E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitari: Më torturuan e më hodhë në rrugë

BANDA E LUSHNJES
Adem Arapi, miku i kundërshtarit të Aldo Bares, rrëfeu dje rrëmbimin dhe torturat ndaj tij të kryera nga banda e Aldo Bares


TIRANË- Një nga personat e rrëmbyer prej "Bandës së Lushnjes në vitin 1998, i thirrur si dëshmitar i prokurorisë, rrëfeu dje tmerret që kishte përjetuar në kohën që ai ishte marrë peng, për të treguar vendndodhjen e mundshme të mikut të tij Gramoz Selmani.


Seanca e 76 gjyqësore në ngarkim të shtatë të pandehurve të akuzuar si pjesëtarë të "Bandës së Lushnjës", vazhdoi dje me rrëfimin e Adem Arapi, që tregoi për Gjykatën e Krimeve të Rënda, terrorin e dhunën e ushtruar ndaj tij nga të pandehurit e këtij procesi.


I thirrur me cilësinë e dëshmitarit të akuzës, Adem Arapi me banim në qytetin e Lushnjës, i njohur edhe si miku i familjes së Gramoz Selmanit, armikut të Aldo Bares për shkak shoqërisë që kishte me Artur Dajën, ky i fundit i vrarë për të cilën përgjegjëse është bërë banda e e Alfred Shkurtit.


"Në shkurt 1998 më thërret Arben Boriçi i cili ishte bashkë me Ilir Stërgun,

tek "Xhamlliku", kur unë sapo kisha dalë nga shtëpia. Ata ishin nisur për tek shtëpia ime. Më thanë "hajde me ne", dhe më hipën në një makinë pa targa, llojin e së cilës nuk e mbaj mend.


Më çuan tek një garazh, afër policisë, ku më lidhën duart me pranga pas shpine dhe më torturuan në një mënyrë që nuk e di si ta përshkruaj. Aty ishte Arben Boriçi, Ilir Stërgu, Ledi Nurçe edhe ai që ishte njëshi i torturës, që tashmë nuk jeton më, Leonard Prifti.


Më goditën me një bisht lopate dhe me shkelma.


Më kërkonin t'i tregoja se ku ndodhej Gramoz Selmani, se ai ishte kunati i motrës sime. Unë edhe pse nuk dija gjë dhe në të vërtetë nuk e dija ata më torturonin jashtë mase.Nga torturat dhe goditjet kam humbur ndjenjat dhe më kishin hedhur në rrugë. Më vonë mësova se disa banorë më kishin dërguar në spital për të më mjekuar. Aty qëndrova shumë pak ditë, pasi mjekët kishin frikë të më mbanin.


Më pas mjekohesha në shtëpi",-nënvizoi ndër të tjera dëshmitari Arapi, duke përsëritur disa herë se "më qëllonin pa dhimbje". "Përveç rrahjes dhe hedhjes në rrugë, gjatë kohës që mjekohesha në shtëpi aty vinin çdo dy ditë "ushtarët" e bandës si Prifti e Nurçe, dhe më pyesnin për vend ndodhjen e Selmanit.


Ata mbanin pistoleta në duar dhe dërgoheshin nga drejtuesi i tyre Alfred Shkurti"-tha Arapi, duke shtuar se këtyre pyetjeve për Selmanin nuk i ka shpëtuar as bashkëshortja që tashmë nuk jeton. "Ushtarët" e Fredit, përveç pyetjeve që më bënin mua, e merrnin tek grazhdi i tyre edhe bashkëshorten time Kujtime Arapin, të cilën e pyesnin për Gramoz Selmanin.


Ajo më ka thënë se te garazhi ishte edhe Alfred Shkurti, pasi ajo e njihte mirë se kishin punuar bashkë tek fabrika e tullave në Lushnje"- mbylli dëshminë e tij Adem Arapi, një nga personat që sipas akuzës është rrëmbyer dhe torturuar nga Banda e Lushnjes. Në fund Arapi i pohoi gjykatës se kjo ishte paraqitja e fundit e tij përpara tyre duke i kërkuar trupit gjykues të mos e kërkonte më pasi nuk do të paraqitej.

Ish- aksionerët e Lagunës

Aldo Bare përvetësoi lagunën me pretekstin e marrjes në ruajtje
Pas sigurimit të dëshmisë së Arapit, prokuroria në mungesë të paraqitjes së dëshmitarëve të tjerë, lexoi dy procesverbalet e marrjes në pyetje gjatë fazës hetimore të dy shtetasve Alfred Gjoni e Naum Prendi, ish-aksionerë dhe punonjës të lagunës së Karavastas e blerë nga Aldo Bare.


"Në Lagunë, ishim edhe punëtorë edhe aksionarë. Pasi të ardhurat e fituara në muaj ndaheshin nga ekonomistët. Kur ndodhën trazirat e vitit 1997 ne e ruajtëm lagunën. Më pas, në Lushnje kishin nisur vrasjet nga grupi i Alfred Shkurtit. Ne u frikësuam nga këto ngjarje, ndërsa një ditë erdhën të gjithë anëtarët e kësaj "bande" dhe na thanë që t'iu firmosnim ca letra për të kaluar lagunën nën ruajtjen e Aldo Bares.


Ne firmosëm dhe morëm nga 60 mijë lekë të reja, por nuk e dinim që ia kishim shitur Aldo Bares",-thuhet në dëshmitë e dy ish-punonjësve të lagunës, që nuk ndodheshin në Shqipëri për të dëshmuar para togave të zeza, për procesin gjyqësor të nisur që në prill të vitit 2007.


Sipas akuzës, shtatë të pandehurit e kësaj dosjeje: Arben Boriçi, Ilir Stërgu, Afrim Hoxha, Erion (Niko) Cici, Arjan Aliço, Jorgo (Agur) Muzaka (Musaku) dhe Rexhep Gina, akuzohen si pjesëtarë të "bandës" së Lushnjës dhe kryerjen e një sërë krimesh të rënda në emër të kësaj bande që drejtohej nga Aldo Bare tashmë i arrestuar për llogari të shtetit shqiptar në Turqi, ku po vazhdon betejën ligjore të mos ekstradimit të tij në Shqipëri.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›