E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi akuzon Berishën se po rrezikon zgjedhjet

Subvencionimi i kartave falas, sjell më tepër konfuzion, zgjedhjet të rrezikuara
Partia Socialiste në mënyrë të përsëritur ka shprehur shqetësimin e saj se i gjithë zhvillimi i procesit zgjedhor rrezikon seriozisht zgjedhjet e 28 Qershorit.  Kështu, deklaroi dje Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS, Gramoz Ruçi.  Sipas tij, këto zgjedhje rrezikohen seriozisht, si rezultat i mungesës së vullnetit politik të mazhorancës aktuale dhe lidershipit Sali Berisha, me synimin e vetëm, manipulimin e rezultatit të 28 Qershorit. Ruçi sistemin e aplikimit për letërnjoftimet elektronike për shtetasit shqiptar, e ka cilësuar një çorganizim të organizuar nga qeveria aktuale. Zgjedhet e 28 Qershorit sipas Ruçit, janë të rrezikuara, sepse duhet të ishin hapur prej kohësh në të gjithë territorin e Shqipërisë 331 qendra aplikimi, ndërkohë që janë hapur vetëm 143 të tilla, ose janë hapur në 40 % të territorit, kurse në 60 % të territorit jo. Gjithashtu, tha ai, listat e votuesve shqiptarë pa pasaportë, të shpërndara nga Ministria e Brendshme janë me defekte skandaloze, ku mungojnë në to mbi 200 mijë zgjedhës. Ruçi deklaroi se deri më sot nga shtetasit që nuk kanë pasaportë, kanë aplikuar vetëm 150 mijë, nga 729 mijë që deklaron Ministria e Brendshme, e barabartë kjo vetëm me 20 % të tyre, dhe nga 900 mijë që janë realisht pa pasaportë, kur kanë ngelur vetëm 62 ditë pune për të aplikuar.Sipas tij në procesin zgjedhor, ka një mungesë totale transparence nga pikat e aplikimit në zbatim të urdhërit qeveritar dhe në pikat që funksionojnë, ka mungesa të qëllimshme të energjisë elektrike dhe të funksionimit të internetit. Në bazë të konstatimeve, Ruçi deklaroi se ka moszbatim të orarit nga operatorët, ka mungesa të operatorëve, ka pika vetëm me një operator, me qëllim për të sorrollatur dhe mërzitur qytetarët aplikues. Ky proces zgjedhor është në rrezik, sepse ky proces nuk është në shërbim të qytetarëve, si rezultat i barrierave administrative që mërzisin dhe demotivojnë aplikuesit, u shpreh Ruçi, duke shtuar se ky proces është në rrezik për shkak të shkeljes së të drejtës së votimit, për qindra mijëra shqiptar të varfër që nuk blejnë dot letërnjoftimet. Ruçi e ka përgëzuar hyrjen për pak ditë të Shqipërisë në NATO, duke e cilësuar se është vërtetë një arritje historike e të gjithë shqiptarëve, ashtu sikurse është një ëndërr e bukur për të gjithë ne. Shqipëria në NATO nuk është një slogan elektoral i pushtetarëve, duke lënë zgjedhësit pa votuar. Shqipëria në NATO është për të gjithë qytetarët shqiptar, edhe për ata qytetar që për shkak të varfërisë, kërcënohen në të drejtën e tyre për të votuar më 28 Qershor, edhe pse PSSH, ka kërkuar dhe vazhdon të kërkoj që këto karta të jepen falas, u shpreh Ruçi. Lidhur me aplikimin e kartave falas, Ruci tha se  në vend që qeveria të miratojë propozimin nga subjekti ynë politik, ajo i përgjigjet me gjysëm lehtësira, që më shumë e komplikojnë dhe vështirësojnë procesin, se sa e zgjidhin atë. Duke iu referuar kryeministrit Berisha, Ruçi u shpreh se të mos bëj shurdhin dhe as memecin, por të dëgjojë zërin këmbngulës të opozitës, për të mos shkelur të drejtën e shenjtë për të votuar dhe të heqë një herë e përgjithmonë nga mendja e tij, shpresën për të manipuluar zgjedhjet e 28 Qershorit. Sali Berisha të mos luaj me zjarrin. Ai theksoi se Partia Socialiste është pikërisht për zgjedhjet e lira dhe demokratike dhe do të jetë në krye të barrikadës për realizimin me sukses të këtyre zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›