Përsëri sot ti bëre thirrjen e radhës për destabilitet dhe përhape panik tek shqiptarët, sepse Kasandra mbijeton duke shpërndarë gjëma. Por ti përsëri do mbetesh më gisht në gojë”, thuhet në deklaratën për media të Ministrisë së Financave.
Sipas, Ministrisë së Financave, “Rama, Kasandra shqiptare, në mungesë të një programi dhe alternative të besueshme për shqiptarët, vazhdon të presë ditën e gjëmës që uron çdo ditë, si mjetin për të realizuar ëndrrën e tij të çmendur. Shqiptarët do ti japin ndëshkimin që meriton edhe kësaj radhe në 23 Qershor! Popujt Kasandrave u rezervojnë te njëjtin fat, harresën dhe përbuzjen”.