E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aburdi, Leksione feje ne Universitet publike

Nga Esmeralda Keta 

TIRANE-Besim, arsye dhe universitet! Një kombinim perfekt që do të shërbente si për të qetësuar mendjet e atyre që besojnë në teorinë e Darvinit, ashtu edhe të atyre që predikojnë se zanafi lla jonë e ka origjinën nga një fuqi mbinatyrore që mendja jonë nuk arrin ta rrokë. Por... në fakt e vërteta e universiteteve tona publike, duket se është krejt e kundërta. Vajza me shami, kryqet janë aksesorët më të shpeshtë që mbajnë studentët, në disa raste edhe bashkëpunime midis universiteteve dhe feve për botime teologjike, etj. Kushtetuta përcakton se shkollat janë laike pa specifi - kuar detaje konkrete, por nga ana tjetër, po në Kushtetutë thuhet se të gjithë kanë të drejtë të shprehin bindjet e tyre fetare, pa u diskriminuar. Një rreth vicioz, i cili në jo pak raste nuk u ka dhënë zgjidhje polemikave të lindura nëse në shkollat e larta publike duhet të lejohet mbajtja e simboleve fetare. Dhe qëndrimet e vetë drejtuesve të fakulteteve janë të ndryshme. Rektori i Durrësit i ka paralajmëruar studentët e këtij universiteti se nuk do të pranohen ata që mbajnë simbole fetare, ndërsa drejtuesit e universiteteve të tjera janë paksa më të ekuilibruar dhe shprehen se do të zbatojnë ligjin.
UNIVERSITETI I DURRËSIT
Dy javë më parë, rektori i Universitetit të Durrësit, Agim Kukeli, deklaroi se këtë vit akademik nuk do të pranonte asnjë student që mban simbole fetare. Në këto simbole bëjnë pjesë edhe veshjet apo mjekra, që sipas rektorit Kukeli, shkelin kodin e etikës së këtij universiteti. Kështu ai u ka mbyllur shtegun polemikave që shkaktoi dy vjet më parë vendimi i rektorit Kukeli për pezullimin nga universiteti të dy studentëve myslimanë, një vajzë dhe një djalë, për shkak se vajza mbante shami dhe djali mbante mjekër, pasi i ka paralajmëruar që më përpara studentët se do të respektojë kodin e etikës.
JORGAQ KAÇANI
Edhe rektori i Universitetet Politeknik, njëkohësisht edhe kryetar i konferencës së rektorëve, Jorgaq Kaçani është shprehur se është kundër simboleve fetare në shkollë. Sipas tij, Kushtetuta përcakton që shkolla është laike dhe duhet të zbatohet ky përcaktim. “Është një rregull që duhet të ndiqet nga të gjithë ata që duan një shkollë të lartë. Pasi nesër, në respekt të riteve fetare që ata ndjekin, mund të kërkojnë edhe një vend ku të falen ose të luten. Shkolla është e ndarë nga këto gjëra”, - ka sqaruar rektori Kaçani
ARTAN HARXHI
Rektori i Universitetit të Shkodrës, Artan Harxhi, thotë se për të studentët me simbole fetare nuk përbëjnë asnjë problem. “Unë jam për liri mendimi dhe për liri veshjeje, - shpjegon Harxhi. - Kushtetuta përcakton që shkolla është laike, por veshja është një gjë krejtësisht gjë tjetër, ndaj nuk ka pse të ndalohet. Unë jam kundër futjes së elementëve fetarë në procesin e mësimdhënies si dhe kundër çdo lloj propozimi për hapje departamentesh teologjike apo leksione fetare. Ka shkolla të posaçme për këtë gjë. Por nuk duhet të ngatërrojmë veshjen me procesin mësimor. Janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme”, - thotë ai
SHEZAI RROKAJ
Ish-rektori i universitetit të Tiranës, aktualisht dekani i Filologjikut, Shezai Rrokaj thotë se është ndeshur edhe herë të tjera me këtë fenomen. “Çdo fakultet i merr vendimet vetë, - shprehet ai. – Në ligjin e ri të arsimit të lartë është miratuar këshilli i etikës, i cili do të miratojë kodin e etikës së universitetit. Një statut i detajuar ky që do të përcaktojë sjelljet dhe veshjet e studentëve, por ky këshill ende nuk është konstituar- eshte shprehur Rrokaj

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›