E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Shpresojmë të gjejmë ndonjë talent"

Prezantohet në Tiranë "Milan Junior Camp" i parë në Shqipëri. Vendi ynë është përfshirë në hartën e klubit që ka fituar më shumë trofe në botë, ku gjatë vitit 2008 projekti do të shtrihet në 37 vende, në të pestë kontinentet. Nga data 30 qershor deri më 4 korrik, fëmijët shqiptarë, nga mosha 8 deri në 16 vjeç do të kalojnë disa ditë mes sportit e zbavitjes dhe do të kenë mundësi të mësojnë sekretet e futbollit direkt nga trajnerët e Akademisë së gjigantëve të Serisë A. "Ky është një shans shumë i madh për fëmijët shqiptarë, për të treguar talentin e tyre dhe të mbajnë veshur fanellën e Milanit", deklaroi Daniele Masaro, ish-sulmues i njohur i kuqezinjve, që tashmë kujdeset për marrëdhëniet publike të klubit. "Kemi ardhur për të promovuar kulturën e Milanit në Shqipëri. Kemi sjellë këtë trofe simbolik me vete (trofeun e Ligës së Kampioneve të fituar vitin e kaluar në Athinë), për të ndarë emocionet e skuadrës sonë me tifozët shqiptarë. Që prej momentit kur mbërrita në Tiranë, e kam ndjerë dashurinë e shqiptarëve për Milanin. Nuk e kisha menduar më parë të ishte kështu. Do të bëjmë një grumbullim të madh në fund të qershorit me fëmijët shqiptarë, me ata që dinë të prekin topin dhe po ashtu edhe me ata që kanë më pak të dhëna. Shpresojmë të zbulojmë ndonjë talent, që ndoshta mund edhe të veshë fanellën e Milanit apo edhe të kombëtares shqiptare. Besojmë në potencialin që vendi juaj ka në futboll, por mbi të gjitha fëmijët do të kenë shansin që të stërviten, duke shfrytëzuar metodat e stafit zyrtar të klubit kuqezi".

"Milan Junior Camp" do të zhvillohet në tri vende të ndryshme: pjesa më e madhe e aktivitetit do të bëhet në ambientet e stadiumit "Selman Stërmasi" dhe në qendrën sportive "Dinamo", ndërkohë që faza finale e evenimentit do të mbahet në impiantin më të madh në vend, stadiumin "Qemal Stafa". Falë impenjimit të sponsorëve, mes të cilëve DigitAlb e "Top Channel", por edhe "Taçi Oil" e AMC, pjesëmarrja e fëmijëve do të jetë pa pagesë. Për 400 pjesëmarrësit është parashikuar një program intensiv me stërvitje teknike, përgatitje atletike dhe mësime taktike. Përgjegjësja e "Milan Junior Camp", Françeska Pietra, tha: "Filozofia jonë është kultivimi i talenteve të reja në vendin e tyre, duke i ndihmuar të rriten nëpërmjet mësimeve dhe disiplinës taktike të trajnerëve tanë. Këtë vit, në këtë projekt do të marrin pjesë afro 15 mijë djem dhe vajza në 37 vende të botës, një rezultat që na bën krenar". Menaxheri i përgjithshëm i projektit, Marko Skembri, theksoi se: "Nuk do të ketë asnjë lloj seleksionimi dhe 5 fëmijët më të mirë që do të zgjidhen, jo vetëm në bazë të aftësive, por edhe sipas sjelljes, do të mund të stërviten në Milano, me ekipet zinxhir të klubit". Rezart Taçi, sponsori kryesor i projektit, shtoi: "Synimi ynë ishte ta bënim Milanin një realitet të prekshëm për Shqipërinë, fëmijët dhe të rinjtë e këtij vendi. Ndihem i nderuar që jam pjesë e këtij projekti, me këtë iniciativë me Milanin mund t‘i ofrojmë një ëndërr të rinjve shqiptarë".

Ëndrra

Milani në Shqipëri,

e realizueshme

Ajo që e ka ngacmuar më shumë imagjinatën e të pranishmëve në prezantimin e "Milan Junior Camp" ka qenë ndeshja e një skuadre shqiptare me Milanin. Sipas Daniele Masaros, kjo nuk është një sipërmarrje e thjeshtë, për vetë impenjimet e skuadrës, por edhe mund të realizohet në periudhën përgatitore, përpara fillimit të kampionatit. "Nuk jam unë personi që duhet të flas për axhendën e miqësoreve të Milanit, megjithatë theksoj se realizimi i një ndeshje me një skuadër shqiptare mund të organizohet vetëm gjatë përgatitjeve për sezonin e ri, tha ai. Skuadra zhvillon shumë ndeshje në atë periudhë dhe ky mund të jetë momenti i vetëm për të parë kuqezinjtë në aksion kundër një klubi shqiptar". Ish-sulmuesi vazhdoi: "Për këtë, z. Rezart Taçi mund të ndërhyjë edhe te presidenti i klubit tonë, Silvio Berluskoni, dhe të shfrytëzojë miqësinë që ekziston mes tyre". Masaro është larguar dje nga vendi ynë së bashku me trofeun e Ligës së Kampioneve, duke u shprehur tejet i entuziazmuar për pritjen që i është bërë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›