Ymaj: Të vrarët mund të jenë më shumë se 19

Kreu i Mjekësisë Ligjore: Jemi duke ndarë eshtrat nga njëra-tjetra, nuk e dimë se sa njerëz ndodheshin në varrin masiv
TIRANË - Misteri i varrit masiv në periferi të Tiranës është komplikuar edhe më shumë mbrëmjen e djeshme teksa ekspertët mjeko-ligjorë kanë nisur punën për identifikimin e të vdekurve. Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Besim Ymaj, tha mbrëmë për "Shekulli"-n, se dyshohet për një numër më të madh personash të vrarë në varrin masiv.
Ekspertët kanë kryer administrimin fizik të eshtrave, por ata janë bllokuar në momentin që duhet të përcaktonin numrin e saktë të të vdekurve.
"Për momentin jemi duke ndarë eshtrat nga njëra-tjetra për shkak se një pjesë e rrobave që ata duhet të kenë pasur veshur janë kalbur, shkrirë dhe ngjitur me eshtrat", - thanë mjekët e morgut.
Ndërkohë, kreu i këtij institucioni, Besim Ymaj, tha se është ngritur tashmë një grup me ekspertë të posaçëm të fushës për të kryer ekzaminimet, me qëllim identifikimin e personave, dhe përcaktimin e numrit të saktë të personave, të cilëve mund t'i përkasin eshtrat. Kjo, pasi ato rezultojnë të jenë përzierë, për shkak të hedhjes në një varr të përbashkët të të gjithë personave.
Pritet që në një hark kohor të konsiderueshëm të kryhen edhe ekzaminimet përkatëse, duke qenë se sasia e tyre është e madhe dhe se numri i njerëzve që kërkojnë të afërmit e tyre të humbur mund të jetë shumë i madh.
Vetëm një ditë pas publikimit të lajmit mbi gjendjen e një varri të përbashkët masiv në fshatin Qesarakë të komunës së Dajtit, policia ka nisur dhe ka ngritur një grup hetimor të përbashkët që drejtohet nga prokuroria. Një fakt i tillë është konfirmuar dje zyrtarisht nga krerë të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Sipas zyrtarëve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, oficerët e tyre dhe ekspertë përkatës të drejtuar nga përfaqësuesi i prokurorisë kanë mbërritur në vendin e ku janë gjetur trupat dhe kanë kryer një si veprim të parë këqyrjen e vendit të ngjarjes.
"Hetuesit tanë kanë administruar në cilësinë e provës eshtrat dhe më pas, janë përgatitur vendimet për kryerjen e akteve të ekspertimit, që duhet t'i përgjigjet pyetjes së kujt i përkasin eshtrat e gjetura, kohës së vrasjes së tyre, shkakut të mundshëm të vdekjes dhe pyetje të tjera që janë në interes të hetimit", - tha një zyrtar i Policisë së Tiranës.
Hetuesit kanë zbuluar se një pjesë e eshtrave ishin vendosur në qese plastmasi të prodhuara vitet e fundit
Dyshimi, eshtrat janë vendosur së fundmi në varrezë
Sipas burimeve të organit të akuzës, nga hetimi dhe këqyrja e vendit ngjarjes, nga ekspertët e Prokurorisë janë vënë re elementë të ndryshëm që kishin të bënin me faktin se trupat ishin të rivarrosur nga të tjerë njerëz në periudha të mëparshme që kishin gërmuar në mënyrë private për të gjetur eshtrat e të afërmve të tyre, që mund të ishin vrarë në periudhën e diktaturës nga organet e Sigurimit apo të Ministrisë së Brendshme.
Sipas burimeve të prokurorisë që kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes në bashkëpunim me ekspertë të Policisë dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, disa nga trupat e gjetur rezultonin të ishin zhvarrosur një herë më parë nga persona të tjerë, që gjithashtu kishin kërkuar më parë eshtrat e njerëzve të tyre të humbur apo të zhdukur gjatë periudhës së komunizmit.
Mësohet se disa prej eshtrave, janë gjetur nga gërmime të mëparshme, dhe për të verifikuar nëse eshtrat iu përkisnin njerëzve të tyre të afërt, janë marrë kampione për t'iu kryer analizat gjenetike të ADN-së.
Por, pasi ishin kryer analizat e ADN-së nga kërkuesit në rrugë private dhe është verifikuar se ato nuk iu përkisnin të afërmve të tyre, eshtrat që ishin mundur të zhvarroseshin janë rivarrosur me qese dhe më pas janë rivarrosur në një vend jo shumë të largët nga vendi ku ishin zbuluar më parë.
Kjo ndërhyrje e këtyre personave, në kërkim të eshtrave të tyre të humbur që nga koha e komunizmit, për shkak të përndjekjes së tyre nga diktatura, ka bërë që vendi i ngjarjes të prishet, duke humbur autenticiti i tij që nga koha e kryerjes së vrasjes masive dhe e hapjes së varrit të përbashkët me eshtrat e gjetur së fundmi.
Ky fakt ka hedhur dyshime të forta edhe varrin masiv.
Një tjetër pistë ku do të fokusohen hetimet e prokurorisë është vërtetimi i vendit se ku është bërë ekzekutimi si dhe përmasave të varrit. Hetuesit kanë vënë re se një pjesë e qeseve të plastmasit janë prodhuar gjatë viteve të fundit, gjë që tregon se eshtrat që ndodheshin brenda tyre mund të mos jenë të kohës së komunizmit ose janë rivarrosur aty së fundmi.
Burimet pohuan se të gjitha eshtrat do të verifikohen për të ndarë nëse janë vrarë në të njëjtën periudhë kohore apo vrasjet janë shtrirë në disa dhjetëvjeçarë.
***********************
Prokurori Etien Kapo që do të zbardhë misterin e të vrarëve në periferi të kryeqytetit. Hetuesit zbulojnë një kafkë tjetër
Nipi i Hysni Kapos heton varrin masiv
TIRANË - Misteri i varrit masiv në periferi të Tiranës do të zbardhet nga një prokuror që ka lidhje me diktaturën komuniste. Hetimet po drejtohen nga prokurori Etien Kapo, nipi i ish-sekretarit të Komitetit Qendror të asaj kohe dhe anëtari i Byrosë Politike e deputet në Kuvendin Popullor.
Prokurori Kapo është i biri i Pëllumb Kapos, i cili deri në vitet '90-të ka qenë një nga drejtorët e Degës së Punëve të Brendshme. Por, paradoksi qëndron se gjyshi i tij bënte pjesë në nomenklaturën e lartë shtetërore të asaj kohe, ndërsa sot ai duhet të zbardh vrasjet e kryera nga ai regjimi ku edhe gjyshi i tij ishte një nga drejtuesit e atij shtetit.
Sipas burimeve, mësohet se Hysni Kapo i lindur në Tërbaç të Vlorës më 4 mars 1915, vdiq më 23 shtator 1979 në një klinikë në Parisit, ndërkohë mbante postin e Sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë Popullore të Shqipërisë.
Të pyetur për këtë fakt, zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme, shprehen se ditën e zbulimit të eshtrave në afërsi të fshatit Qesarakë në rrëzë të malit Dajt, pranë seksionit të vrasjeve dhe krimit kundër personit në Prokurorinë e Tiranës, ka qenë i gatshëm prokuror Kapo, i cili automatikisht ngarkohet me hetimin e çështjes.
"Nuk mund ta paragjykojmë punën e prokurorit Etien Kapo për shkak të kaluarës së familjarëve të tij.
Ai është korrekt në respektim të ligjit dhe punës dhe nuk mendojmë se është ndonjë shqetësim për ndonjë persona. Ai do të hetojë çështjen deri në fund për të parë se kush janë personat e ekzekutuar dhe identifikimin e tyre" - thanë zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët nuk deshën të identifikohen për shkaqe "morali" karshi kolegut të tyre.
Ndërkohë, dy ditët e fundit, prokurori i çështjes Kapo, ka zbarkuar në vendin e gjetjes së këtyre eshtrave bashkë me një grup oficerësh dhe ekspertësh të Mjekësisë Ligjore.
Nga këqyrja e vendit mësohet se oficerët ndër të tjera kanë gjetur edhe një kafkë njeriu, e cila nuk përkon me asnjë nga eshtrat e gjetura që ndodhen pranë morgut të kryeqytetit.
Kjo ka ngritur dyshime se në atë zonë ndodhen të varrosur edhe shumë persona të tjerë të ekzekutuar në kohën e regjimit komunist. Sipas burimeve nga prokuroria, deri më tani janë gjetur dhe dërguar në morg 18 apo 19 skelete personash, që mendohen se janë të seksit femër.
Vetëm pak ditë më parë ishte një qytetar që kërkonte prej kohësh eshtrat e babait të tij, që gjatë gërmimeve zbuloi eshtrat e këtyre personave që janë ekzekutuar gjatë viteve të regjimit.
Besim Ndregjoni: "Të gjenden eshtrat e të gjithë të ekzekutuarve"
Besim Ndregjoni, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së ish të përndjekurve Politik, reagoi dje në një prononcim për gazetën "Shekulli", duke pohuar se zona e fshatit Qesarakë, ku janë gjendur eshtrat e së paku 19 personave njihet nga shoqata si vend ku organet e diktaturës komuniste kanë kryer ekzekutime masive ndaj kundërshtarëve të regjimit.
Në lidhje me faktin se hetues i çështjes së varrit të përbashkët me 19 eshtrave të gjetura pak ditë më parë, do të jetë nipi një ish-anëtari të Byrosë Politike dhe ish-funksionar i lartë i regjimit komunist, Ndregjoni tha se aktualisht organet e ndryshme shtetërore kanë brenda tyre njerëz që më parë i kanë shërbyer komunizmit. "Në organet e prokurorisë, ka shumë hetues të zotë që mund të kryejnë hetime të pastra dhe të pandikuara nga e shkuara e tyre.
Kjo është një zonë, e cila është njohur prej nesh si zonë ku janë kryer ekzekutime dhe se po ky person që ka kryer kërkime në këtë zonë është i njohur prej nesh që prej kohësh kërkon eshtrat e të atit të ekzekutuar nga diktatura komuniste, si kundërshtar i regjimit", - tha Ndregjoni.
Sipas tij, jo vetëm ky person (Jovan Plaku), por edhe shumë njerëz të tjerë që nuk i dinë se ku i kanë të afërmit e tyre prej më tepër se 19 vitesh kërkojnë eshtrat e të afërmve të tyre të ekzekutuar pa gjyq. "Shoqata jonë ka kryer kërkime për gjetjen e eshtrave të njerëzve të ekzekutuar me fonde të mbledhura vullnetarisht dhe privatisht, pa asnjë ndihmë shtetërore".
Ai pohoi se çështja e gjetjes së eshtrave të viktimave të komunizmit, është lënë në hije nga organet shtetërore. Ndregjoni i bëri thirrje politikës shqiptare, parlamentit dhe institucioneve shtetërore që të ndërmarrin hapa ligjorë për gjetjen e trupave të atyre që ai i quan luftëtarë të demokracisë, të vrarë nga diktatura, duke qenë se ishin kundërshtarë të regjimit. "Të gjenden eshtrat e tyre ato të varrosen në varrezat e Dëshmorëve të Kombit atje ku kanë vendin, si të rënë pikërisht për demokracinë", - tha ai.
Deputeti i PD-së, Strazimiri, flet kundër Ditës së Çlirimit: Është mëngjesi i parë i komunizmit në 1944
PD: 29 nëntori të bëhet dita e të vrarëve
TIRANË - Zbulimi i një varri masiv në pjesën veriore të kryeqytetit, të 19 trupave që mendohet se janë të ekzekutuar gjatë regjimit komunist, e ka zhvendosur çështjen në skenën politike, kur dje Partia Demokratike dhe ajo Socialiste akuzuan njëra-tjetrën si përgjegjëse për krimet e kryera gjatë regjimit totalitar.
Nisur nga vizita që zhvilluan disa deputetë të Partisë Demokratike në vendin e gjetjes së eshtrave të 19 personave, Partia Socialiste, nëpërmjet deputetes Ermonela Felaj, akuzoi direkt kryeministrin Sali Berisha se gjatë periudhës së sistemit totalitar, kur ai ushtronte profesionin e mjekut, ka urdhëruar internimin e dy mjekëve të pafajshëm.
Sipas deputetes së selisë rozë, është koha që Berisha të thotë të vërtetën për persekutimin e mjekëve dhe të largohet nga jeta publike. "Jam shumë dakord me ata që thonë kush ka kryer krime në të shkuarën, duhet të largohet nga jeta publike, prandaj kam një pyetje për Sali Berishën:
A nuk është koha zoti Sali që shqiptarët ta dinë të vërtetën e internimit të dy mjekëve të pafajshëm, burrë e grua, që ju personalisht, si Sekretar i Partisë së Enver Hoxhës, i persekutuat deri sa përfunduan në kamionin e Degës së Brendshme me gjithë plaçkat e shtëpisë?!", - tha dje deputetja Felaj.
Por, Partia Demokratike reagoi ndaj akuzave, duke i cilësuar ato si trillime e shpifje. Sipas zëdhënëses së kësaj partie, Erla Mëhilli, eksponentët e PS-së duhet që të kërkojnë ndjesë për krimet e kryera, sipas saj, nga etërit që sot drejtojnë PS-në.
Si mazhoranca ashtu edhe opozita kanë deklaruar për zbardhjen e krimeve të komunizmit përmes ligjit të Dosjeve, por i cili tashmë është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.
Deputetët e mazhorancës që vizituan dje varrin masiv theksuan se përmes institucioneve të drejtësisë do të zbardhin të gjitha krimet e ish-regjimit komunist. Për këtë arsye, sipas deputetes Mesila Doda, ligjet kundër genocidit dhe ai për Institutin e Kujtesës Kombëtare do përdoren për zbardhjen e krimeve të regjimit të dikurshëm.
"Partia Demokratike është e bindur që duhet të vazhdojmë dhe duhet të hetojmë për çdo rast, kur kemi krime të këtij lloji. Kemi një ligj kundër genocidit.
Kemi një Institut, i cili duhet të ngrihet për kujtesën kombëtare dhe ne duhet të zbardhim absolutisht çdo vendim dhe çdo krim që është bërë mbi njerëzit e këtij kombi", - tha dje Doda.
Ndërkohë, deputeti tjetër i PD-së, Gent Strazimiri, ka "sulmuar" festën kombëtare të Çlirimit, duke kërkuar që ajo të bëhet një ditë përkujtimore për të ekzekutuarit e diktaturës.
Ai e cilësoi ditën e çlirimit, për të cilën kanë dhënë jetën më shumë se 28 mijë dëshmorë, thjesht si një ditë pushimi. "Ka shumë shans që ky vend të jetë "Sebrenica" jonë dhe me propozimin krejtësisht personal, 29 nëntori do të ishte dita e duhur për t'i rikujtuar ata.
Është një ditë kur edhe ligjet e bëjnë pushim, është mëngjesi i parë i komunizmit në vitin 1944. U takon që ata të kujtohen në këtë ditë dhe të gjithë ne të kemi përshpirtjen tonë për këta shpirtra të mbetur pa varr, pa faj", - u shpreh Strazimiri.