E Shtunë, 31 Tetor 2026

Yasmina Khadra: Vuajtjet në luftë më kanë bërë human

Jeta e tij nuk ka qenë e zakonshme. Mohamed Moulessehoul u lind e u rrit në Algjerinë e konflikteve. Kaloi një fëmijëri si ushtar, u gjet në frontin e luftës aty ku nisi të lindte brenda tij shkrimtari. Po aty shkroi rreshtat e parë, të cilët për shkak të censurës i firmosi me emrin e një gruaje, Yasmina Khadra. Ish-oficeri, që sot jeton e shkruan në Francë, zgjodhi të tregonte identitetin e vërtetë vetëm në vitin 2001, kur suksesi i librave të tij filloi t‘i kthehej edhe në keqkuptim nën emrin e një femre. "Dallëndyshet e Kabulit" është libri i tij i parë i përkthyer në shqip nga "Bota shqiptare". Së bashku me "Sirenat e Bagdadit" dhe "Atentatorja", që gjithashtu do të vijnë në shqip nga kjo shtëpi botuese, "Dallëndyshet e Kabulit" është një meditim prekës për fatin e popullit afgan nën regjimin taleban. Kjo trilogji i kushtohet fondamentalizmit islamik, apo siç pëlqen ta quajë autori, dialogu i shurdhët mes Lindjes dhe Perëndimit.

Sot jetoni dhe shkruani në Paris. Si ka qenë Algjeria e fëmijërisë suaj, çfarë brumosi në mënyrë të pashmangshme te ju?

Vendlindja gjithnjë i ka hipnotizuar poetët, artistët dhe shkrimtarët. Është vendi i dashurisë dhe shpresës, nënë dhe burim frymëzimi. Algjeria për mua është pikë referimi. Çdo gjë niset e kthehet tek ajo: e ardhmja, e shkuara, origjina, identiteti, angazhimet. Të shkruarit më ndihmon të forcoj lidhjet me të. Të luftuarit për të është një betim. Është një vend që ka dhënë shumë e po ashtu ka vuajtur shumë. Është një parajsë e plagosur dhe një ëndërr e tradhtuar. E shoh të domosdoshme t‘i kthejmë pak nga bujaria e saj dhe të ndajmë së bashku zhgënjimet. Që kur jam bërë baba, ky vend u përket fëmijëve të mi. Kam luftuar që ata të mund të jetojnë dhe të lulëzojnë. Në të kundërt çfarë do t‘u lija trashëgim veçse peshën e dorëheqjes dhe dështimin e synimeve tona?

Që në moshë të vogël jeni bërë pjesë e një shkolle ushtarake, një karrierë që do të vazhdonte vite të tëra. A do të ishit ju një tjetër njeri nëse nuk do të kishit qenë ushtarak?

Nuk më vjen keq për asgjë. Sigurisht që do të kisha dashur të kisha një fëmijëri të rregullt, të rritesha në familjen time dhe të jetoja normalisht. Fati e vendosi të isha një fëmijë ushtar. Duhet të mësohesh të pajtohesh me të. Jeta ime ushtarake më ka shërbyer shumë për jetën si shkrimtar. Isha ende shumë i ri kur mësova të bëja gjëra që u takonin burrave. Ka qenë një eksperiencë shumë e rëndësishme. Vuajtjet e mia kanë ushqyer mbi të gjitha humanizmin tim.

Ju keni qenë ushtar në konfliktin algjerian. Çfarë përjeton një ushtarak në vijën e luftës. Çfarë vlere ka jeta dhe vdekja?

Është një dhimbje e madhe. Një traumë e shpallur. Lufta është shumë e shëmtuar. Ajo është dëshmia se ne kemi mbetur kafshë të egra, se ne nuk kemi kuptuar kush e di se çfarë nga mundësia që na është dhënë për të jetuar. Që nga kohërat e lashta, njeriu shkon para e mendimi pas. Ai është artizani i dhimbjes së tij dhe inxhinieri i shkatërrimit vetjak. Nuk duhet me patjetër të jesh ushtar për të kuptuar vlerën e jetës dhe të vdekjes. Mjafton të shihesh në pasqyrë e t‘i thuash vetes: budalla i shkretë! Përse je kaq i trishtuar kur bota ishte projektuar vetëm për lumturinë tënde? Çfarë bën ti me ëndrrat dhe gëzimet e tua? Ditën që do të jemi në gjendje t‘u përgjigjemi këtyre pyetjeve të thjeshta, atëherë do të kemi arritur pjekurinë.

Jeni penduar që e braktisët ushtrinë?

Për çfarë të pendohem? Për miqtë, për të vdekurit e mi? Po. Por jeta është një aventurë. Duhet të dish të rinisësh për ta zbuluar më mirë. Jam shumë i kënaqur me jetën time si shkrimtar. Gjithnjë e më shumë kam takime të bukura në mbarë botën dhe mësoj vazhdimisht. Lexuesit e mi më përkrahin dhe më injektojnë një forcë që s‘e kam njohur më parë. Besimi im në triumfin e inteligjencës është i paprekur. I lirë mund të bërtas mbi çdo çati.

Ju shkruani nën pseudonimin e një gruaje. Dikur ishte një zgjedhje e kushtëzuar, po sot çfarë reflekton?

Zgjedhja e pseudonimit në procesin tim krijues nuk ka shumë rëndësi. Thelbësorja është në tekst, në stil, në punën letrare. Gjithsesi kam zgjedhur një pseudonim femëror për shumë arsye: të jem i denjë për bashkëshorten time që më ka inkurajuar, i denjë për femrat algjeriane që janë të admirueshme për guximin dhe trimërinë e tyre, për të ndryshuar mentalitetin e botës arabo-myslimane që kërkon ta mbajë pozitën shoqërore të femrës nën zgjedhën e maskilizmit.

Çfarë domethënie ka një grua për ju? Po një grua në Kabul, në Izrael, në Palestinë?

Gruaja është gjithkund e nënvlerësuar. Në Kabul, ashtu si edhe në Perëndim. Sigurisht që në demokracitë e konsoliduara, gruaja gëzon një liri më të madhe dhe ka mënyrat e saja për të luftuar. Por ajo mbetet gjithnjë e nënvlerësuar në administratë dhe në politikë. Aftësitë e saja nuk janë vlerësuar asnjëherë aq sa vlejnë. Rruga është ende shumë e gjatë për të arritur në atë fazë ku meshkujt të jenë më pak dominues.

Po një burrë i këtyre vendeve?

E kam thënë gjithnjë se mjerimi ka ngritur mbretërinë e tij atje ku gratë përçmohen. Në këtë kuptim dhe veçanërisht në këto vende ku ka shtypje të femrës, burrat nuk janë veçse skllevër të kotësisë së tyre. Vlejnë veçse për të shkaktuar dhimbje.

"Dallëndyshet e Kabulit", përkthyer edhe në shqip, është një rrëfim i dhimbshëm, por edhe me nota kritike. Nga sa afër i keni jetuar këto realitete?

Jam përpjekur të kuptoj gjendjen e grave të nënvlerësuara në vende kaq armiqësore ndaj tyre. Në Algjeri nuk është e njëjta gjë si në Kabul. Kam reaguar me ndjesinë time njerëzore për të denoncuar këto abuzime që materializojnë gruan. Do të mund të shkruaja të njëjtin roman për të mbrojtur femrën europiane, afrikane apo amerikane. Ka më shumë gra të dhunuara në Perëndim se sa në Lindje dhe krimet martesore në Spanjë janë po aq të tmerrshme sa dhe në Jemen. Nuk duhet besuar se gjithçka është e pastër te ju. Padrejtësitë ekzistojnë gjithandej.

Sipas jush, ka shpresa që realitete të tilla të ndryshojnë?

Gjithçka mund të ndryshojë, mjafton të ketë vullnet. Në këto vende, dëshira për të ecur përpara nuk është shqetësimi kryesor i politikës. Shqetësimi kryesor i tyre është se si të grabisin, janë kotësitë dhe betejat për pushtet.

Letërsia juaj ka në thelb konflikte të mëdha. Të shkruarit për ju është edhe mision?

Unë jam romancier. Shkruaj për t‘iu përgjigjur pyetjeve që i shtroj vetes sime. Në letërsinë time nuk ka vetëm konflikte të mëdha. Shkruaj edhe romane më njerëzorë. Libri i ardhshëm do t‘u kushtohet endacakëve.

Ku ndahet dhe ku bashkohet ushtaraku dhe shkrimtari te ju?

Ushtaraku është një qenie si gjithë të tjerët. Edhe ai mund të ëndërrojë. Për mua nuk ka kufij. Janë të shkrirë brenda meje.

Shumë parapëlqejnë që procesin krijues ta quajnë mister. Si ka nisur, si është rritur dhe si e përjetoni aktualisht këtë proces? Nuk më intereson misteri. E mora pseudonimin vetëm për të shmangur censurën. E përsëris edhe njëherë se pseudonimi është veçse një aksesor. Unë jam romancier. Duhet parë në punën time si shkrimtar, në gjuhën dhe stilin tim, në strukturën e teksteve të mia. Atje fshihet forca ose dobësia ime. Jam krenar për rrugëtimin që kam përshkruar, krenar për çdo lexues të letërsisë sime në të 37 gjuhët ku jam përkthyer. Përpiqem të shpërndaj pak nga bujaria ime nëpër botë, e t‘u tregoj shkrimtarëve që më kanë ushqyer se kam qenë i denjë për mësimet e tyre.

Çfarë dini ju rreth Shqipërisë?

Di që ky vend ka kaluar kohë të vështira, i ka shpëtuar për pak pushtimit, ka qenë në prag të një lufte civile dhe i ka mbijetuar diktaturës. Di edhe që i ka të gjitha mundësitë që ta marrë veten e të bëhet një vend i madh për një popull të madh.

Cili do të ishte mesazhi për lexuesin shqiptar?

Mesazhi im është i thjeshtë: Të duan deri sa të bëjnë xheloz poetët dhe zotat.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›