Rama : Zgjedhjet e 2009-ës fitore e të rinjve që duan ndyshimin

Partia Socialiste ka zhvilluar një ceremoni në Pallatin e Kongreseve për të krijuar rrjetin e vullnetarëve. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin krerët më të lartë të PS-së. Kryesocialisti Rama në takimin me të rinjtë vullnetarë të PS-së deklaroi se zgjedhjet e 2009-ës do jenë fitore e të rinjve që duan ndryshimin. "Shqipëria Europiane është ëndrra jonë. Juve, të rinjtë do të jenë lajmëtarë të ndryshimit,ju do të sillni fitoren në 2009-ën. Rama falenderoi të rinjtë e PS-së " Kurajon e jashtëzakoshme që më jepni duke më dhënë kohën dhe energjinë tuaj për të shpërndarë frymën e re të PS-së. Jam i lumtur që ju besoni se ky vend mund të ndryshojë, se një rrugë e re mund të hapet për secilin prej jush". Duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme kryesocialisti deklaroi se zgjedhjet e ardhshme nuk janë zgjedhjet e tij, por zgjedhjet e të rinjve. "Fitorja e zgjedhjeve ka të bëjë me sfidën time personale, por edhe tuajën, sepse në Shqipëri ka ardhur koha e sfidave të mëdha. Fitorja duhet të jetë vetëm e jona", u shpreh Rama. Edi Rama garantoi se me ardhjen në pushtet të PS-së, do të garantohet libaralizimi i vizave. Ndër të tjera ai premtoi se në qeverisjen e majtë "Do ti bëjmë gjimnazet dhe univeristetet hapësira të konkurencës. Së bashku do garantojmë ushqimin normal të familjeve duke normalizuar çmimin, nuk do të lëmë fshatin në mëshirë të fatit. Do të ulim papunsinë, do të rrisim arsimin profesional, do rrisim dritën e shpresës tek të gjithë shqiptarët". Rama sulmoi qeverinë aktuale dhe Berishën për korrupsion dhe fajtore për regres të vendit. "Këto vitet e fundit tregojnë qeverisjen më të keqe të diktatit të korrupsionit, sepse në krye kanë Berishën që në 2009-ën do të zbresë nga drejtimi i vendit për shkak të punëve të tij të pista". Në fund të fjalës së tij kryesocialisti deklaroi se "Është koha që asnjë qytetarë të mos kthejë shpinën nga politika e politikanëve, që askush të mos kursehet për ti dhënë politikës përmasën e ëndrrave të reja, është koha për politikën e qytetarëve për qytetarët, me qytetarët".