Xhuveli:PAA-ja në koalicion me PD-në

Ministri i Mjedisit njëkohësisht dhe kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste,Lufter Xhuveli, i ftuar në Ora News foli rreth projekteve më të afërta të ministrisë që ai drejton, masave që janë marrë, si dhe diskutoi për debatet e fundit politike në vend. Kryetari i PAA-së u shpreh për Ora News se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare partia që ai drejton do të donte të hynte në koalicion me PD-në. "PAA-ja është tashmë në koalicion me PD-në, ky koalicion për ne ka funksionuar, ndaj nuk mendojmë të ndryshojmë qëndrim. Ne e mirëpresim ftesën e PD-së për të qenë pjesë e maxhorancës në 2009-ën". Xhuveli theksoi se në rrugën për në zgjedhjet e 2009-ës " PAA-ja, do ketë organizim në nivel qarqesh, strukturat e partisë do të ripërtërihen dhe në zgjedhje do të hymë të përgatitur dhe të organizuar". Lidhur me debatin për Draftin e Kodit Zgjedhor kryetari i PAA-së nënvizoi se "Ne kemi mbështetur Draftin për Kodin Zgjedhor, por do dëshiromin që PAA-ja të ketë komisioner. Kodi Elektoral ka avantazhe me kodet e mëparshme, ky kod do të çojë në zbutje të konfiktit që është shfaqur më parë nga sistemi mazhoritar. Sistemi proporcional do të na mundësojë deputetë më të mirë. Sa i përket ligjit të dosjeve, Xhuveli tha se "Mendoj se është çështje e domosdoshme që duhet bërë. Jemi vonë me këtë çështje që duhej bërë 15 vjet më parë. Nuk ka gjë të keqe nëse për këtë do të penalizohen 10-15 deputetë, sepse më në fund do të qetësohen shpirtrat, do të dinë edhe njerëzit se kush është pjesë e politikës së pastër, njerëzit do të dinë për kë po votojnë". Ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli u shpreh se "Bilanci i ministrisë së Mjedisit është pozitiv, nuk kemi bilanc të madh për investime, por investimet për pyjet janë shumëfishuar. Projektet më të rëndësishme janë për kanalizimin e ujrave të ndotura në qytete të rëndësishme si Korça, Vlora dhe Durrësi".Ai theksoi se "Prioritet i ministrisë së Mjedisit do jetë monitorimi dhe mbrojtja e mjedisit. Të gjitha analizat për ajrin, biodiversitetin, erozionin do të maten që të përpunohen në një raport vjetor dhe më pas të merren masat". Ministri i Mjedisit nënvizoi se peshkimi është sektor i vështirë që ka kaluar përmes shumë peripecirave. "Qeveria përfundimisht vendosi dhënien e karburantit pa akcizë për peshkatarët.Në 2009-ën do fillojë ndërtimi i portit të peshkimit në Durrës me një vlerë prej 14 milionë dollarë, i njëjti projekt do kryhet edhe në Vlorë. Akuakultura nuk po zhvillohet vetëm në det, por edhe në laguna. Do ketë mbështetje tërësore për peshkimin". Në fund të fjalës së tij, Xhuveli tha se "Mbi 60% e pyjeve dhe kullotave u është lënë nën kontroll komunave dhe bashkive dhe ato po vihen në administrim. Është pakësuar prerja e lëndëve drusore në pyll. Në fillim të vitit tjetër do të kemi një projekt të ri që do quhet shërbimi këshillor, që do mbështesë komunat dhe bashkitë në administrimin e pyjeve".