E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jaupllari: TVSH e barnavetë jetë 1%, ISKSH humb 7 mld lekë

TIRANE- Çmimi i barnave do të pësojë ulje, vetëm nëse TVSH-ja bëhet 1%. Presidenti i “Urdhrit të Farmacistëve” të Shqipërisë, Arjan Jaupllari, ka deklaruar se vetëm kështu 7 miliardë lekë që ISKSH do të shpenzojë nga buxheti i saj vetëm për TVSH, do përkthehen në 7 mld lekë më pak që do t’i përfitonin të siguruarit nga barnat.
Që nga 1 shkurti ka nisur aplikimi i TVSH 10% për barnat, a ka ndikuar ajo në rritjen e çmimit?
Aplikimi i TVSH për barnat në vendin tonë bëhet për herë të parë dhe sigurisht që është shoqëruar edhe me rritje të çmimit të tyre. Është e vërtetë se vende të ndryshme të KE-së aplikojnë TVSH për barnat, por kjo referencë është marrë e pa studiuar sa i përket karahasimit me strukturat e taksave të këtyre vendeve, nivelin e masës së saj, pasojat që ka sjellë vendosja e saj si dhe kthimin mbrapa të disa vendeve (si Italia, etj) për uljen ose heqjen fare të TVSH-së për barnat dhe materialet mjekësore.
Sipas jush cili është qëllimi i vendosjes së TVSH?
Nuk mund ta them të saktë këtë gjë, sepse nuk jemi ulur ndonjëherë në tavolina institucionale. Por nga ata që kam dëgjuar mund të them se së pari ka si qëllim kontrollin e qarkullimit të barnave që në momentin e hyrjes në doganë e deri te konsumatori, e cila ka një llogjikë të pranueshme, por ajo që është e papranueshme është masa e TVSH me 10%. Kjo pasi kontrolli mbi qarkullimin e barnave mund të bëhet edhe nëse vendoset një TVSH në masën 1%, pa ndikuar shumë në rritjen e çmimit referencë të ilaçeve. Arsyeja e dytë, ishte ulja e çmimit të barnave që në të vërtetë është jashtë çdo llogjike ekonomike dhe tashmë është edhe e provuar. Të gjitha barnat e importuara nga 1 shkurti 2011 janë 10% më shtrenjtë, çmim ky i vendosur në pullën e dhënë nga QKKB.
Po përflitet se do ulen edhe marzhet e tregtimit, pse bëhet kjo?
Është një detyrim që Ministria e Finacave i ka vënë ISKSH-së për të ulur marzhet e tregtimit të barnave, pasi nuk i dolën hesapet e TVSH. Vendimi i Këshillit të Administrimit të ISKSH është firmosur nga ministri Vasili në formën qarkulluese, pa u diskutuar me ne dhe ai është kundërshtuar me forcë nga farmacistët, importuesit dhe shpërndarësit farmaceutikë si veprim arbitrar dhe i pa studiuar.Por ne shpresojmë që qeveria të mos e miratojë, siç bëri me vendimim e 7 shkurtit, pasi ai nuk prek vetëm farmacitë, importuesit e shpërnadësit, por më shumë dëmton konsumatorin. Kjo pasi përveç TVSH është rritur dhe kursi i këmbimit të euros dhe në total do kemi 17% rritje në çmimin total referent.
TVSH po aplikohet që 1 shkurti, ndërsa çmimet e barnave të listës së rimbursueshme nuk kanë ndryshuar. Çfarë po ndodh realisht?
Ky është problem që vjen nga moskordinimi i strukturave shtetërore, sepse TVSH duhet të aplikohej në të njëjtën kohë me hyrjen në fuqi të listës së barnave të rimbursueshme. Për momentin kanë të drejtë të dy palët: edhe farmacistët, edhe të siguruarit që përfitojnë barnat me rimbursim.
Pse kanë të drejtë të dy palët?
Farmacisti ka të drejtë, sepse çdo bar ka pullën me çmimin referencë ku përfshihet dhe TVSH. Ai ka pagur për të dhe nuk mund ta shesë me humbje, kurse pacinti i siguruar me të drejtë kërkon marrjen falas, sepse e ka të përcaktuar çmimin në Listën e Barnave të Rimbursueshme.
Mos vallë ky do të jetë problem që do të ndodhë sa herë ndryshon lista dhe kursi i këmbimit?
Sigurisht që ka zgjidhje, por duhet një rikonceptim i listës së barmave të rimbursueshme dhe përqëndrimit të punës së ISKSH vetëm me alternativën e parë të barit të listës.
Dhe cila është zgjidhja sipas jush?
Ka vetëm një rrugë për monentin, ulja e TVSH në 1%. Kjo do të bënte që 7 miliardë lekë që ISKSH do të shpenzojë nga buxheti i saj vetëm për TVSH, përkthehen në 7 miliardë lekë më pak që do t’i përfitonin të siguruarit nga barnat. Gjithashtu duhet të rifutet në ligj koncepti i negocimit të çmimeve me kompanitë farmaceutike prodhuese apo përfaqësitë e tyre. Këshilli Kombëtar i UFSH bashkë me Sindikatën e Farmacistëve të rrjetit të hapur, por dhe Shoqata e Distributorve Farmaceutikë kanë dhënë disa propozime konkrete për qeverinë, MSH dhe ISKSH, që janë bërë tashme publike. Ne shpresojmë që të merren parasysh. Ne jemi për bashkëpunim dhe shpresojmë shumë vetëm te bashkëpunimi i munguar deri sot.
(Intervista e gazetares Esmeralda Keta eshte botuar sot ne Gazeta Shqiptare)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›