E Shtunë, 31 Tetor 2026

KZAZ, LSI e PBDNJ depozitojnë emrat e komisionerëve

Paraqitja e emrave prej LSI-së dhe PBDNJ-së zgjidh në mënyrë përfundimtare problemin e KZAZ-ve


TIRANË- Procesi i zgjedhjeve të pjesshme vendore ka hyrë së fundmi në rrugë të mbarë. Pavarësisht se jashtë çdo afati ligjor, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kanë paraqitur dy ditët e fundit kandidatët e tyre për anëtarë të Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, duke i krijuar mundësi KQZ-së që të miratojë tashmë përbërjen e këtyre komisioneve, që në zgjedhjet lokale marrin një rol kyç, pasi ato duhet të administrojnë edhe kandidatët për kryetar të njësive vendore.


Burime pranë KQZ-së kanë konfirmuar këtë lajm duke bërë ë ditur njëkohësisht se shumë shpejt, ndoshta brenda ditës së sotme do të bëhet edhe miratimi i propozimeve të LSI-së dhe PBDNJ-së.


Paraqitja e emrave prej këtyre dy partive, zgjidh në mënyrë përfundimtare problemin e KZAZ-ve, që ishte krijuar për shkak të bojkotit të socialistëve. Me prezencën e komisionerëve të tre partive politike, KQZ-ja arrin të krijojë shumicën e duhur në të gjitha komisionet, jo vetëm në ato ku PD-ja në bazë të shortit mori shumicën, por edhe në ato të tjerat, ku kjo shumicë i ra PS-së.


Kështu, në rastin më të keq KZAZ-të do të kenë 4 anëtarë dhe në rastin më të mirë 5. Kjo është një zgjidhje provizore, pasi më pas me ngritjen e KZAZ-ve, KQZ-ja me kompetencën që i jep ligji ka mundësi të plotësojë edhe vendet vakante, që mbeten nga mosparaqitja e komisionerëve socialistë.


Nga ana tjetër, kjo zgjidhje e minutave të fundit nuk rikuperon dot afatet e tjera ligjore, që janë shkelur siç është edhe ai i paraqitjes së kandidatëve për kryetar të njësive vendore.


Kjo për vet faktin se afati ka skaduar gjatë ditës së djeshme, kur partitë pjesëmarrëse në këtë garë duhet të kishin paraqitur kandidatët e tyre pranë KZAZ-ve. Zgjedhjet e pjesshme do të zhvillohen për kryetar në njësinë bashkiake nr.


10, Tiranë, për kryetar bashkie në Bashkinë Klos, për kryetar bashkie në Bashkinë Fushë - Arrëz, për kryetar komune në Komunën Fierzë dhe për kryetar komune në Komunën Otllak, vende të cilat kanë mbetur bosh pas zgjedhjes së ish-drejtuesve të tyre deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme KQZ-ja ka programuar që të miratojë buxhetin për këto zgjedhje.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›