Xhuveli në Berat, premton mbylljen e guroreve të paligjshme
Në kuadër të analizave vjetore të ndërmarrjes dhe agjencive të mbrojtjes të ambientit, ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli ka qenë dje në qytetin e Beratit, në një takim pune për tu njohur me aktivitetet që ushtrohen në këtë qark nga bizneset dhe që rrezikojnë ndotjen e mjedisit dhe pyjeve Gjatë takimit të zhvilluar mesditën e djeshme në prefekturën e Beratit, ministri Xhuveli ka tërhequr vëmendjen për të shtuar më shumë kontrollet në aktivitetet që ndotin mjedisin siç janë guroret, zona përreth ish- uzinave të Poliçanit dhe kombinatit,
zona naftëmbajtëse në Kuçovë, zona e nxjerrjes së gurit dekorativ në Skrapar dhe shfrytëzimi të shtretërve të lumenjve për përpunimin e inerteve. Xhuveli është shprehur se nga ana e strukturave përkatëse siç është Drejtoria Rajonale e Mjedisit duhet të veprohet për marrjen e masave nga ana e firmave që kanë efekte ndotëse nga puna e tyre, siç janë guroret, furrat e gëlqereve etj. Ai ka kërkuar që nga e ARM-ja të veprohet konkretisht, duke i ndëshkuar në bazë të ligjit firmat që veprojnë dhe nuk zbatojnë aktmarrëveshjet dhe detyrimet ndaj mjedisit. Ndër të tjera, ministri është ndalur dhe në problemin e shfrytëzimit të pyjeve nëpërmjet prerjeve edhe të paligjshme dhe mosrinovimin e tyre me mbjelljen e fidanëve të rinj për të mos shkaktuar më pas një katastrofë ekologjike. Pas inspektimeve të bëra në disa prej zonave, ministri Xhuveli ka pohuar se procesi më i fundit i qeverisë për transferimin e sipërfaqeve të pyllëzuara në bashki e komuna, në qarkun e Beratit po ecën me hapa shumë të ngadaltë, për shkak se nuk është plotësuar ende kuadri i nevojshëm me specialistët përkatës dhe inspektorë të policisë pyjore në bashki e komuna. Në lidhje me masat ligjore që janë marrë ndaj aktiviteteve të guroreve që ndotin mjedisin, duke mos përdorur impiantet e pastrimit, ministri ka bërë përgjegjës për situatën e krijuar Agjencinë Rajonale të Mjedisit, e cila sipas Xhuvelit ka të gjitha kompetencat për zbatimin e ligjit. Xhuveli ka theksuar se është në kompetencat e Agjencisë Rajonale të Mjedisit që të marrë të gjitha masat e nevojshme ligjore për të gjitha ato gurore që shkelin ligjin, duke i ndëshkuar, penalizuar e mbyllur këto aktivitete. Po gjatë fjalës së tij, ministri i Mjedisit, Xhuveli ka pohuar se duhen ndëshkuar të gjitha firmat prodhuese dhe përpunuese që nuk rehabilitojnë vendet ku kanë shfrytëzuar në territorin e biznesit ku dhe kryejnë aktivitetin e përditshëm, duke shkelur në këtë rast aktmarrveshjet e lidhura mes angjencive të mbrojtjes të mjedisit. Ministri i Mjedisit, Xhuveli ka deklaruar gjithashtu se edhe në qarkun e Beratit do të zbatohet e njëjta procedurë që është zbatuar në qytetet e tjera, për mbylljen e të gjitha guroreve që nuk zbatojnë rregullat për mbrojtjen e mjedisit nga ndotja si në Tarabosh të Shkodrës etj.
Email This Klikime: 11
Email This Klikime: 11