E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli : Rama sekser i lejeve të ndërtimit

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, anëtarësimin në NATO e ka cilësuar si një ngjarje të madhe historike, ndërsa sulmoi kryesocialistin Rama, i cili ishte i vetmi që nuk e përshëndeti këtë paketë. "Më vjen keq që alternativa tjetër e një partie që është e konsiderueshme, të drejtohet nga një njeri, i cili nuk është asgjë më shumë sesa një dispeçer korrupsioni dhe një sekser i lejeve të ndërtimit. Ne ia dolëm për Shqipërinë në NATO, ne ia dolëm të ndryshojmë vendin tonë", tha Jozefina Topalli.
Lidhur me debatin televiziv të kreut të PS, Topalli ka theksuar se, shqiptarët patën rastin të ndiqnin në një debat televiziv, një individ që nuk thoshte "asgjë", sepse sipas saj të gjithë deputetët e tjerë dhe çdo socialist i thjeshtë që ata përfaqësojnë, janë njerëzit më krenar të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. E rrethuar nga entuziazmi i banorëve të Blinishtit, kryetarja e Kuvendit tha se gara e NATO-s u fitua me sukses nga të gjithë shqiptarët. Gjatë këtyre takimeve, kryeparlamentarja i ka njohur banorët me arritjet e qeverisë në politikat fiskale, që ajo ka ndjekur duke bërë që vendi ynë sipas saj të ketë një rritje të vazhdueshme ekonomike. Sipas Topallit, një nga përpjekjet e mëtejshme të qeverisë, do të jetë ulja e papunësisë, ku ndër të tjera kryeparlamentarja ka përmendur arritjet e qeverisë dhe reformat, duke thënë se në këtë mënyrë Shqipëria po ndryshon. Ne premtuam se do ta ndryshojmë Shqipërinë dhe atë e bëmë. Ne thamë që do luftojmë korrupsionin dhe kemi patur rezultate të jashtëzakonshme të vlerësuar nga Transparency Internacional dhe nga institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare, nga mbledhjet e ministrave të Jashtëm, dhe beteja jonë e luftës kundër korrupsionit gjatë këtyre 4 viteve, nuk ka qenë e lehtë, u shpreh ajo. Në takimet që ka zhvilluar me banorë të komunave Balldren, Blinisht, dhe Shën Kollit në Lezhë, kryeparlamentarja u shpreh se kjo ngjarje është fryt i reformave të ndërmarra këto katër vjet, dhe sipas saj kjo qeveri kërkon mbështetjen e banorëve, për hapa të tjerë në vazhdim. Banorët e komunave Balldren, Blinisht dhe Shën Koll të Lezhës i kanë shprehur kryeparlamentares vlerësime për diplomacinë parlamentare dhe për kontributin e kuvendit, në forcimin e kujtesës kombëtare ndaj krimeve të diktaturës komuniste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›