Rezistenca jonë s’do manipulohet me karamelet dhe copat e kekut

Deputeti i PS, i përjashtuar nga forumet drejtuese dy javë më parë, Andis Harasani paralajmëron vazhdimin e aksionit të “mendimit ndryshe”, kundër modelit drejtues të PS-së nga, Edi Rama
“Ngjyrë e re – mur i vjetër”, këto katër fjalë janë gjetur si të mjaftueshme për Andis Harasanin që t’i bëjë një analize të plote dhe kritikë të forte lëvizjeve politike të Edi Ramës. Një ndër të përjashtuarit nga kryesia dhe sekretariati i Partisë Socialiste pas kongresit dhe asamblesë thotë gjatë një interviste për mediat, se telenovela e Ramës, po bëhet e rëndomtë dhe aspak befasuese me personazhet e tij. “Nuk shoh reflektim nga lidershipi i PS-së, por vetëm një përdorim ngjyrash të reja mbi të njëjtin mur të vjetër…Antiberishët dhe antiramët u votuan më shumë nga të gjithë, por kush nuk u votua nuk u mor vesh, edhe antiberishët edhe antiramët apo as antiberishët dhe as antiramët. Askush nuk e tha që nga sekretariati të gjithë ikën përveç Fatmir Xhafaj dhe Blendi Klosit, pra edhe në 2009 dhe edhe në 2011 organizimi dhe koordinimi kanë qenë perfekt, natyrisht edhe Kryetari kurse gjithçka tjetër nuk ka funksionuar?!, thotë Harasani duke vazhduar. Kjo në fakt është mënyra më manipulative e të bërit politikë. Të largosh ata të cilët kanë staturën për t’i thënë gjërat me emrin e tyre dhe të afrosh ata që impostohen vetëm se të mbushin me ledhe është si të zëvendësosh pasqyrën me letrën e aluminit me argumentin se kjo e fundit është me fleksibël”. Përkundër kësaj, Harasani shprehet se opsioni i debatimit të çështjeve, dhe qëndrimi kritik prej tij dhe kolegëve do të vazhdojë, pavarësisht tendencave për diversion e përçarje apo në disa raste, edhe shpërndarje karamelesh e ‘copa keku’, siç ndodhi në Asamblenë e fundit, kur ofroi diçka për të dhe asgjë për Islamin. “…Kur folëm pas zgjedhjeve të 2009 na kritikuan përse folët “pas pilafit” tani duhet të heshtni. Kurse kur folëm në 2011 para zgjedhjeve na thanë “duke folur ju PS humbi”; pra mesazhi është në çdo rast heshtni, pra jepini “gomarit ujin që do vetë, as të ngrohtë dhe as të ftohtë, ndërkohë që as vetë gomari nuk e di se çfarë uji do”. … Rama i largoi “armiqtë” e tij, por çuditërisht, tani po operon me idetë e tyre. Duke nisur qe me fundin e bojkotit, me kthimin në Kuvend dhe votimin e ligjeve të nevojshme për integrimin e vendit”, shprehet Harasani. I pyetur për mundësinë e një largimi të mundshëm nga PS-ja dhe krijimi i një force të re politike, Harasani thekson se të gjitha mundësitë janë të hapura në funksion të mirëqeverisjes së vendit. Për të sqaruar më mirë pozicionin e tij apo dhe të z. Islami, Harasani thekson se ata nuk kanë bërë asgjë më shumë sesa kanë qenë të sinqertë me veten, me votuesin socialist dhe me gjithë qytetarët, ndryshe nga shumë të tjerë që pranojnë poshtërimin e vetes. “Po të ishte se më nevojitej të isha në kryesi, e dija mirë mekanizmin sesi do ta realizoja një gjë të tillë. Shumë të tjerë e bënë. Sepse shumëkush vrapon drejt një karrigeje, shpesh edhe pa parë se i ndodh të ulët në këmbët e saj. Shpesh ato lloj karrigesh janë të përmbysura”, thotë Harasani. Duke sqaruar refuzimin e kryesuesit të grupit të punës për energjinë në PS, Harasani tha se zgjodhi të bënte atë që do të kishte bërë dhe Rama. Por sipas Harasanit, ofrimi i këtij posti për të ishte tipik i parimeve komuniste, për t’u mbyllur mendjen dhe gojën njerëzve. “…sikur dikush t’i thoshte Ramës të provonte të kandidonte për kryetar komune diku, ai i pari nuk duhej të pranonte sepse do të ulte standardin. E njëjta gjë dhe për mua… Vetëm në ushtrinë e Enver Hoxhës të ngritur sipas parimeve komuniste, thuhej se ushtari nuk duhej lënë fare pa punë, që dhe kur nuk kishte asgjë për të bërë, duhej të detyrohej të bënte diçka, qoftë dhe të padobishme sepse ndryshe, do të fillonte të mendonte”, tha ai. Ai shkon edhe më tej kur thotë se programi i ri politik i PS-së nuk përmbush qëllimin e tij final si dhe nuk shton asnjë votë në kuti. Dhe kjo pasi ka një problem kryesor, dokumenti është një përmbledhje, që i mungojnë detajet, kur zakonisht, puna nis me detajet për të bërë sintezën. Harasani s’lë pa komentuar dhe veprën e fundit të Ramës, të titulluar “Kurban”. Sipas deputeti socialist, lidershipi i selisë rozë, është i pasinqertë dhe selektiv në rrëfimet e tij. “Aty gjen faqe të tëra për një drejtor telekomi, por asnjë rresht për zgjedhjen e Topit si president, që ka qenë një nga momentet më të rëndësishme politike në karrierën e Ramës. Në libër përshkruhet me ngjyra të ndritura një kryetar fshati në një komune dhe nuk flitet një rresht për betejën me Ngjelën dhe akuzat e Ngjelës pas fushatës së 2003-it ose qoftë dhe një fjalë për njerëzit që e ndihmuan Ramën më shumë në fushatën e 2007-ës dhe 2011-ën për Tiranën”.
...