Nxënësit: Jeta jonë në “burgun” shkollë
TIRANE-Portat e gjimnazeve "Sami Frashëri", "Partizani" dhe "Ismail Qemali", qëndrojnë të mbyllura. Pas tyre në brendësi, nxënësit janë të detyruar të kalojnë jo vetëm orët normale të mësimit, por dhe ato të pushimit që mund të krijohen për shkak të mungesave të mësuesve gjatë procesit, si dhe pushimin e tyre të madh. Të gjithë të kyçur brenda portës së shkollës dhe për asnjë lloj motivi nuk duhet të dalin jashtë. Në orën 07:50, dera kyçet dhe të gjithë atyre që mbeten jashtë u duhet të presin fillimin e orës së dytë për të pasur mundësinë të hyjnë brenda. Ky është ndër të vetmit raste kur ajo hapet pakëz, ndërkohë duhet pritur ora 13:00, që shënon dhe hapjen e saj për largimin e nxënësve.
Roja dhe polici tek dera
Për sigurinë e nxënësve të një prej gjimnazeve më të mëdhenj të Tiranës, atij "Sami Frashëri", mendon një roje tek dera, si dhe një polic i veshur me uniformë. Askush nuk mund të dalë e aq më tepër të hyjë pa aprovimin e tyre. Të gjithë gjimnazistët qëndrojnë brenda, ndërsa kushdo tjetër, jashtë. Hapësira përmes hekurave është e vetmja ku mund të komunikosh me nxënësit e kësaj shkolle. Këtij rregulli iu duhet t'i nënshtrohen të gjithë, duke përfshirë këtu dhe prindërit, ose gjyshërit që mund të kenë ndonjë porosi për t'u dhënë këtyre nxënësve.
Dalja
Për të tria këto gjimnaze, e vetmja rrugë për të dalë nga shkolla është porta e madhe e hekurt, nuk ekziston asnjë lloj rrugëdalje tjetër, siç dhe tregojnë nxënësit e kësaj shkolle. Xhensila, nxënëse e vitit të dytë në shkollën "Sami Frashëri", tregon se "asnjë nga nxënësit nuk mund të dalë nga shkolla përveç derës, sepse nga hekurat rrethues të shkollës është e pamundur dhe askush nuk e provon". Gjithsesi, gjimnazistët, ata paksa më "guximtarë", kanë arritur të gjejnë një tjetër mënyrë; për t'u larguar nga hapësira e shkollës është vetëm mundësia e një "porosie" për të fotokopjuar diçka, por kjo gjithmonë me rrezikun se do të zbulohen. Përjashtimet e vetme duket se janë ato kur nxënësit kanë mbi dy-tri orë pushim, të cilat nuk mund të kalohen në oborr.
Ushqimi
Për të ngrënë diçka, ashtu siç na tregon dhe Ilda, nxënëse e vitit të dytë në shkollën "Sami Frashëri", ata mund t'i drejtohen vetëm Fast-food-it që ndodhet brenda shkollës. "Një gjë e tillë lë të pakënaqur shumë nga nxënësit, sepse ndonjëherë rastis që asortimentet nuk dalin për të gjithë", - tregon Iris Metani, nxënëse e vitit të dytë. Por krahas Fast-food-it të shkollës në ndihmë të gjimnazistëve e sidomos në orarin e pushimit të madh, afrohen dhe disa shitës ambulantë që përpiqen të plotësojnë sado pak nevojat e nxënësve.
Nxënësit
Dhe pse duhet të qëndrojnë thuajse gjatë gjithë ditës të mbyllur brenda oborrit të shkollës, duket se nxënësit e këtyre gjimnazeve kanë vendosur të respektojnë rregullat. "Nuk na pëlqen të rrimë mbyllur, por këto janë rregullat dhe nuk kemi çfarë të bëjmë", -tregon Enkelejda Farhati, gjimnaziste e vitit të dytë. E njëjta situatë vërehet dhe në një tjetër gjimnaz, atë "Partizani", ku dera e mbyllur i lë gjithashtu nxënësit brenda edhe gjatë pushimit të madh. "Këto janë rregullat dhe përderisa studiojmë në këtë shkollë, duhet t'i ndjekim", - tregojnë Lavdërimja dhe Ermira, nxënëse të vitit të tretë në gjimnazin "Partizani". Edhe në gjimnazin "Ismail Qemali" situata duket e njëjtë mes orëve pushim, por edhe gjatë pushimit të madh, nxënësit qëndrojnë në oborr. E vetmja situatë ku roja bëhet më elastik, duket se është kur nxënësit përfundojnë orën e fizkulturës dhe i kërkojnë atij të dalin jashtë për të konsumuar diçka për të ngrënë.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)