E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mozaik në hapësirë, në galerinë Kledio

Në vijim të aktiviteteve të saj, sot në galerinë e artit Kledio çelet ekspozita Mozaik në hapësirëme punime të artistit të ri Eduard Karaj. E bukura është e thjeshtë dhe e vështirë, nisur nga kjo thënie, artisti ka nisur rrugëtimin e tij kreativ dhe që ka frymëzuar ekspozitën Mozaik në hapësirë. Veprat  e ekspozuara janë ndërtuar, duke përdorur elemente të thjeshtë gjeometrike si katrori, rrethi, apo copa të vogla peciklasi. Këto tablo,  synojnë të ndërtojnë një raport të mozaikut në marrëdhënie me ngjyrën dhe hapësirën, duke qëndruar larg formave tradicionale. Duhet theksuar se ka preferuar të sjellë një gjuhë të thjeshtë dhe meditative, duke lënë mënjanë figurat apo temat e caktuara, duke hequr kufijtë dhe krijuar një sfumature, një ngjyrë që del nga telajoja, apo duke e përdorur copa peciklasi, për të krijuar atë që autori e quan ndikim nga puna e diplomës Erozion i korës së tokës. Gjuha vizuale e Eduart Karajt është e kursyer. Ai  flet më pak, me një gjuhë kromatike të përmbajtur, por jo të varfër. Është e vështirë të krijosh më pak dhe të kërkosh më pak, por kjo është sfida krijuese e zgjedhur prej  tij . Intensiteti i ngjyrës, hermetizmi në kompozim, flasin për inteligjence, flasin për një kërkim që ka kohë që ka marrë udhë. Eduart Karaj  është në një rrugë të mirë krijuese dhe të pasur në thjeshtësinë e vet. Ka kryer studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë në periudhën 2001 - 2005 në degën Skulpture Qeramike, me profesorët Niko Thana dhe Sadik Spahia. Ekspozitën e parë personale me titull Nga skulptura në pikturë e  ka hapur në Galerinë e  Akademisë në vitin 2005. Më pas, në tetor 2006 ka marrë pjesë në ekspozitën kolektive me titull  Ballkan  Bridges, me pjesëmarrjen e artistëve nga vende të ndryshme të Ballkanit. Në tetor 2008, merr pjesë në konkursin për të rinj Hapësirë 1, organizuar nga Galeria e Arteve Edward Lear Berat , ku një punim në skulpturë Portret përzgjidhet për fondin e përhershëm të Galerisë.

Email This Klikime: 15

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›