E Diel, 1 Nëntor 2026

Nën akuzë për korrupsion 377 zyrtarë

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Gjatë këtij viti janë vënë nën akuzë 377 persona të dyshuar për korrupsion. Mesatarisht çdo ditë janë marrë të pandehur apo janë proceduar në gjendje të lirë tre zyrtarë, të akuzuar për shpërdorim detyre apo korrupsion pasiv. Shifra është bërë publike nga vetë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, gjatë analizës gjashtëmujore të dikasterit që drejton. Sipas të njëjtave burime, mësohet se gjatë të njëjtës periudhë janë evidentuar 232 vepra penale dhe proceduar 377 të dyshuar. Në pjesën më të madhe të operacioneve gjatë këtij viti janë vënë në pranga të dyshuar jo vetëm për shpërdorim detyre, por dhe marrje ryshfeti.
Akuza
Kanë akuza të njëjta, atë të korrupsionit pasiv dhe aktiv, si dhe kryesorin, shpërdorim të detyrës. Disa nga të arrestuarit kanë marrë edhe vendimin e gjykatës dhe janë dënuar ose me burg, ose me gjobë. Madje, disa prej tyre janë dënuar me kohën e paraburgimit dhe më pas janë lënë të lirë. Ndërkohë disa të tjerë vazhdojnë të gjykohen në gjykata të ndryshme të qytetit ku janë arrestuar.
Të arrestuar
Gjatë operacioneve të policisë kanë rënë në pranga si të dyshuar nga zyrtarë të rangut më të lartë deri te nëpunës të thjeshtë bankash. Në analizën e Ministrisë së Brendshme mësohet se hetimet janë kryer me metodat e përgjimit dhe të dyshuarit janë arrestuar në kushtet e flagrancës. Sipas të njëjtave burime, mësohet se në disa prej rasteve, të dyshuarit janë proceduar në gjendje të lirë, edhe pse ndaj tyre kanë rënduar akuza për korrupsion e shpërdorim detyre.
Mashtrimi
Gjatë këtij viti, ndër veprat penale më të përhapura, kanë qenë mashtrimet përmes bankave. Agjentë kredish e punonjës bankash kanë abuzuar me detyrën duke marrë me anë të mashtrimit kredi në shuma të konsiderueshme. Një ndër operacionet më të suksesshme ishte dhe “Matriks”, gjatë të cilët janë vënë në pranga 2 persona, të cilët përmes klonimit të karteve të bankomatëve kishin prekur rreth 400 llogari bankare duke vjedhur shuma të konsiderueshme parash.
Ky lajm është publikuar: 20/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›