Xhufi: Kombësia, censusi të shpallet antikushtetues
Historiani i njohur shqiptar, Pëllumb Xhufi, vlerëson se procesi i regjistrimit në të cilin përfshihet zëri kombësi është antikushtetues. Në një intervistë për gazetën Shekulli, ai shpreh bindjen se nëse një institucion ose parti politike do të kërkonte shpalljen si antikushtetues të regjistrimit të popullsisë, Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë censusin. Xhufi komenton gjithashtu vendimin e ditëve të fundit të kushtetueses për shfuqizimin e termit kombësi, qëndrimin e përfaqësuesve të minoritarëve grekë, ndodhjen e Shqipërisë pa kufij detar, negociatat e fundit të qeverisë me shtetin grek për kufijtë detar dhe problemet që ka vendi ynë për kufijtë me Malin e Zi.
Zoti Xhufi, Gjykata Kushtetuese ka zbardhur pak ditë më parë vendimin për shfuqizimin e termit kombësi nga dokumentet e gjendjes civile. Si e vlerësoni jo këtë vendim?
Ishte padyshim një vendim i drejtë i bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me standardet evropiane të mishëruara në kushtetutat e pothuaj të gjitha vendeve të BE si dhe në Rezolutat e Konventat e OKB dhe të Këshillit të Evropës, dhe me praktikat më të përparuara ndërkombëtare. Shqipëria përcaktohet në Kushtetutën e saj si vendi i të gjithë qytetarëve të saj, ku këta gëzojnë të njëjtat të drejta dhe kanë të njëjtat detyrime pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, gjinore, krahinore, kulturore. Në këtë mënyrë, qytetarit shqiptar, pavarësisht përkatësisë së tij kombëtare, i ofrohen të njëjtat shërbime dhe i kërkohen të njëjtat detyrime kur paraqitet në gjykatë, në zyrat e punës, në degën ushtarake, në sekretarinë e shkollës, në komisariatin e policisë, në zyrën e tatim-taksave, në njësitë e shërbimit shëndetësor etj,. etj,.
Kushtetuta jonë, pra, sanksionon statusin më të avancuar të qytetarit evropian. Ajo përjashton çdo lloj qëndrimi diskriminues ndaj qytetarëve të vetë për shkak të origjinës etnike dhe kjo është një nga arsyet bazike pse Kushtetuta e miratuar në vitin 1998 u mirëprit nga vendet dhe institucionet partnere ndërkombëtare. Mirëpo, siç dihet, pas të regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë e të pasurive të vitit 2001, pala greke bëri një presion konstant mbi qeveritë shqiptare në mënyrë që regjistrimi i ri, ai i vitit 2011, të përfshinte edhe zërat kombësi e besim fetar si element identifikues të qytetarëve shqiptarë. Siç dihet botërisht, në vitin 2004 z. Berisha asokohe në opozitë, iu nënshtrua presioneve të qarqeve nacionaliste greke, të përfaqësuara nga binomi Gaxojani-Dule dhe premtoi se me të ardhur në pushtet, do ta realizonte regjistrimin sipas matricës së hartuar në Athinë. Gjë që edhe e bëri, megjithë protestave dhe akuzave të hapura për tradhti të përsëritur kombëtare, që iu bënë nga personalitete e organizata të shumta në vend.
Nga organizatorët shqiptaro-grekë të këtij regjistrimi ishte parashikuar që do të ishin vetë qytetarët e pyetur që me një deklaratë të thjeshtë do të vendosnin se cila do të ishte kombësia e tyre. Kjo praktikë e thjeshtësuar do të bënte të mundur që numri i minoritarëve grekë të rritej ndjeshëm me të gjithë ata qytetarë shqiptarë që janë shqiptarë edhe me kombësi, por që në këta 20 vjet kanë marrë pensione e lehtësira të tjera nga shteti grek: pikërisht këtyre iu drejtua në prag të regjistrimit konsulli grek i Korçës, Ikonomou, duke u kërkuar me nota kërcënuese që të regjistroheshin si grekë. Në rast të kundërt, kuptohet, do të humbnin pensionet e lehtësirat e tjera për veten e familjarët e tyre që punojnë në Greqi.
Pikërisht, në vitin 2009, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me votat e shumicës-kukull një ligj të sjellë nga qeveria, i cili sanksiononte që në dokumentet e lëshuara nga gjendja civile të figuronte edhe zëri kombësi. Kështu pra, ky ligj do të mbyllte qarkun e do të ligjëronte me vulën e firmën e zyrave të gjendjes civile kombësitë e rreme të gatuara e të mundësuara nga regjistrimi që do të bëhej në 2011. Për fat të mirë të drejtësisë e të shqiptarisë, Gjykata Kushtetuese mori parasysh ankimimin e bërë për këtë çështje nga disa gjykata rrethesh, duke mbajtur edhe kësaj radhe një qëndrim parimor e profesional. Kështu, e shpalli si antikushtetues këtë ligj, që kishte për mision të noterizonte një të ashtuquajtur Shqipëri multietnike që ekziston vetëm në mendjet e antishqiptarëve. Dua të kujtoj që para disa muajsh Gjykata Kushtetuese kishte shpallur si antikushtetues edhe një ligj të vitit 2003, pra të qeverisë Nano, i cili lejonte që me anë të një vendimi të thjeshtë gjykate, të mund të ndryshohej kombësia. Ky ligj, që tregonte faqen tjetër të zezë të politikës së korruptuar e të rekrutuar shqiptare, binte gjithashtu në kundërshtim me Kushtetutën tonë dhe me ligjin ndërkombëtar, sipas të cilit kombësia nuk është një çështje e së drejtës, por një çështje fakti.
Përfaqësues të partive minoritare janë shprehur kundër vendimit të Kushtetueses dhe sipas tyre do ti drejtohen Gjykatës së Strasburgut. Cili është interesi i tyre për të mos u hequr termi Kombësi?
Për fat të keq përfaqësuesit zyrtarë të minoritetit grek, kryesisht, nuk përfaqësojnë interesat e komunitetit grek në Shqipëri, por ato të qarqeve nacionaliste e antishqiptare greke. Provoni të bëni një antologji të deklaratave të bëra në këto 20 vjet nga Dulet e Bollanot e Shqipërisë, e do të shihni se çhelm kanë vjellë ata kundër këtij vendi, qytetarë të të cilit ata janë. Kush mund ta besojë se një qytetari të thjeshtë minoritar në Dropull apo në Delvinë i intereson që himariotët, korçarët, që të gjithë ortodoksët shqiptarë e vllehë të regjistrohen si grekë, që minoritarin e thjeshtë e të ndershëm grek nuk e zë gjumi deri sa të shohë se po zbatohet marrëveshja hileqare për ndarjen e kufirit detar me Greqinë, apo protokolli për ngritjen e varrezave monumentale greke në Kosinë apo në Boboshticë, makar edhe duke përdhosur varret e vjetra të vendasve? Jo, këto nuk janë shqetësimet e vërteta të minoritetit grek, që dëshiron të jetojë në paqe e në vëllazëri me shqiptarët, siç ka jetuar në shekuj e në kohë shumë herë më të trazuara se ato të sotmet. Sa për drejtuesit e Omonias e të ndonjë organizate tjetër që i shkon pas avazit, këta duhet ta dinë se në historinë e saj të re, Greqia ka gllabëruar jashtëzakonisht shumë popullsi shqiptare, të cilat nuk i ka tretur akoma. Do ti plaste stomaku sikur të kërkonte të gllabëronte popullsi të tjera shqiptare me hiletë e demaskuara tashmë, siç është edhe kjo e regjistrimit të telekomanduar mbi bazë të vetëpërcaktimit të kombësisë apo ato të ligjeve të viteve 2003 e 2009, të saporrëzuara nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Sa i përket Strasburgut, jam i bindur që në atë gjykatë të nderuar evropiane ka shumë më tepër shans të ngjisë çështja tragjike çame, se sa një çështje me background të qartë nacionalist, siç është ajo e ndryshimit nën presion të panoramës etnike të Shqipërisë sipas orekseve otomano-bizantine të Athinës.
Siç dihet censusi ka përfunduar. Ndërsa nga ana tjetër kushtetuesja ka hedhur poshtë termin kombësi, i cili ndodhet gjithashtu si pyetje për qytetarët. A ka dështuar censusi?
Në dritën e këtyre dy vendimeve të drejta të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka hedhur poshtë si ligjin e vitit 2003 për ndryshimin e kombësisë me një vendim të thjeshtë gjykate, ashtu edhe ligjin e vitit 2009 mbi shënimin e kombësisë në dokumentet e lëshuara nga zyrat e gjendjes civile, shtrohet pyetja: a mund të jetë kushtetues një regjistrim, si ai i porsa zhvilluar në vjeshtën e vitit 2011, i cili së pari përfshin zërin kombësi në një dokument zyrtar, dhe së dyti lejon, madje nxit, ndryshimin e kombësisë së të intervistuarit me një deklarim të thj
