Sheshi Skënderbej, shumë afër përplasja e madhe

E pashmangshme duket përplasja mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës për punimet në sheshin “Skënderbej”, të cilat në dukje vazhdojnë të qeta e të patrazuara. Por bllokimi i tyre nga pushteti qendror mbetet thjesht çështje ditësh.
Përfaqësues të qeverisë “Berisha” kanë paralajmëruar një ditë më parë se do të mbahet “premtimi” për të mos e lejuar Bashkinë e Tiranës të realizojë planin belg për sheshin qendror të kryeqytetit. Një tjetër “Zog i Zi”, këtë herë në kilometrin zero, pritet të vërë përballë dy pushtetet me policitë përkatëse.
Këshilltari i Kryeministrit për Territorin, Flamur Kuçi, u shpreh se pas përfundimit të afatit të pezullimit që është aktualisht në fuqi, radha do t’i vijë ndërhyrjes nga Inspektorati Urbanistik, i cili pritet të ndërpresë punimet në shesh.
“Ka një vendim të ndërmjetëm pezullimi të këtyre veprimeve që janë veprime të paligjshme deri në vlerësimin total të tyre. Në qoftë se nuk respektohet ai vendim, do kërkohet dokumentacion shtesë. Në mungesë të këtij dokumentacioni do të ketë bllokim të punimeve”, deklaroi këshilltari Kuçi. Sipas tij, në qoftë se do të vazhdohet me persistencë në veprime të tilla joligjore, qeverisë nuk i ngelet asnjë rrugë tjetër përveçse të garantojë zbatimin e ligjit dhe të një tërësie të ligjeve në Shqipëri. Ndërkohë që këshilltari i Kryeministrit për Territorin ka nxituar të përmendë edhe pakënaqësitë që ka qeveria lidhur me planin që po zbatohet për sheshin kryesor të Tiranës.
“Plani paraqet defiçenca të mëdha, tha përfaqësuesi i qeverisë. Me këtë lloj modeli ai shesh do të përfundojë në një shesh pa funksion, në një shesh të karakterizuar nga tekat personale dhe jo për t’i dhënë një funksion të mirëfilltë ku njerëzit takojnë njëri-tjetrin dhe të marrë një lloj gjallërie sheshi”. Kuçi theksoi mes të tjerash se projekti belg për sheshin “Skënderbej”, paraqet defiçenca të mëdha sidomos në adresimin e çështjes së trafikut dhe të transportit.
Në betejën e radhës për sheshin “Skënderbej” pas Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit është rreshtuar edhe Ministria e Mjedisit. Zëvendësministri Aleksandër Garuli, në një dalje publike, u shpreh se Bashkia e Tiranës nuk ka marrë asnjë leje mjedisore nga ky institucion. Sipas tij, pretendimet e bashkiakëve kryeqytetas se disponojnë të gjithë dokumentacionin përfshi edhe atë të lejes mjedisore nuk qëndrojnë, pasi kjo leje nuk është miratuar.
Nga ana tjetër, drejtues të Bashkisë së Tiranës vazhdojnë të theksojnë se i gjithë dokumentacioni ligjor për sheshin është i disponueshëm prej tyre, përfshi këtu edhe lejen mjedisore, dokumentet për të cilën u depozituan pranë Ministrisë së Mjedisit që një vit më parë.
Por duket se me leje mjedisore ose jo, qeveria po numëron mbrapsht ditën kur do të dërgojë Inspektoratin e saj për të ndaluar lopatat që prej disa ditësh kanë nisur të gërmojnë nën këmbët e Skënderbeut mbi kalë.
#