Yagcilar flet në Budapest, përfaqësuesi serb braktis konferencën

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, i ftuar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Administratës Publike dhe Drejtësisë të Hungarisë, Tibor Navracsics, po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Iniciativa e Evropës Qendrore në Budapest.
Iniciativa e Evropës Qendrore është një forum ndërqeveritar, që mbledh shtete anëtare të BE-së nga Evropa Qendrore e Lindore dhe shtetet që aspirojnë të anëtarësohen në BE. Qëllimi kryesor i kësaj iniciative është të promovojë bashkëpunimin politik, ekonomik, kulturor dhe shkencor në mes të shteteve anëtare, si rrugë e sigurt drejt integrimeve evropiane.
Me një fjalë rasti, audiencës së kësaj konference iu drejtua edhe Mahir Yagcilar, i cili foli për të arriturat e Kosovës në fushën e administratës publike, kurse përfaqësuesi serb në këtë konferencë, në shenjë proteste e braktisi konferencën pas fjalës së Yagcilarit, njofton shërbimi për informim i MAPL-së.
Ministri Yagcilar, i shoqëruar nga ambasadorja e Kosovës, Geci-Sherifi, zhvilloi takime të rëndësishme në Budapest me homologë e pjesëmarrës në ktë konferencë nga Kroacia, Rumania, Sllovenia, Italia, Turqia etj./Indeksonline/