E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: “PD dhe PS të mos luajnë me zjarrin”

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim vazhdon serinë e akuzave për Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike. Pas deklaratave të kreut të LSI-së, edhe nënkryetari i kësaj partie, Pëllumb Xhufi, paralajmëron se për faj kryesisht të Qeverisë, Shqipëria do të marrë një tjetër notë negative në vlerësimet e BE e të partnerëve të tjerë ndërkombëtarë për sa i përket sfidës së përhershme të zgjedhjeve, që qëndron si shpata e Damokleut mbi të ardhmen evropiane të vendit. “Reforma Zgjedhore, që në tërësinë e saj duhej të kishte përfunduar përpara samitit të NATO-s në Bukuresht, po zvarritet në mënyrë të papërgjegjshme. Për faj të qeverisë, por edhe të nënkontraktorëve të saj, ne po i afrohemi fundit të vitit pa regjistër elektronik, pa karta identiteti, pa kod zgjedhor dhe me ndryshime të tilla në Kushtetutë e në sistemin zgjedhor, që paralajmërojnë jo stabilitet, por destabilitet të politikës e të institucioneve”, - tha Xhufi. Mbi të gjitha, sipas tij, Qeveria ka rënë në inercinë e zgjedhjeve të dështuara të 2005-ës e 2007-ës. Numri dy i LSI-së tha se procesi i reformës po trajtohet si një biznes përjashtues, si një operacion marrje e dhënie mes po atyre shpërdoruesve dhe matrapazëve të votës së shqiptarëve, që jemi mësuar të shohim në çdo takim elektoral. Vetëm një qasje e tillë e pandershme, sipas tij, shpjegon faktin që thirrjet e përsëritura, që LSI i ka drejtuar lidershipit të Partisë Socialiste për të organizuar një debat të hapur mbi çështjet më thelbësore të Kodit Elektoral, kanë ndeshur në një heshtje prej nënkontraktorësh të kapur. Për Xhufin u ka ikur koha allishverisheve me zgjedhjet, sepse kësaj radhe, askujt nuk do t i lejohet të luajë me zjarrin.
Ky lajm është publikuar: 20/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›