Ylli i ri i Shqipërisë

Kur zbarkonte në FC Locarno më 13 mars, nuk e njihte askush. Vetëm trajneri Davide Morandi dhe drejtori sportiv, Gabriele Gilardi, të cilët e kishin parë duke i zhvilluar disa ndeshje miqësore në Itali.
Është Armando Sadiku ai për të cilin jemi duke folur. Futbollisti shqiptar ka impresionuar menjëherë në Zvicër. Ai ka nuhatje për gol, i fuqishëm fizikisht dhe mbi të gjitha me dëshirë për të arritur diçka, tipik lojtar që vjen nga një realitet me vështirësi ekonomike.
Dhe tash, ky djalosh, i lindur në Elbasan, titullar në Kombëtaren shqiptare U-21, është bërë i dëshiruar nga shumë klube. Ai i ishte bashkuar FC Locarnos për të shënuar sa më shumë gola dhe për ta shpëtuar këtë skuadër.
Ai i ka dhënë sinjalet e para në debutimin kundër Schaffhausen, ku ka kënaqur trajnerin Morandi, më 1 prill. Falë golit të tij në minutën e 63-të, Locarno fitoi 2-1 si mysafir, për t’i rritur shpresat e mbijetesës.
Nga ajo ditë, deri në fund të kampionatit, Sadiku shënonte 9 gola. Sigurisht, njerëzit pyesin se deri ku do të mund të arrinte po të luante nga korriku i vitit 2010. Ndërsa në 14 ndeshjet e para të sezonit të ri në Challenge League (liga e dytë zvicerane), ai ka realizuar 10 gola.
“Me thëne të drejtën kisha shumë besim në vetën tim se do ecja mirë po kur erdha këtu mu desh pak kohe tu ambientoja me ekipin. Po të gjithë më kanë mbështetur shumë dhe çdo gjë pastaj shkoi shumë mirë”, ka thënë Sadiku për Express.
Përveç kësaj, sulmuesi nga Elbasani tani po shkëlqen edhe me përfaqësuesen U21 të Shqipërisë. Në pesë ndeshje zyrtare të zhvilluara me shpresat kuqezi, Sadiku ka arritur të shënojë plot shtatë gola.
Golat e shënuara dhe dëshira për të arritur suksese, nuk u kanë shpëtuar syve të skuadrave si Genoa e Siena nga Italia, Monchengladbach e Freiburg nga Bundesliga, që kanë filluar të shprehin interesim për të.
Mirëpo, këto nuk janë ekipet e vetme që e pëlqen futbollistin shqiptar. Ai është objektiv i Grasshoppers, që, përmes Ciriaco Sforzas ka bërë një ofertë të majme për ekipin e FC Locarnos.
Por Sadiku është bërë objektiv edhe i skuadrave tjera të rëndësishme zvicerane si Thun, Young Boys e Servette, me këtë të fundit që po mendon seriozisht ta blejë talentin shqiptar. Edhe në jug të Alpeve, ekziston interesimi për Armando Sadikun. Bellinzona ka bërë hapa të rëndësishëm, ndërsa Lugano po bën sondazh për të.
“Të thëne te drejtën ka interesim nga këto klube po tani duhet të presim që të shikojmë kush do ta bëjë ofertën me të mirë. Nuk e di as vetë a do qëndroj apo jo. Jam duke e marrë me qetësi çdo oferte dhe me bë zgjedhjen e duhur bashke me menaxherin tim”, ka theksuar Sadiku.
Ish futbollisti i Elbasanit, tregon se do t’i pëlqente që karrierën ta vazhdoj në elitën e futbollist zviceran pasi tashmë është ambientuar me futbollin që zhvillohet në këtë vend. Por ai ka bërë të ditur se gjasat janë të mëdha që të transferohet edhe në Gjermani.
Mirëpo, tifozët e Locarnos janë të preokupuar. Ata pyesin se çka do të ndodh me ekipin e tyre të zemrës nëse largohet një lojtar që është i aftë t’i shënojë 15 gola në sezon.