Xhuveli: PAA pjesë e mazhorancës qeverisës në zgjedhjet e qershorit
PAA është në koalicion me Partinë Demokratike dhe perspektivat janë gjithnjë në rritje, në realizimin e zhvillimeve në fushën e bujqësisë dhe mjedisit. Kjo ka qenë deklarata e kryet të Partisë Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli, njëkohësisht Ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave i cili deklaroi se bashkëpunimi me PD-në ka qenë produktiv dhe do të jetë pjesë e maxhorancës duke mbështetur njëri-tjetrin.
Në bazë të rezultateve do të mbajmë peshën dhe përgjegjësinë në shumë institucione, u shpreh Xhuveli gjatë një takimi të zhvilluar në qytetin e Elbasanit, për zgjedhjen e kryetarit të kësaj partie në rang qarku, si dhe të degës së Elbasanit. Ndër të tjera, ai ka përmendur edhe faktin e ndotjes në këtë qytet, ku ka veçuar se Elbasani renditet tashmë në krye të listës për investimet e kryera në mbrojtjen e mjedisit, ku sipas tij kjo gjë është arritur me projekte ambicioze për zhvillimin e qëndrueshëm dhe politikat europiane për mbrojtjen e mjedisit, që PAA ka arritur të materializojë duke qenë pjesë e koalicionit qeverisës. Në fund të këtij takimi, me konsensus anëtarët e kësaj partie kanë rizgjedhur kryetar të PAA- së për qarkun e Elbasanit Shkëlqim Elezin, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, dhe kryetar të degës së kësaj partie për qytetin e Elbasanit Sotir Panxhin.