E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Meta, një vegël në duart e Berishës”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Jemi të detyruar të mos heshtim e t u themi qytetarëve shqiptarë se Ilir Meta po thellon hendekun me socialistët e progresistët e këtij vendi, duke hedhur përditë baltën e politikës së vjetër mbi PS-në dhe duke treguar përditë me fjalët e tij se përpara interesave të veta personale nuk njeh asnjë interes të vendit e as të qytetarëve. Kështu Iliri po bëhet një vegël e verbër në duart e Sali Berishës”

Zgjedhjet e vitit 2009 po afrojnë, por duket se Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim po largohen përditë e më shumë nga njëra-tjetra. Ftesa e bërë pak kohë më parë nga LSI për të diskutuar lidhur me Reformën Zgjedhore dhe më gjerë, ka mbetur pa përgjigje. Duket se PS nuk ka asnjë interes për të diskutuar këtë çështje me aleatët e saj të zgjedhjeve të 2005-ës. Komunikimi i tyre tashmë vazhdon, por jo në tryezë, por me deklarata mediatike duke kritikuar dhe sharë njëra-tjetrën. Ilir Meta po kthehet në një vegël në duart e Sali Berishës duke hedhur baltë mbi Partinë Socialiste. Ky ishte reagimi që ka ardhur dje nga selia rozë pas akuzave të Lëvizjes Socialiste për Integrim mbi bashkëpunimin PS-PD për Reformën Zgjedhore. Zëdhënësja e Kryesisë socialiste, Mimi Kodheli, pohoi dje se kreu i LSI-së po e thellon hendekun mes socialistëve e progresistëve duke vënë interesat personale mbi ato të vendit. Reagimi i Kodhelit erdhi pas akuzave të numrit dy të LSI-së, i cili tha se dy partitë e mëdha po e kthejnë Reformën Zgjedhore në një biznes. Të njëjtën ide përcolli dy ditë më parë dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili kundërshtoi bashkëpunimin PS-PS. Ai konfirmoi se LSI nuk i druhet asnjë lloj bashkëpunimi, pasi është e përgatitur për të gjitha mundësitë që mund të prodhojë një bashkëpunim Rama-Berisha.
Deklarata
“Jemi të detyruar të mos heshtim e t u themi qytetarëve shqiptarë se Ilir Meta po thellon hendekun me socialistët e progresistët e këtij vendi, duke hedhur përditë baltën e politikës së vjetër mbi PS-në dhe duke treguar përditë me fjalët e tij se, përpara interesave të veta personale, nuk njeh asnjë interes të vendit e as të qytetarëve. Kështu Iliri po bëhet një vegël e verbër në duart e Sali Berishës”, - tha dje Kodheli. Po kaq i ashpër ka qenë reagimi i zëdhënëses së kryesisë socialiste dhe dy ditë më parë kur ajo deklaroi se, nëse ka një bashkëpunim të degjeneruar në politikën shqiptare, janë pazaret e ulëta mes udhëheqësish që shahen për interesa krejt personale e pastaj lëpijnë atë që kanë pështyrë për hir të pushtetit personal. “Ilir Meta quan të degjeneruar një bashkëpunim parlamentar që kërkohej tash e 17 vjet për reformat e integrimit në NATO e BE, kurse ne degjenerim quajmë politikën e batakut të shpifjeve e të fyerjeve dhe të pazareve mes atyre qe kanë 17 vjet që ndahen si armiq e patohen si miq për kokë, thjesht dhe vetëm për interesa personale”, - tha ajo. Dy ditë më parë, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, përsërit kundërshtimet e tij për bashkëpunim mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për Reformën Zgjedhore. Sipas tij, ky bashkëpunim i dy forcave kryesore ka në bazë të tij trafikimin e votës së shqiptarëve. Megjithatë, Meta konfirmoi se LSI nuk i druhet asnjë lloj bashkëpunimi, pasi është e përgatitur për të gjitha mundësitë që mund të prodhojë një bashkëpunim Rama-Berisha. Madje, ai shtoi se, nëse PS vazhdon të ecë në të njëjtën rrugë, atëherë partia e tij do t u bëjë të qartë të gjithë shqiptarëve rolin e socialistëve si nënkontraktorë të Berishës për të dëmtuar interesat e opozitës dhe të demokracisë. Meta rezervoi kritika të ashpra edhe për kryeministrin Sali Berisha, duke e cilësuar analizën 7-mujore të Kryeministrit si një bilanc negativ për Shqipërinë. Kreu i LSI-së shtoi më tej se Kryeministri i bëri fakte të kryera edhe reforma që në të vërtetë nuk kanë njohur zhvillim siç janë kartat e identitetit dhe Reforma Zgjedhore. “Ne nuk i druhemi asnjë lloj bashkëpunimi ndërmjet Berishës dhe lidershipit të Partisë Socialiste, pasi jemi të përgatitur dhe jemi të qartë për të gjitha mundësitë që mund të prodhojë një bashkëpunim i tillë, i degraduar dhe i degjeneruar deri tani, që degjeneroi Kushtetutën e shqiptarëve dhe sakrificat e tyre për të pasur një Kushtetutë demokratike dhe evropiane dhe që synon të degjenerojë edhe votën e shqiptarëve përmes kulisave që kanë zhvilluar lidershipët e tyre dhe përfaqësuesit e tyre deri tani”, - pohoi dje Meta lidhur me deklaratën e Xhafës për të vazhduar bashkëpunimin me PD për Reformën Zgjedhore.
Ky lajm është publikuar: 20/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›