“Humbja e Lublin Diljes, humbje për diplomacinë shqiptare”

Vlerëson kryeministri Berisha në konferencën përkujtimore kushtuar diplomatit të lartë
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje aktivitetin diplomatik të Ambasadorit Lublin Dilja, i ndarë pak ditë më parë nga jeta në Nju Jork (SHBA), ku shërbente si Ministër Fuqiplotë në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara.
I pranishëm në konferencën përkujtimore që u organizua në mjediset e Ministrisë së Jashtme në kujtim të diplomatit të lartë, kreu i qeverisë shqiptare i shprehu ngushëllimet familjarëve të të ndjerit, duke cilësuar se “humbja e Lublin Diljes është një humbje e madhe për diplomacinë shqiptare, Elbasanin dhe Shqipërinë”.
“Ai u shndërrua në një luan të vërtetë kundër sëmundjes, duke ruajtur nje jetë familjare krejtësisht normale dhe një aktivitet diplomatik të shkëlqyer në trupin diplomatik”, vlerësoi kryeministri Berisha.
Për Kryeministrin “Lublin Dilja la pas një mesazh shumë të madh, duke na frymëzuar të gjithëve se si duhet të përballemi me të keqen”.
Duke e konsideruar Diljan si “një nga diplomatët më të zotë, që ka dhënë një kontribut të çmuar në forcimin e marrëdhënieve me SHBA, ku shërbeu për disa vite si ambasador i Shqipërisë. Vdekja e çdo njeriu të pakëson, por humbja e një njeriu si Lublin Dilja është një humbje e madhe për të gjithë ata që kanë pasur lidhje miqësore apo pune me të. Lublin Dilja ishte para së gjithash një qytetar shembullor që mishëronte dhuntitë e tij më të shkëlqyera të qytetarisë, pedagog i talentuar, intelektual i ri me një formim të plotë”, vlerësoi kryeministri.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se Lublin Dilja ju besua posti më i rëndësishëm në diplomacinë shqiptare, të përfaqësonte vendin në Washington, kryeqytetin e diplomacisë botërore. Lidhur me aktivitetin parlamentar të z. Dilja, kryeministri Berisha vuri në dukje se në parlament ai u shndërrua në një kohë të shkurtër në një nga deputetët më të respektuar e të përkushtuar.
Duke e konsideruar vdekjen “pjesë të patjetërsueshme të rrugëtimit njerëzor”, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, vuri në dukje se “ky është një nga ato raste kur ndarja nga jeta nuk do të thotë ndarje nga njerëzit”.