E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Fondin Haradinaj, palët thonë fjalën e fundit

Brenda një ditë, në llogaritë e “Fondit Haradinaj”, janë deponuar nga 200 mijë deri 300 mijë euro. Këto para nuk janë derdhur përnjëherë, por çdo 4 minuta dhe atë 29 herë brenda një dite. Secili deponim ka qenë në vlerë prej 9 mijë eurosh.

Këto, dhe shumë të dhëna të tjera, i paraqiti në fjalën përfundimtare Nazmi Mustafi, prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës, në seancën përfundimtare të mbajtur sot në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Kjo seancë është e fundit në këtë çështje, para se trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarë vendorë dhe të EULEX-it, të marrë vendimin përfundimtar në lidhje me tre të akuzuarit në rastin për rastin e “Fondit Haradinaj”.

Në fjalën përfundimtare të Nazmi Mustafit, prokuror i Prokurorisë Speciale, përmblodhi të gjitha provat, sipas të cilit, vërtetojnë se Jahja Lluka, Milazim Abazi dhe Hashim Sejdiu, kanë kryer vepra penale të shpëlarjes së parave dhe deklarimit të rrejshëm.

Në fjalën përfundimtare, prokurori i çështjes edhe një herë paraqiti datat dhe shumat e parave, të cilat ai i ka derdhur në llogaritë e Fondit Haradinaj, në dy bankat Kasabankë dhe Bankën Ekonomike.

Të gjitha provat e paraqitura nga organi i akuzës, prokurori i tha edhe një herë në version të shkurtër duke kërkuar nga kryetari i trupit gjykues, Francesko Florit, që bazuar në provat përkatëse, t’iu shqiptojë të akuzuarve dënimet e parapara me ligj.

Duke mbrojtur klientin e tij, avokati Ramë Gashi i hodhi poshtë pretendimet e prokurorit, duke thënë se Jahja Lluka nuk ka kryer asnjë vepër penale me të cilën ai ngarkohet.

Sipas tij, “Fondi Haradinaj” ka qenë i hapur zyrtarisht dhe gjithçka është kryer në mënyrë transparente, për të cilin kanë pasur dijeni të gjithë.

Ai tha se i akuzuari Jahja Lluka ka qenë i autorizuar dhe të gjitha deponimet i ka kryer në përputhje të plotë me rregullat e bankave, duke paraqitur edhe listat e personave që kanë dhuruar donacione.

Avokati Burim Xhemajli, i cili e mbron të akuzuarin Milazim Abazi, ish-drejtor gjeneral i Kasabankës, tha se përgjegjësia për çdo parregullsi eventuale që ka mundur të ndodhë, nuk i takon klientit të tij, por Afërdita Mexhuanit.

Sipas tij, si zyrtare për kontrollimin deponimeve dhe transaksioneve në Kasabank, ajo ka qenë e lirë në punën e saj, duke njoftuar për gjithçka autoritetet përkatëse.

Avokati paraqiti edhe disa dokumente me të cilat ai pretendon se kjo zyrtare nuk e ka kryer punën si duhet dhe se Milazim Abazi nuk ka asnjë lloj përgjegjësie.

Në këtë rast edhe avokat Xhemajli sikurse kolegu i tij Gashi, kërkuan që klientët e tyre të lirohen tërësisht nga aktakuza.

Fjalën përfundimtare të mbrojtjes, pasdite ka filluar ta japë edhe Bajram Tmava, avokat i të akuzuarit Hashim Sejdiu, ish-menaxher i filialeve në Kasabank.

Pritet që disa ditë më vonë, trupi gjykues të marrë vendimin në lidhje me këtë rast.

Shkrimin e zgjeruar mund ta lexoni nesër në gazetën Express.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›